E hënë, 6 Maj, 2024

LUFTA ‘’TREDITORE PËR PUSHTIMIN E KIEVIT’’ SOT MBUSH NJË VIT TË PLOTË

Bashkimi Evropian po konsolidohet dhe kohezinoni i brendshëm jo vetëm që nuk është lëkundur por është rritur brenda tij, dhe që është edhe më e rëndësishme ka ndërmarrë hapa radikal në çlirimin nga varshmëria prej gazit rus, arma kryesore në duart e Putinit për të blerë qetësinë e tij nga vendet anëtare të BE-së. Vendet demokratike, sidomos ekonomitë më të mëdha si G7 janë unanimisht të përcaktuara për të mbështetur Ukrainën me çkado sado që është e nevojshme për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e vet territorial. Ëndrra e Putinit për t’u bërë Cari i ri i Rusisë, po varroset në Ukrainë dhe për botën demokratike po rilind si një lulediell plot shpresë për të ardhmen.  

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Lufta ‘’tri ditore për pushtimin e Kievit’’ e nisur nga Putini sot mbushi 1 vit të plotë dhe ky vit do të ngelet përgjithmonë në historinë e njerëzimit si vit i ndryshimeve të mëdha. Në pamje të parë, dhe në logjikën e konflikteve të kaluara, kjo luftë do të ishte si gjithë të tjerat, lokale dhe me deklarata e përpjekje diplomatike për ta zgjidhur konfliktin. Por ndryshe nga luftërat tjera ky konflikt paraqet kulminacionin e një konflikti të ngirë mes demokracisë dhe autoritarizmit që ka më tepër se një dekadë përballje hibride gjithandej globit. Për të arritur deri tek ky kulminacion, regjimi i Putinit ka punuar në vazhdimësi përmes mjeteve e mënyrave të ndryshme për të krijuar terrenin dhe arsyet e nevojshme për justifikimin e këtij pushtimi. Duke filluar me konfliktin dhe pushtimin e pjesërishëm të Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe pushtimin e Krimesë dhe një pjese të territorit të Ukrainës në vitin 2014 Rusia hasi në një reagim relativisht të butë ndërkombëtar që e trimëroi dhe i dha vullnet për t’u lëshuar në një pushtim të plotë të Ukrainës. Lufta hibride përmes kampanjave dezinformuese, propagandës ndërkombëtare për mohimin e ekzistencës së kombit ukrainas, ‘’luftën kundër nacizmit ukrainas’’, thirrja në të drejtën historike mbi këto territore dhe ‘’gjenocidi’’ mbi minoritetin ruso-folës ishin baza mbi të cilën u planifikua arsyetimi i asaj që do të quhej ‘’operacioni special ushtarak’’, e që në fakt kishte për qëllim që pas pushtimit të Kievit dhe rrënimit të qeverisë së zgjedhur demokratike të instaloj një pushtet kuisling që do luante sipas notave të Kremlinit.

Por ndryshe nga pritshmëria, dhe shumë më ndryshe nga përvoja paraprake me pushtimin e pjesërishëm, përgjigja ushtarake e Ukrainës në vetëmbrojtje, por për më tepër përgjigja ndërkombëtare e vendeve demokratike, ishte një surprizë e hidhur për Putinin. I mbyllur në kullën e fildishtë dhe i rrethuar nga vartës të dëgjueshëm dhe afirmativ ndaj çdo propozimi të tij, të interesuar vetëm për komoditetin e krijuar nga korrupsioni i skajshëm, presidenti rus bëri kalkulime të gabueshme, e mbi të gjitha se ukrainasit do t’i presin ushtarët rus krahëhapur, me lule dhe pa rezistencë të theksuar. Dëshmia më e mirë për këtë kalkulim të gabuar janë fjalët e presidentit Zelenski në orët e para të invazionit kur iu ofrua evakuim nga Kievi i cili aleatëve të tij u dha përgjigjen: ‘’Nuk më duhet transport, më siguroni armatim’’. Dhe sot pas një viti të plotë, në historinë moderne nuk ka ndonjë shembull tjetër të përafërt për vendosmërinë dhe guximin e popullit ukrainas për t’iu kundërvënë ‘’fuqisë së dytë ushtarake’’ në Botë, e pasijur me dhejtëra mijëra tankse, autoblinda, artileri me rreze të shkurtër e të gjatë, luftanije me raketa balistike, dhjetëra mijëra aeroplanë e helikopterë, mjete transportuese, armë bërthamore, mbi 1 milion e gjysmë ushtarë të rregullt e me ushtri private të mercenarëve. Në krahasim me kapacitet e ushtrisë Ukrainase kjo është larg çdo baraspeshe në fushën e betejës, por faktori i dytë që është përcaktues në një luftë konvencionale është vullneti i ushtarëve dhe popullatës civile për të luftuar, e këtu ukrainasit janë superior sepse lufta e tyre është e thjeshtë: për ekzistencë.

Në vitin e parë, kjo luftë ka prodhuar mjaft mjerim dhe sot në kontinentin e Evropës ka me qindra mijëra njerëz të vdekur si pasoj e luftimeve. Të paktën 200,000 ushtarë kanë humbur jetën ose janë plagosur nga të dyja palët dhe vetëm për një vit Komisioni për të Drejtat e Njeriut në OKB ka vërtetur dhe regjistruar mbi 8,000 viktima civile – mes tyre 487 fëmijë, ndërkaq sipas të dhënave nga qeveria ukrainase jetën e kanë humbur mbi 40,000 civil. Në muajt e parë por edhe më vonë gjatë këtij viti u regjistruan edhe masakra si ajo e Buçës dhe krime tjera të luftës si keqtrajtime të civilëve dhe të robërve të  luftës, përdhunime dhe likuidime. Dëmi në infrastrukturën civile dhe publike tejkalon mbi 150 miliardë euro, një shumë kjo e konsiderueshme por e papërfillshme për traumën dhe humbjet njerëzore.

Ajo që bëri diferencën në këtë luftë është mbështetja dhe reagimi ndërkombëtar i vendeve demokratike nën udhëheqjen e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, të cilat duke njohur mirë ambiciet imperialiste të Putinit nuk qëndruan indiferente por që para konfliktit nisën me furnizimin dhe trajnimin e ushtrisë ukrainase me armatim modern, i cili deri në këto momente bashkë me ndihmën humanitare kap vlerën e mbi 100 miliardë dollarëve. Një moment tjetër mjaft i rëndësishëm ishte edhe demaskimi i planeve të pushtimit rus nga vetë Presidenti Bajden, i cili në përpjekje për të parandaluar apo për të subverzuar planin rus ndau me gjithë globin informatat e inteligjencës amerikane, të cilat ishin të detajuara deri në data të përafërta të nisjes së pushtimit.

Ndonëse lufta në këtë moment nuk ka në dukje një fund të qartë dhe agresioni i paprovokuar rus vazhdon mbi territorin e Ukrainës, ky konflikt u kthye si bumerang ndaj ambicieve dhe planeve të Putinit dhe Kremlinit. Ukraina dhe ukrainasit asnjëherë më nuk do të jenë aleat apo të afërt me Moskën, kjo lidhje është shkëputur përgjithmonë nga vuajta dhe humbjet e njerëzve në këtë shtet. NATO-ja si aleanca e kundërpeshës ushtarake ndaj Rusisë, kurrë nuk ka qenë më e unifikuar, energjike dhe në shtrije të re drejt Suedisë dhe Norvegjisë, dy shtete me neutralitet ushtarak që deri para 1 viti ishin shumë larg ambicieve dhe dëshirës për tu anëtarësuar formalisht në Aleancën Veri-Atlantike. Bashkimi Evropian po konsolidohet dhe kohezinoni i brendshëm jo vetëm që nuk është lëkundur por është rritur brenda tij, dhe që është edhe më e rëndësishme ka ndërmarrë hapa radikal në çlirimin nga varshmëria prej gazit rus, arma kryesore në duart e Putinit për të blerë qetësinë e tij nga vendet anëtare të BE-së. Vendet demokratike, sidomos ekonomitë më të mëdha si G7 janë unanimisht të përcaktuara për të mbështetur Ukrainën me çkado sado që është e nevojshme për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e vet territorial. Ëndrra e Putinit për t’u bërë Cari i ri i Rusisë, po varroset në Ukrainë dhe për botën demokratike po rilind si një lulediell plot shpresë për të ardhmen.

Të fundit