E enjte, 25 Prill, 2024

PODGORICË: KËRCËNIME NË ADRESË TË PRESIDENTIT GJUKANOVIQ DHE GRUAS SË TIJ

Policia malazeze ka njoftuar të enjten se është duke hetuar kërcënimet ndaj presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe bashkëshortes së tij Lidija, të dërguara përmes rrjetit social Twitter.

“Po hetojmë kanosjet ndaj presidentit Gjukanoviq dhe gruas së tij. Jemi në kontakt me prokurorinë lidhur me veprimin për këtë rast”, ka thënë për seksionin serb të Zërit të Amerikës një burim jozyrtar nga Drejtoria e policisë malazeze.

Sikurse transmeton kdp.mk, i njëjti burim tha se dihet identiteti i personit që në llogarinë e tij në Twitter kërcënoi Gjukanoviqin dhe gruan e tij se do të “varet si Benito me të dashurën e tij Klara Petaqi”: “Do të të ndodhë ty Gjukanoviq që me Lidijën tënde të rrish vjerrë sikurse Benito me të dashurën e tij Klara Petaqi dhe atëherë ke për të parë se kë ke dashur ta mësosh të respektojë Malin e Zi. Do të agojë dita e hakmarrjes dhe e revanshizmit,”– shkruan në kërcënimin nga profili me emrin e njëfarë Boris Jankoviqit

Njoftohet, po ashtu, se krahas kreut të shtetit dhe kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kërcënime nga e njëjta llogari në Twitter i janë bërë edhe Draginja Vuksanoviq Stankoviqit që aktualisht është deputete e Partisë Socialdemokrate dhe kandidate për presidente, për të cilën raportohet se për shkak të kanosjeve të mëhershme është nën mbrojtjen 24-orëshe të policisë.

Në zgjedhjet presidenciale të 19 marsit në garë janë gjashtë kandidatë. Ekspertët e zgjedhjeve thonë se për shkak të raportit të forcave – raundi i dytë është i paevitueshëm: Në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar në Podgoricë, ku jeton një e treta e qytetarëve malazezë, asnjëra nga katër partitë më të mëdha që kanë kandiduar liderët e tyre për garën presidenciale, nuk mori as 40 për qind të votave.

Të fundit