E enjte, 2 Maj, 2024

TË VLERËSOSH REALISHT ROLIN E AMBASADORËVE

Shërbimi diplomatik në tërësi, sikurse njihet, është një pasuri e vërtetë kombëtare. Në këtë kuadër, roli i ambasadorëve nuk është dosido. Kurrsesi nuk duam ta mitizojmë këtë rol. Ai është përfaqësuesi më i lartë i shtetit tonë në vendet ku është i akredituar, zëri i Shqipërisë, njeriu që koordinon tërë veprimtarinë në fusha të ndryshme për të mbajtur gjallë dhe forcuar marrëdhëniet dypalëshe apo shumëpalëshe, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.

Shkruan: Leonidha MËRTIRI

Nuk është hera e parë që ndalemi në këtë problematikë, e cila ka qenë e pranishme në vitet e mëparshme dhe që tentakulat e saj shfaqen në forma të ndryshme. Nga ana tjetër, i nxitur nga ushtrimi i detyrës së diplomatit përreth tri dekada, po i kthehem kësaj teme, me dëshirën që ato të mos përsëriten ndaj kolegëve të tjerë apo te më të rinjtë, duke i rënduar gjithashtu shërbimit tonë diplomatik. Më konkretisht, po shpreh disa mendime rreth një interesimi më realist ndaj rolit të ambasadorëve tanë, këtij shërbimi në përgjithësi në përballimin e sfidave, me të cilat vendi ndeshet aktualisht.

Shërbimi diplomatik në tërësi, sikurse njihet, është një pasuri e vërtetë kombëtare. Në këtë kuadër, roli i ambasadorëve nuk është dosido. Kurrsesi nuk duam ta mitizojmë këtë rol. Ai është përfaqësuesi më i lartë i shtetit tonë në vendet ku është i akredituar, zëri i Shqipërisë, njeriu që koordinon tërë veprimtarinë në fusha të ndryshme për të mbajtur gjallë dhe forcuar marrëdhëniet dypalëshe apo shumëpalëshe, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. Ndaj dhe diplomati dhe historiani i njohur amerikan George F. Kenan, figurë e shquar e Departamentit të Shtetit, duke e parë diplomacinë diletante si një të keqe jo të vogël, këmbëngulte me të drejtë tjetërkund: Që në ndërtimin e politikës së jashtme “të përdoren më mirë parimet e profesionalizmit, për të krijuar një trupë profesionistësh superior ndaj gjithçkaje që ekziston ose që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë fushë”.

Por, nëse nepotizmi politik bëhet, sipas shprehjes frazeologjike, “ferra Brahim”, sikurse ka ndodhur sidomos në vitet e mëparshme duke qenë më e pranishme, veshur me cohën e “bindjeve alla komuniste”, për shkak të gjykimit “këta janë tanët” dhe këta janë “të atyre”, dihet se ç’produkt do të ketë paskëtaj. Dhe “ferrat” do të vazhdonin nëpër këmbë rrugëve të rotacioneve politike përmes formash të çuditshme të depersonalizimit të ambasadorëve:

Së pari, pas kthimit “të atyre” arrihej deri në mosbegenisjen për t’u pritur në zyrë nga ministri.

Së dyti, si për sadaka, sikurse ka ndodhur për fat të keq dhe gjatë viteve të fundit, këtyre ambasadorëve u ofrohet vendi i specialistit të thjeshtë për vende më pak të rëndësishme. Madje, trembëdhjetë vite më parë, të më falë lexuesi që po i sjell sërish të njëjtin shembull për ambasadorin e shquar, të ndjerin Petrit Bushati, kryediplomatin në disa ambasada të Shqipërisë në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës. Hakmarrja ndaj qeverisjes së mëparshme do t’i rezervonte Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Beograd, të por sakthyer, vendin e specialistit për Serbinë(!). O tempora, o mores! Veçanërisht, kolegët e mi diplomatë, e kanë të qartë ç’do të thotë kjo.

Së treti, kjo mospërfillje ndaj ambasadorëve të karrierës, me përvojë të admirueshme bën që mjaft prej tyre, pas përfundimit të mandatit, të rrinë vite të tëra si specialistë në ministri, pa i shkuar kurrkujt në mendje këto kapacitete intelektuale, veprimtaria e gjallë në dobi të interesave të vendit dhe investimi që shteti ka bërë në vite për ta.

Së katërti, këto qëndrime shkojnë deri aty sa ambasada tona të rëndësishme rrinë me vite pa ambasadorë. Në Vatikan Shqipëria vazhdon të përfaqësohet prej kohësh me Të Ngarkuar me Punë, si të kishim nivel të ulët të marrëdhënieve. E njëjta gjë në shtetin e Katarit. Në këtë të fundit, edhe pse si i Ngarkuar me Punë u dërgua një ambasador i njohur, me karrierë të suksesshme diplomatike, habitshëm, u la në këtë nivel përmbi tre vjet(!).

Këtu, pa dyshim, nuk është fjala për ata diplomatë dhe aq më tepër për ambasadorë që, megjithëse duhet të jenë të departizuar dhe të depolitizuar, bëhen zëdhënës të kësaj apo asaj partie politike, ku programi i qeverisë që përfaqësojnë është udhërrëfyesi i vetëm në punën dhe tërë veprimtarinë e ambasadës. Kjo nuk u përket vetëm diplomatëve të karrierës, por dhe atyre ambasadorëve që vinë nga politika, të cilët sipas Ligjit të Shërbimit të Jashtëm zënë 20 për qind. Të qenët ambasador, pa nënvleftësuar dhe detyrat e tjera, është privilegj dhe të shton përgjegjësinë ndaj vendit, popullit tënd.

Mendoj se bëhet e ngutshme një qasje e re për sa folëm më lart, sidomos tani kur mjaft titullarë të përfaqësive diplomatike pritet të lëvizin pas “ngujimit” prej shumë vitesh në të njëjtën përfaqësi nga tre vite qëndrimi që parashihet në Ligj apo që kanë kaluar me vite moshën e pensionit. Kështu, nuk mund të mos merret në konsideratë dhe të zhvleftësohet karriera diplomatike e disa ambasadorëve, integriteti, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre, si: Spiro Koçi, Genc Muça, Valter Ibrahimi, Ruhi Hado, Adrian Neritani. Aq më keq, t’i lësh ata jashtë sistemit të Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, që në detyrën e kryediplomatit në ambasada apo në struktura drejtuese të kësaj Ministrie, kanë përfaqësuar me dinjitet shtetin shqiptar, me impaktin në zgjerimin e marrëdhënieve me vendet ku kanë qenë të akredituar apo në organizatat ndërkombëtare.

Politizimi, nepotizmi dhe izma të tjera vetëm e bëjnë inaktive diplomacinë, duke i krijuar shtrat të ngrohtë diletantizmit diplomatik dhe për rrjedhojë, zbehin imazhin e vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare./PANORAMA/

Të fundit