E premte, 26 Prill, 2024

FILLON SKRININGU SHPJEGUES BRUKSEL-SHKUP, MARIÇIQ: KORIDORI 8 DHE 10 NË FOKUS EVROPIAN

Shkruan: Enis Shaqiri

Ekipi negociues i Maqedonisë së Veriut, së bashku me zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq sot në Bruksel hapën takimin sqarues të skriningut për Kapitujt 21 dhe 14, nga Klasteri 4, njofton portalb.mk

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në fjalimin e tij gjatë hapjes së takimit shpjegues të skriningut, tha se Maqedonia e Veriut, si shtet i cili e implementon Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim tashmë prej 15 viteve, është e vetëdijshme se sektori i transportit është një prej shtyllave për rritje, konkurrencë dhe zhvillim të ekonomive moderne.

“Nga ana tjetër, rrjeti transevropian i transportit i identifikon korridoret prioritare dhe sferat tematike të Infrastrukturës transevropiane të transportit dhe siguron udhëzime për projekte të rëndësishme. E përshëdnesim qëllimin e Komisionit evropian të investojë përpjekje shtesë për zhvillim të Korridorit të ri evropian të transportit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Mariçiq.

Sipas Mariçiq, RMV mirëpret synimin e Komisionit Evropian për të bërë përpjekje shtesë për zhvillimin e një korridori të ri të transportit evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Këtu ne kemi se çfarë të themi, por edhe kemi shumë për të bërë. Maqedonia e Veriut është shtet i kyçur në bashkësinë transportuese, si të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor. Marrim pjesë edhe në bashkësinë energjetike edhe trnsportuese përmes iniciativës së procesit të Berlinit. Ky është praktikisht një afrim i vendeve të Ballkanit perëndimor në korridoret evropiane. Marrim pjesë në dy korridore të rëndësishme evropiane. Korridori 10 që është plotësisht i kompletuar dhe mund të plotësohet në periudhën e ardhshme dhe korridorin 8 ku punojmë intenzivisht. Rrjeti Trans-evropian i Transportit identifikon korridoret prioritare dhe fushat tematike të Infrastrukturës së Transportit Trans-Evropian dhe jep udhëzime për projekte të rëndësishme. Ne mirëpresim synimin e Komisionit Evropian për të bërë përpjekje shtesë për zhvillimin e një korridori të ri të transportit evropian në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Mariçiq.

Ndërsa drejtoresha për mobilitet dhe transport pranë KE-së, Mona Bjorklund, ka theksuar se që nga viti 2019 Bashkimi Evropian ka filluar bisedimet me Maqeodninë e Veriut për Kapitujt 14 dhe 21 nga Klasteri 4, dhe se që nga ajo kohë, siç tha ajo, ka shumë risi dhe akte ligjore, për të cilat vendi duhet t’i implementojë, duke e shtuar kështu edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vendit me BE-në pas Marrëveshjes për komunitetin transportues.

“Nga ana e BE-së, politikën e transportit e lëvizin prioritetet e agjendës së gjelbër dhe neutralitetit të karbonit. Qëllimi është të arrihet mobiliteti i gjelbër, i mençur dhe i kapshëm. Legjislatura për transport në BE vazhdimisht zhvillohet dhe këtu jemi t’ju mbështesim. Mbetet akoma punë t’i përforcojmë përpjekjet që këto akte ligjore të implementohen. Aktet e reja janë të rëndësishme për të gjitha obligimet tona që Evropa të bëhet më e gjelbër”, tha Bjorklund, transmeton korespodentja e MIA-s nga Brukseli.
Ndryshe, kapitujt 21 dhe 14 të Klasterit 4 të BE-së për Maqedoninë e Veriut kanë të bëjnë me tema të Agjendës së gjelbër dhe ndërlidhjes së qëndrueshme për Maqedoninë e Veriut.

Klasteri 4 i BE-së, i quajtur “Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme”, është një nga klasterët e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Në kuadër të këtij klasteri, BE e vlerëson Maqedoninë e Veriut në aspektet e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Gjtihashtu për Bashkimin Evropian Klasteri 4 apo “agjenda e gjelbër” është në krye të prioriteteve, ku ka legjislaturë voluminoze, e cila është më e vështirë për zbatim, posaçërisht në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe investime.

Kapitulli 21 ka titullin “Rrjetet trans-evropiane” dhe synon të përmirësojë lidhjet e transportit dhe infrastrukturën e Maqedonisë së Veriut, si dhe me vendet e tjera në rajon dhe më gjërë në Evropë. Në këtë kapitull, BE-ja ofron rekomandime dhe këshilla për përmirësimin e infrastrukturës së transportit, transportit publik dhe rrjetit rrugor nëpër Maqedoninë e Veriut, duke e bërë atë më të qëndrueshme dhe më të shpejtë.

Ndërsa kapitulli 14 ka titullin “Politika e transportit” dhe fokusohet në zhvillimin e një politike të qëndrueshme të transportit në Maqedoninë e Veriut. Ky kapitull synon të përmirësojë efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e transportit në vend, përmes përdorimit të teknologjive të reja dhe të trajnimit të punonjësve të transportit. Kjo politikë e transportit do të ndihmojë në zvogëlimin e ndotjes dhe emetimit të gazeve të efektit shtëjellues, duke e bërë Maqedoninë e Veriut një vend më të qëndrueshëm dhe më të mirë për jetesë.

Përmbledhtazi, kapitujt 21 dhe 14 të Klasterit 4 të BE-së për Maqedoninë e Veriut, fokusohen dhe synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e transportit dhe të zhvillojnë një politikë të qëndrueshme të transportit në vend, në kuadër të Agjendës së gjelbër dhe ndërlidhjes së qëndrueshme për Maqedoninë e Veriut.

Përndryshe, në Klasterin 4 përfshihen edhe kapitujt 15, “Energjia, zhvillimi i energjisë së rinovueshme, efikasiteti energjetik dhe energjia e mbetur.” Si dhe 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”

Ndërkaq, nesër pritet të vazhdoj Kapitulli 21, “Rrjeti trans-evropian” së bashku me Kapitullin 15, “Energjetika”.

 

 

Të fundit