E diel, 5 Maj, 2024

MOSBESIMI NDAJ GJYQËSORIT, SI TË ARRIHET TE NJË MODEL FUNKSIONAL I DREJTËSISË?

Sipas sondazheve më të fundit shënohet një rënie drastike e besimit të qytetarëve në gjyqësorin. Profesori universitar Bashkim Selmani thekson se krimi dhe korrupsioni e kanë gëlltitur Prokurorinë Speciale dhe njëkohësisht e kanë shuar besueshmërinë e qytetareve ndaj gjyqësorit. Sipas tij, e vetmja rrugë për të shpëtuar gjyqësorin në RMV është zgjedhja e një prokurori apo gjykatësi ndërkombëtar që do të hetonte këto situata të rënda gjyqësore. “Nuk mund të kemi gjyqësor të pavarur kur po i njëjti gjyqësor varet nga buxheti qeveritar”, thekson Selmani. Ai zgjidhjen e sheh tek buxheti i pavarur për gjyqësorin në mënyrë që përzgjedhjet të jenë jo politike.  

Shkruan: Puhiza Osmani

Në anketën më të fundit të “Eurothink” për besueshmërinë e qytetarëve në institucionet shtetërore, rezultatet e besueshmërisë ndaj gjyqësorit kanë shënuar rënie të dukshme për dallim nga dy vitet e kaluara. Këtë vit besueshmëria e qytetarëve ndaj gjyqësorit ka rënë në 6 për qind.

Gjithashtu kjo rënie e besueshmërisë së qytetarëve është evidente edhe në rezultatet e sondazhit kombëtar të Maqedonisë së Veriut nga IRI, ku rreth 52 për qind e qytetarëve nuk besojnë aspak në sistemin e drejtësisë.

Profesori i Fakultetit të Drejtësisë, Bashkim Selmani, thotë se besueshmëria e qytetarëve tek gjyqësori përbënë komponentën bazë të funksionimit të shtetit dhe të së drejtës, ndërkaq të gjitha investimet që janë bërë nga faktori ndërkombëtar në përmirësimin dhe funksionimin e gjyqësorit kanë rezultuar të padobishme. Sipas tij, e vetmja zgjidhje do të ishte të merrej një prokuror ose gjykatës ndërkombëtar që do të hetonin këto situata të rënda gjyqësore dhe të zbatohej ligji për të gjithë ata që kanë kryer apo dyshohen për vepra kriminale institucionale.

“Sikur vitet paraprake edhe vitin e kaluar ka vazhduar procesi i erozionit të dinjitetit të gjyqësorit në RMV. Si pushtet i tretë i pavarur, jo vetëm që nuk ka bërë hapa të qartë përpara në drejtim të pavarësisë dhe paanshmërisë, përkundrazi ka zhvendosje përkeqësuese. Këto të dhëna i vertetojnë edhe qytetarët edhe faktori ndërkombëtar dhe Komiteti i Helsinkut në raportin vjetor të vitit 2023, ku nuk ka ardhur deri te një zhvendosje pozitive në fushën e promovimit dhe mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ka indicje në kufizimin e të drejtave të njeriut për një trend retrogad në lidhje me vitin paraprak 2022. Po ashtu edhe tek anketa e fundit e Eurothinkut rreth 6 deri në 7 për qind e qytetarëve besojn tek gjyqësori, por tek kjo kategori bëjnë pjesë qytetarë të afërm të familjarëve të punonjësve gjyqësor dhe atyre partiake.

Nga ana tjeter, i gjithë investimet që është bërë nga faktori ndërkombëtar në përmirësimin dhe funksionimin e gjyqësorit ka rezultuar i dështuar dhe më habit fakti pse këta nuk kërkojnë llogari për investimet e dështuara në gjyqësor”, thotë Selmani.

Selmani thotë se nga ky prizëm argumentues krimi dhe korrupsioni e gëlltiti dhe e shuajti Prokurorinë speciale dhe njëkohësishtë shuajti edhe besueshmërine e qytetarëve si ndaj gjyqësorit, poashtu edhe ndaj qeverisë, ndaj Prokurorisë dhe institucioneve të thirrura për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Njëkohësisht e nxorri jasht funksionit edhe shtetin e së drejtës. E vetmja rrugë për të shpëtuar gjyqësorin në RMV është zgjidhja e një prokurori apo gjykatësi ndërkombëtar që do të hetonin këto situata të rënda gjyqësore dhe nuk do të kishte të paprekur për të gjithë ata që kanë kryer apo dyshohen për vepra kriminale institucionale. Siç veproi BE-ja me Bullgarinë, Hungarinë dhe Rumaninë.

Nuk mund të kemi gjyqësor të pavarur kur po i njëjti gjyqësor varet nga buxheti qeveritar. Po ashtu si një nga mjetet preventuese gjyqësori në RMV duhet të ketë buxhet të pavarur për të funksionur dhe për përzgjdhje jo-politike”, thotë Selmani.

 

 

Të fundit