E enjte, 2 Maj, 2024

IKJA E TË RINJVE, QUO VADIS?

Të rinjtë po ikin edhe për shkaqe të reja, ata kërkojnë një model të ri të të jetuarit, i cili padyshim nuk e përjashton edhe mundësinë për një jetë materiale më të mirë. Ndër 525 të rinjtë e anketuar, rezultoi se shumica e tyre kërkojnë të lënë vendin sepse janë në kërkim të mundësive më të mira për zhvillim profesional, edukim formal dhe joformal më cilësor, çka duket të jenë forca të reja shtytëse për ata që kërkojnë të largohen. Sot, zhvillimet në fushën e informacionit, transportit dhe komunikimit u mundësojnë njerëzve të përparojnë më shpejt, në aspektin e punësimit, arsimimit, mundësive për karrierë dhe cilësisë së jetës, e kur ato mungojnë aty ku jeton, prirja është të gjenden tjetërkund.

Shkruan: Elisabeta Bajrami Ollogu

Të jetuarit në një kohë turbullirash të vazhdueshme sociale, për të rinjtë e lindur në një vend me tranzicion të tejzgjatur, duket se ikja po kthehet në një mundësi të cilën do ta shfrytëzonin që në momentin e parë që iu ofrohet. Më pak se para një viti, me një grup kolegësh realizuam një hulumtim i cili synonte të hedhë dritë apo ofrojë një rikonceptim të faktorëve shtytës mbi ikjen e të rinjve në periudhën pas-pandemike dhe ajo çka rezultoi ishte se çdo i dyti prej 525 të rinjve të anketuar në RMV shpreheshin se do të largoheshin nga vendi në mundësinë e parë që do t’iu ofrohej. A jemi përballë një eksodi modern? Cila është e ardhmja e vendit nëse ikja kaq masive vazhdon me ritmet e këtyre viteve të fundit? Mbi të gjitha, pse ikin dhe duan të ikin të rinjtë?

PSE IKIN TË RINJTË?

Revolucioni industrial e ndryshoi përfundimisht botën ku jetojmë dhe shënoi një momentum historik përsa i përket lëvizjeve masive të njerëzve, atyre nga zonat rurale drejt zonave urbane dhe atyre nga vendet e pazhvilluara drejt vendeve industriale e të zhvilluara, duke nxjerrë në pah dy procese të reja, deruralizimin dhe urbanizimin e shoqërive evropiane. Këto procese janë zhvilluar në forma të ndryshme gjeografikisht dhe disa vende mbetën jashtë hartës së industrializimit e urbanizimit të shpejtë, çka bëri që kahja e lëvizjeve të kishte gjithmonë si drejtim kryesor për “njerëzit në lëvizje” vendet e zhvilluara. Pabarazitë e mëdha ekonomike, krizat e thella politike dhe shoqërore, demokracitë e brishta, i kanë bërë njerëzit nga vendet e pazhvilluara të kenë gjithmonë si pikësynim vendet “ku jetohet më mirë”. E në këtë drejtim, nga shekulli i 19-të e këndej, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë një rajon që ka gjeneruar “emigrantë” në mënyrë të vazhdueshme, por që faktorët shtytës kanë ndryshuar.

Të bindur se emigrimi është një fenomen shumëdimensional, duhet thënë se shkaqet e ikjes janë më komplekse se kurrë më parë për t’u analizuar. Vitet e fundit, numri i njerëzve që e kanë lënë vendin tonë ka ardhur në rritje e dëshira për ta lënë vendin edhe më tepër në rritje. Një sërë hulumtimesh të natyrës socio-ekonomike kanë bërë përpjekje për ta adresuar dhe aktualizuar në hapësirën tonë publike fenomenin e ikjes së të rinjve, të cilët janë padyshim resurs thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke qenë segment domethënës i të ashtuquajturës popullsi ekonomikisht aktive apo kontigjent i gatshëm për tregun e punës. Shkaqet klasike siç janë ikja për një jetë më të mirë dhe të sigurtë, mundësia për punësim e të ardhura më të larta, apo mundësia për një jetesë më të sigurtë në vendet e zhvilluara, mirëqenie sociale më e lartë, etj, duket se kanë filluar të ndryshojnë. Analiza të reja empirike, sidomos të karakterit kualitativ në rikonceptimin e motiveve për emigrim, nxjerrin në pah faktorë të rinj shtytës.

Periudha pas-pandemike na ka bindur se tanimë jetojmë në një botë të re e në lëvizje më shumë se kurrë, ku arsyet e këtij mobiliteti të vrullshëm nuk janë të lidhura vetëm me shkaqe ekonomike por edhe me arsye të tjera të cilat duket se janë më pak të dukshme dhe ndonjëherë më pak të artikuluara. Ka faktorë të rinj, të cilët janë të lidhur edhe me shkaqe kulturore e me proceset e urbanizimit dhe modernizimit të shoqërisë sonë dhe pavarësisht se ky modernizim jo gjithmonë ka ardhur organikisht, ai tashmë është një proces i pashmangshëm. Fakt është që familja jonë ka ndryshuar, individi i ri ka ndryshuar dhe bota e mundësive që ai kërkon i kalon kufijtë dhe mundësitë që ofron vendi ynë. Në kohëra të globalizmit, pavarësisht rezistencës që disa shoqëri bëjnë, duket se fenomeni i ri është “njerëz në lëvizje” dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as shoqëritë me ndryshim më të ngadaltë. Këto rrethana të reja si dhe të jetuarit në “kohën e informacionit masiv” duket se e amplifikojnë edhe më tepër dëshirën për të ikur pasi të parit “e botës jashtë” ofron gjithmonë një dritare shprese për të rinjtë e stagnuar në një vend me pak mundësi dhe të mbyllur në një rreth vicioz që mundëson vetëm përparim mbi baza të thella të nepotizmit, përkatësisë etnike, partiake, siç thonë ata shpesh në auditor apo gjetkë.  Të rinjtë po ikin edhe për shkaqe të reja, ata kërkojnë një model të ri të jetuari, i cili padyshim nuk e përjashton edhe mundësinë për një jetë materiale më të mirë. Ndër 525 të rinjtë e anketuar, rezultoi se shumica e tyre kërkojnë të lënë vendin sepse janë në kërkim të mundësive më të mira për zhvillim profesional, edukim formal dhe joformal më cilësor, çka duket të jenë forca të reja shtytëse për ata që kërkojnë të largohen. Sot, zhvillimet në fushën e informacionit, transportit dhe komunikimit u mundësojnë njerëzve të përparojnë më shpejt, në aspektin e punësimit, arsimimit, mundësive për karrierë dhe cilësisë së jetës, e kur ato mungojnë aty ku jeton, prirja është të gjenden tjetërkund.

A i përmbushin universitetet tona pritshmëritë e të rinjve tanë? A është tregu ynë i punës mjaftueshëm fleksibël për këta të rinj? Cilat janë politikat që duhet të adresohen? Këto janë pyetje që duhet të jenë në llupën e politikave të reja të cilat kanë për synim frenimin apo reduktimin e ikjes së të rinjve.

THEMBRA E AKILIT NË POLITIKBËRJEN BRAIN DRAIN?

Sipas klasifikimit të bërë nga “The global economy” për vitin 2022 në kuadër të indeksimit të fluksit të ikjes së njerëzve nga vendi i origjinës, krahasuar me Shqipërinë e cila kryeson ndër gjithë vendet e Rajonit (vendin e 8-të në 182 vende), Bosnje-Hercegovinën (vendin e 36-të) Maqedonia e Veriut duket se qëndronte më mirë pasi renditej në vendin e 65-të. Të rinjtë, për shkak të karakteristikave të tyre demografike janë pjesë e pashmangshme e të ashtuquajturës “ikje e trurit” – fluksit të ikjes së njerëzve me arsim dhe kualifikim. Nocioni i ikjes së trurit nënkupton transferimin ndërkombëtar të burimeve në formën e kapitalit njerëzor. Ajo çka përbën alarm në rastin e Maqedonisë së Veriut është fakti se, pavarësisht renditjes optimiste (krahasuar me disa vende tjera të Rajonit), ajo çka është shqetësuese është kurba e rritjes së treguesve “brain drain” përgjatë viteve, sidomos në 5 vitet e fundit. Në vitin 2018, treguesi i ikjes ka qenë 4.90 dhe çdo vit ka pësuar rritje, duke arritur pikë kulmore në vitin 2022 me 6.30. Vlen të sqarohet se ky indikator merr në konsideratë ndikimin ekonomik të zhvendosjes apo ikjes së njerëzve (për arsye ekonomike ose politike) dhe pasojat që kjo zhvendosje mund të ketë në zhvillimin e një vendi. Sa më i lartë të jetë treguesi, aq më e madhe është zhvendosja e njerëzve. Kësisoj, trajektorja e këtyre treguesve të viteve të fundit tregon se “politikat” tona frenuese të ikjes së trurit nuk janë duke dhënë efektin e nevojshëm dhe trendi i ikjes vazhdon të jetë në rritje. Në 5 vitet e fundit ka ardhur vetëm në rritje.

Edhe pse diskutohet shpesh, është tejet e vështirë të flasësh për politika të cilat do ta kthenin procesin e ikjes së trurit në drejtimin e kthimit të trurit mbrapsht në vend, pasi përpjekjet do duhet të ishin të karakterit multisektorial, të cilat synojnë minimalisht ndryshime të mëdha në nivel pagash dhe maksimalisht në ndryshime të mëdha të punës së institucioneve sociale të cilat në fund përmbushin nevojat për siguri të qytetarëve dhe ndikojnë direkt në mirëqenien e tyre sociale.

Krijimi i një kornizë e qëndrueshme të shkaqeve dhe pasojave të fenomenit do mund të çonte më pas në krijimin e strategjive apo dokumenteve politike të cilat i kanë në qendër nevojat e të rinjve. Kërkohen reforma në fusha të ndryshme të politikbërjes, ku imperativi i parë për politikëbërësit duhet të jenë reformat në arsimin e lartë dhe politikat aktive të punësimit të të rinjve si dy domenë të rëndësishëm të politikbërjes sociale. Këto reforma do duhej të ndikonin në ristrukturimin e tregut të punës, i cili e merr në konsideratë dimensionin “brain drain” dhe emigrimin potencial.

QUO VADIS?

Ku po shkojmë?

Shkaqet e reja të emigrimit duket se mëtojnë të analizohen më thellë se kurrë më parë pasi tregojnë se po shkojmë drejt një tkurrjeje të theksuar të popullatës, një formë depopullimi e cila kur i referohet të rinjve – duhet të përbëjë një moment reflektimi të thellë nga ana e politikbërësve. Është koha të reflektohet mbi atë se ndoshta kemi dështuar në të ndërtuarit e një shoqërie qytetare dhe demokratike të jetueshme njësoj për të gjithë dhe të rinjtë më shumë se kushdo tjetër e ndiejnë këtë realitet. Politika, akademia dhe çdo aktor tjetër që ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në politikbërje duket se ka vrarë më të rëndësishmen tek të rinjtë – shpresën për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu dhe tani. E kjo kambanë alarmi duhet të na zgjojë nga letargjia apo përpjekja për ta hedhur topin e fajit njëri-tjetrit. Të rinjtë tanë i përkasin këtij vendi dhe ardhmëria e këtij vendi iu përket atyre, andaj le ta marrim secili peshën e fajit dhe të adresojmë politika të reja, të cilat i vijnë për shtat këtij konteksti, kësaj shoqërie e kulture dhe kësaj strukture demografike.

Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autores.

Të fundit