E enjte, 25 Prill, 2024

ÇDO RRUGËTIM, SADO I GJATË TË JETË, KA NJË MBARIM

Shkruan: Naser Nuredini 

Tre vjet e gjysmë në detyrën e ministrit me mision përplot sfida institucionale, familjare dhe personale. Përgjatë gjithë kohës një gjë e kisha brengë, kurdo që të përmbyllet udhëtimi im të arrijë të dal faqebardhë. Personalisht dhe familjarisht sakrifikova shumë. Vetëm pas 6 muajsh në shërbim u ballafaquam me krizën e pandemisë dhe më pas gjithë kohës veprova i ,”mësuar,” në krizë.

Në fillim të mandatit sektori që mu besua ta drejtojë kishte potencial minimal me nevoja dhe pritshmëri maksimale. Buxhetin e ,”gjeta” me 7 milionë Euro dhe po e lë me një portfolio reth 300 milionë Euro. Jorastësisht ky sektor, dikur margjinal e i padëshiruar, sot u bë atraktiv.

Jam munduar maksimalisht, përplot bindje dhe qëllime të pastra t’u shërbej qytetarëve pa dallime partiake, etnike dhe hapsire, gjithnjë duke u bazuar në kuptimin e misionit të qënit ministër-shërbetor i qytetarëve. Sa i’a kam dalë do tregojë koha dhe vetë qytetarët.

Që në fillim nga lideri i partisë z.Ahmeti, kisha një kërkesë të vetme dhe atë të më jep hapësirë të zbatoj mënyrën dhe metodologjitë e mia të menaxhimit të përvetësuara nga përvoja ime paraprake. Jam mirënjohës për fjalën e mbajtur për gjithë kohën që kam qenë në shërbim. Mbase ai ka kërkuar nga të gjitha strukturat të më përkrahin. Thjeshtë, përpos ndonjë ngatërrese personale momentale, nga të gjithë kolegët (jo vetëm të subjektit që përfaqësoja) dhe nga strukturat tjera kam pasur mbështetje korrekte. Njëkohësisht falenderoj të dy kryeministrat me të cilët kam punuar për këtë periudhë dhe më kanë mbështetur.

Falenderoj kabinetin tim dhe gjithë bashkëpunëtorët në ministri për kondicionin, përkushtimin dhe profesionalizmin e dëshmuar për këtë periudhë. E di që nuk e kanë pasur aq lehtë të punojnë me mua me një kulturë perëndimore të punës. Për çfardo lëshimi pa qëllim që mund të kem bërë në këto marrëdhënie ndërpersonale, ju kërkoj falje.

Një falenderim i veçantë shkon për bashkësinë ndërkombëtare, të gjithë Ambasadorët me të cilët shumë ngusht kam bashkëpunuar dhe më kanë mbështetur pa rezervë si në gjenerimin e fondeve dhe granteve ashtu edhe në hartimin e politikave për ambientin jetësor.

Në një raport të veçantë në format llogaridhënie do i përcjell subjektit për të gjitha aktivitetet, veprimet, projektet e realizuara e ato në proces përgjatë gjithë periudhës së udhëheqjes sime, që më pas vetë të vlerësoj për ta publikuar në funksion të përmbushjes së premtimit për transparencë të plotë ndaj të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm antarsisë.

Në fund, apeloj deri tek Institucionet përgjegjëse, posaçërisht atë të Revizionit Shtetëror që sa më parë të auditojë në detaje gjitha veprimet e mia dhe të sektorit që udhëhoqa që nga dita e parë, me shpresë që edhe kjo të bëhet publike.
Shpresoj që me këto veprime dhe sjellje politike sadopak të kem kontribuar në krijimin e shprehive dhe modeleve për një qeverisje sa më të mirë për të cilën kemi shumë nevojë.

I bëj thirrje ministrit të ardhshëm që të vazhdojë aty ku kemi mbetur dhe të përfundojë proceset e filluara, dhe ato janë të shumta, në interes të arritjes së synimeve të përcaktuara të Agjendës së Gjelbër, arritjes së standardeve evropiane dhe objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Marrë nga profili i autorit në Facebook 

 

Të fundit