E mërkurë, 24 Prill, 2024

GJASHTË HIDROCENTRALE PËR RRITJEN E PRODHIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE

Shkruan: Enis Shaqiri

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi 36.2 milionë euro për realizimin e investimit të ri në sektorin energjetik, me ç’rast pritet funksionimi i mëtejshëm i gjashtë hidrocentraleve. Mjetet janë siguruar me hua në vlerë prej 25 milionë eurove nga Banka Zhvillimore KfV, 11.2 milionë euro nga granti i BE-së nga WBIF-ja dhe 0.2 milionë euro nga Qeveria e Gjermanisë.

Investimi do të realizohet gjatë dy viteve të ardhshme, ku do të përfshijë rivitalizimin e gjashtë hidrocentraleve të mëdha (HEC Vrutok, HEC Vërben, HEC Raven, HEC Tikvesh, HEC Shpilje dhe HEC Gllaboçica që sigurojnë midis 20% dhe 30% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend.) Me këtë investim, fuqia e tyre e instaluar do të rritet për 13.5 MW shtesë, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike do të rritet për rreth 47.5 GWh në nivel vjetor.

Për realizimin e këtij investimi, sot në Shkup u nënshkruan: “Marrëveshja e huasë ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV dhe SHA EMV – Shkup, Marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV, Marrëveshja e veçantë ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV dhe SHA EMV – Shkup dhe Marrëveshja e grantit WBIF ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV dhe SHA EMV – Shkup”,

Marrëveshja e garancisë u nënshkrua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i Sektorit të Energjisë dhe Mobilitetit në EJL dhe Turqi në KfV, Pablo Obrador Alvarez, ndërsa marrëveshjet e tjera u nënshkruan nga drejtori i Sektorit të Energjisë dhe Mobilitetit në EJL dhe Turqi në KfV Pablo Obrador Alvarez dhe drejtori i EMV-së, Vasko Kovacevski. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve morën pjesë: euroambasadori, David Geer dhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të RF të Gjermanisë në vend, Otto Graf.

Këto marrëveshje mundësojnë realizimin e investimit në vlerë prej 36.2 milionë eurove, që RMV-ja do ta realizojë me përkrahje të partnerëve tanë, me të cilët bëjmë hapa të rëndësishme drejt sigurimit të pavarësisë energjetike, duke investuar në burimet e energjisë së ripërtëritshme. Investimet në sektorin e energjetikës, si dhe në infrastrukturë janë një prej prioriteteve tona në program. Ato i referohen investimit në zhvillimin tonë, konkurrencën më të madhe të ekonomisë, standardin më të lartë të jetesës, përmirësimin e cilësisë së jetesës, si dhe investimit në të ardhmen. Prandaj, edhe në buxhetin e këtij viti parashihen mjete financiare në vlerë prej 800 milionë eurove për projekte kapitale, ku dominojnë projektet infrastrukturore dhe ato energjetike”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve.

Sipas Obrador Alvarez, marrëveshjet e nënshkruara sot janë pjesë e impenjimeve të Gjermanisë në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe pakos energjetike të BE-së për përkrahjen e tranzicionit të gjelbër të sektorit energjetik në vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6).

Ndërkaq euroambasadori David Geer, theksoi se kyçe për RMV-në janë investimet në energjinë e gjelbër, ku do të kontribuohet për përmirësimin afatgjatë të sigurisë energjetike, si dhe impenjimet e saj në lidhje me ndryshimet klimatike.

Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me pushtetet nacionale, sektorin privat dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të përparojë në zbatimin e axhendës së gjelbër, e cila në fakt është prioritet për të gjithë ne”, tha euroambasadori Geer.

Ndërsa u.d. ambasadori Graf shtoi se “Gjermania dhe BE-ja përkrahin Maqedoninë e Veriut, me qëllim të rritjes së sigurisë energjetike, drejt së cilit synojmë të gjithë. Kredia e re e KfV-së (Banka Gjermane Zhvillimore) do të mundësojë rehabilitimin e hidrocentraleve dhe do të kontribuojë në përforcimin e kapaciteteve të EMV-së për prodhimin e energjisë së ripërtërishme. Ky është shembull i shkëlqyer se si dy qeveritë tona po bashkëpunojnë me qëllim të sigurimit të disponueshmërisë energjetike me çmime të arsyeshme

Kovaçevski, drejtori i përgjithshëm i EMV-së, vlerësoi se faza e tretë e rivitalizimit të gjashtë hidrocentraleve të mëdha ka rëndësi shumë të madhe, sepse me zëvendësimin e pajisjeve të vjetëruara dhe të amortizuara do të reduktohet koha e ndërprerjes së tyre për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar dhe të paplanifikuar, që nënkupton disponueshmëri të impianteve për 100% në nivel vjetor, pas përfundimit të projektit.

Të fundit