E diel, 5 Maj, 2024

BUKËPJEKËSIT NDËRPRESIN FURNIZIMIN, RAFTET E DYQANEVE MBETËN PA BUKË

Shitoret dhe marketet më të mëdha kanë bërë të ditur se fare nuk janë furnizuar me bukë, ndërsa aty mund të gjesh vetëm bukë me çmime më të larta, respektivisht nga ato lloje për të cilat nuk vlen ngrirja e çmimit. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se ata kontrollojnë vetëm nëse respektohet çmimi 33 denarë dhe a peshon buka 450 gramë. Nga inspektorati gjithashtu theksojnë se nuk kanë kompetencë për të verifikuar se ku mungon furnizimi me bukë. Furrtarët nga ana tjetër theksojnë se po respektojnë vendimin e tyre dhe ky vendim do të jetë në fuqi deri sa të mos ketë më ngrirje të çmimit.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Nga sot çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë është ngrirë në 33 denarë. Por, me këtë vendim nuk janë pajtuar prodhuesit e bukës dhe ashtu siç kishin paralajmëruar sot nuk furnizuan dyqanet me këtë lloj buke. Në raftet e dyqaneve mund të gjesh lloje të tjera të bukëve me çmime më të larta.

Nga shitoret dhe marketet më të mëdha në qendër të Shkupit thonë se fare nuk janë furnizuar me bukë, ndërsa aty mund të gjesh vetëm bukë me çmime më të larta, respektivisht nga ato lloje për të cilat nuk vlen ngrirja e çmimit. Bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë me çmim 33 denarë nuk po gatuajnë as disa furra.

Inspektorët dolën në terren për të mbikëqyrë vendimin e qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës. Nga Inspektoriati Shetëror i Tregut thonë se ata do të kontrollojnë vetëm se a respektohet çmimi 33 denarë dhe buka e njëjta a peshon 450 gramë. Por, ata nuk kanë kompetencë për të verifikuar se ku mungon furnizimi i produktit bazë. Ata thonë se në varësi të asaj që do të përcaktohet në terren, do të merret një vendim se si të veprojnë më tej dhe nëse do të ketë dënime për ata që nuk e respektojnë vendimin.

“Mbi 150 inspektorë këtë mëngjes kanë qenë në terren dhe kryen kontrolle në tregje dhe furra buke. Ata kontrolluan se vendimi i qeverisë për të ngrirë çmimin e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë po respektohet dhe nëse shitet për 33 denarë. Inspektorët gjithashtu do të kontrollojnë se cilat tregje nuk kanë marrë bukë për shkak të kërcënimeve të shpallura nga prodhuesit se ata nuk do të japin bukën e bardhë dhe gjzsmë të bardhë nëse qeveria ngrin çmimin”, thonë nga Inspektoriati Shtetëror i Tregut.

Përfaqësuesit e furrtareve theksojnë se ata do të respektojnë vendimin që morën të hënën, se nuk do të prodhojnë dhe të furnizojnë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë në raftet e shitoreve. Ata thonë se këtë vendim do ta mbajnë deri sa te zgjatë ngrirja e çmimeve, përkatësisht deri më 31 maj.

“Bukëpjekësit thjesht e respektojnë vendimin e tyre. Vendimi u mor të hënën dhe nuk ka asnjë ndryshim në vendim. Edhe një herë do të përsërisim, fakti që nuk ka bukë në raftet në tregje do të thotë që furrëtarët respektojnë vendimin e tyre që hyri në fuqi prej mbrëmë, dhe nuk është faji ynë për këtë situatë”, theksojnë nga Sektori i furrtarëve në Odën Ekonomike.

Ndryshe, për shkak se subvencionimi i kompanive ushqimore nuk i dha rezultatet e pritura, përkatësisht kompanitë nuk i ulën çmimet, dje Qeveria vendosi ta shfuqizojë masën për subvencionim të rrymës. Ministri i ekonomisë tregoi se nga muaji prill do të subvencionohen qytetarët, gjegjësisht do të ketë masa të reja me të cilat qytetarët do të ndihmohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

Të fundit