E shtunë, 20 Prill, 2024

E ARDHMJA E ‘’HAPËSIRËS PUBLIKE’’, 30 VJET MË VONË

Shkruan Dr. Abdulah Ahmedi

Sot ne observojmë vendet evropiane që janë në një transformim të plotë. Shoqëritë e tyre janë në fund të frymëmarrjes së tyre. Hapësira publike politike investohet gjithnjë e më shumë nga pushteti i shtetit social, dhe nga ana tjetër, shoqëria civile lufton për t’u identifikuar në një shoqëri demokratike. Kështu nën këtë optik përballë hapësirës publike demokratike që gjendet në krizë në kontinentin e vjetër, lexo Evropën lindore, ne nuk heshtim  duke shtruar pyetjen ç’do ditë  çfarë të bëjmë apo cila është baza nga e cila duhet të fillojmë ta bëjmë hapësirën publike politike të aksesueshme për të gjithë?

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetje, më duhet të bëjë një hap prapa, 30 vjet më vonë, për t’u kthyer në vitet 1990, pas rënies së regjimit komunist në vendet e Evropës lindore (lexo vendet e Ballkanit, BRSS). Në atë kohë, ne ishim dëshmitarë të një shoqërie evropiane që synonte të jetë gjithnjë e më shumë demokratike, e lirë, e begatëshme, e bashkuar e solidare. Pas tridhjetë vitësh, do të thosha, të lavdishme, tani gjendemi përballë një sfide që po e përçan shoqërinë tonë, përkatësisht hapësira publike është monopolizuar nga pushteti legjitim i shtetit social në vendet e Evropës lindore!

Më duhet të them 30 vjet më vonë, e ardhmja e hapësirës publike politike është  në krizë, e cila thuajse është marrë plotësisht nga pushteti i shtetit social, dhe nga ana tjetër përdorimi manipulues i mediave në krijimin e masave të besushme të cilët ndjekin  kërkesat e tyre të parashtruara nga ata dhe egzagjerimi i nënshtrimit të tyre ndaj imperativave sistematike të pushtetit.

Si pasoj lind pyetja sa i takon bazës së burimeve të një formimi informal të opinioneve brenda hapësirave publike politike. Duke ditur se një hapësirë ​​publike që funksionon politikisht nuk ka nevojë vetëm për garancitë e ofruara nga institucionet e shtetit ligjor, por varet edhe nga mbështetja e një kulture politike specifike për një popullsi të mësuar me lirinë e veprimit. Për më tepër, një kulturë politike liberale e ushqyer me motive dhe orientime normative është padyshim terren pjellor për komunikime spontane publike. Nga ky fakt, për të mos lejuar që hapësira publike politike të pushtohet nga pushteti i shtetit social, do të jetë e nevojshme që bërthama institucionale të shoqërisë civile të konstituohet, jashtë sferës së shtetit, nga të gjitha grupet, përkatësisht shoqatat kulturore, shtëpitë e kultit, mediat e pavarura, shoqatat sportive dhe të kohës së lirë, klubet debatuese, forumet dhe iniciativat qytetare, klubet intelektuale dhe akademike, organizatat profesionale, sindikatat e deri tek institucionet alternative, që shoqëria civile të marrë  në duar të veta rolin e saj.

Detyrat e këtyre organizmave janë të kontribuojnë në formimin e opinionit publik politik. Prandaj, këto organizma nuk duhet  t’i përkasin sistemit administrativ si partitë politike të kontrolluara fuqishëm nga shteti, por megjithatë ato duhet të synojnë efektet politike nëpërmjet ndikimit publik me një kontribut implicit në debatet publike.

Nga ana e botës elektronike, sot kemi mungesë kufijsh në rrjetet sociale, gjë që çon në afrime goditëse, si dhe vështirësi për të mbajtur në distancë vende të ndryshme të veçanta apo sferat e veçanta publike politike në shoqëritë e konektuara. Ekziston një tendencë që të gjithë të përzihen në punët e të gjithëve, gjë që do të ketë pasoja të mëdha për mbrojtjen e hapësirës publike politike, e cila shkon paralelisht me pafuqinë përballë kompleksitetit dhe paqartësisë së sistemeve të rrjeteve sociale. Ndoshta ky shkrim është një vlerësim, in initio, më pak pesimist dhe paraqet, in medio, një këndvështrim më pak trishtues dhe , in fine, është thjesht hipotetik.

Të fundit