E mërkurë, 24 Prill, 2024

SATIRË: 23 MËNYRA QË TË LEHTËSOHET (MOS)NJOHJA E KOSOVËS

Të shpallet kërcënimi se, nëse nuk e njohim Kosovën, Serbia duhet të anëtarësohet në NATO, të hyjë në BE me procedurë urgjente dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë… Të shpallet pavarësia e Serbisë nga Kosova, në mënyrë që të paktën një herë shteti të mos jetë vetëm ajo që ka mbetur pas shkëputjes së dikujt…

Shkruan: Vojislav ZHANETIQ*

  1. Të paralajmërohen zgjedhje të reja, pastaj të shtyhen, me idenë se votuesit tuaj e kanë më të lehtë ta durojnë Kosovën në Kombet e Bashkuara, se sa më shumë opozitë në parlament.
  2. Të përcaktohet që vendimi për njohjen e Kosovës do të shpallet gjatë hapjes së Stadiumit Kombëtar, gjë që për shkak të madhështisë së ngrehinës do ta lehtësojë shumë pranimin e këtij vendimi.
  3. Të akuzohet ish-pushteti se është fajtor për njohjen e Kosovës, kurse të mohohet se ka qenë ndonjëherë në pushtet, nëse ekziston mundësia reale që të gjitha pushtetet e mëparshme të jenë përgjegjëse për këtë çështje.
  4. Të paralajmërohet një konflikt i madh bërthamor botëror, në të cilin do të zhduken të gjitha kombet, duke filluar nga Kombet e Bashkuara, deri tek ata që kërkojnë njohjen diku të ndonjë shteti të rremë, kështu që në parim nuk ka rëndësi që do të ketë njohje nëse nuk ka se kujt t’i referohet.
  5. Të shpallet lajmi i mirë se Kosova ka tërhequr njohjen e vetvetes, kurse nga dëshira që numri i vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën të jetë rrumbullak 100, e jo këto të papërfunduara nëntëdhjetë e kusur.
  6. Të rikujtohet se njohjen e parë të Kosovës e bëri Marko Kraleviq, me ardhjen e tij të vonuar të dytë serbe.
  7. Të publikohet lajmi se Lidl dhe Ikea janë kanosur se do të tërhiqen nga tregu ynë nëse nuk mbështesim Scholzin dhe Macronin.
  8. T’i premtohet Perëndimit se Kosova do të njihet në periudhën ndërmjet dy adresimeve të jashtëzakonshme dhe para kësaj, adresimet e jashtëzakonshme të bëhen të rregullta, duke vendosur terminin e përditshëm në orën 19:15.
  9. Të përcaktohet njohja e Kosovës për periudhën pas përfundimit të luftës në Ukrainë ose të paktën për kohën kur rusët të pushtojnë Bakhmutin. Të mendohet edhe nëse është më mirë të lidhet njohja me përfundimin e luftës në Jemen.
  10. Të shpallet se nëse nuk e njohim Kosovën, të gjithë do të duhet të vaksinohemi, me vaksinë sipas zgjedhjes sonë. Pra, çipimi nuk është i detyrueshëm, sepse nuk ka koronë prej se nuk ka as Shtab që të përkujdeset për gjyshet e gjyshërit.
  11. Të caktohet njohja e Kosovës pas datës së ndërprerjes së ndërtimit të rrokaqiejve të rinj të rinj në Beogradin mbi ujë, si dhe atij, çfarëdo qoftë ai, pranë Kalemegdanit.
  12. T’u sqarohet qytetarëve se NJKK do të thotë Njohje e Kosovës pa Kushte dhe këtë tashmë e ka bërë Al Dahra, me blerjen e PKB (Kombinatit Bujqësor të Beogradit- sqarimi i kdp), kundër së cilës askush nuk ka thënë asnjë fjalë.
  13. Të organizohet debat për njohjen e Kosovës në ndonjë reality show. Mundet edhe Kuvendi sërish, por le të kthehet ai deputeti që është i vetmi që ka një pikëpamje të drejtë për cilësinë e raportit për negociatat.
  14. Të arrestohen ultra-djathtistët radikalë që donin të kryenin një sërë atentatesh kundër ultra-djathtistëve të moderuar në mënyrë që të presin më pak në radhën për të kryer grusht-shtetindhe për të përmbysur rendin kushtetues i cili funksionon absolutisht në mënyrë perfekte.
  15. T’i dhurohet (më pas) Gazivoda dhe Trepça me rrethinën më të gjerë Republikës së Kinës, dhe këta nga Kosova le t’i pyesin boranët nëse ky është ende një territor të cilit i referohen ligjet vendore apo çfarëdo formë e sovranitetit.
  16. Të informohet Rio Tinto se në Kosovë ka shumë litium.
  17. Të premtohet rritje e pagave në shërbimin shtetëror dhe ndërmarrjet publike, si dhe rritje e pensioneve nëse ndodhë njohja e Kosovës. Rritja është 15%, sepse fjala është për 15% të territorit.
  18. Të paralajmërohet se Kosovën do ta njohë opozita, sapo të vijë në pushtet me grusht shteti që do të kryhet nga marina luftarake.
  19. Të lidhet Kosova me Serbinë me propozimin që Albin Kurti të jetë kryetar i FSS-së( Lidhjes Futbollistike të Serbisë – shpjegimi i kdp), gjë që me siguri edhe ka për të ndodhur, vetëm e vetëm që të mos jetë Nemanja Vidiq. Dhe atëherë Kosova do të kthehet në gjirin e shtetit amë, sepse do të ketë bashkëpunim më të ngushtë mes AK-së dhe AV-së në planin e çfarëdo qoftë.
  20. Të lidhet njohja e Kosovës me kursin e arsyeshëm të qëndrueshëm të euros dhe të njëjtën lartësi kamate për huamarrjet e reja të shtetit.
  21. Të shpallet kërcënimi se, nëse nuk e njohim Kosovën, Serbia duhet të anëtarësohet në NATO, të hyjë në BE me procedurë urgjente dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
  22. Të shpallet pavarësia e Serbisë nga Kosova, në mënyrë që të paktën një herë shteti të mos jetë vetëm ajo që ka mbetur pas shkëputjes së dikujt.
  23. Ky zë është këtu vetëm që të jenë 23, për vitin 2023. Në rast se njohja shtyhet për një vit, më së shumti dy, shtoni një, më së shumti dy zëra./novaekonomija.rs/

* Autori është satirik, kolumnist, skenarist dhe shkrimtar i njohur serb. Përktheu nga serbishtja: kdp.mk

 

 

 

Të fundit