E premte, 19 Prill, 2024

RRITET EKSPORTI I MALLRAVE: BE-JA DHE GJERMANIA – OKSIGJENI I EKONOMISË SË RMV

 

Shkruan: Eljesa Dervishi

Rritet eksporti i mallrave të Maqedonisë së Veriut jashtë, por njëkohësisht edhe importi nga vendet tjera.

Sipas të dhënave të mëparshme të Entit Shtetëror për Statistika, vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën janar-dhjetor 2022 ka qenë 8.3 miliardë euro, që shënon rritje prej 19,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ka arritur në 6.9 miliardë euro.

 

Në një prononcim për KDP.mk, eksperti i ekonomisë Arben Halili, u shpreh se pas periudhës së COVID19 të gjitha vendet u ballafaquan jo vetëm me konsolidimin financiar të tyre, por edhe me konsolidimin e të gjithë sektorëve të tjerë në vend. Me theks të veçantë sektorët ekonomik, që paraqesin lokomotivën zhvillimore të çdo vendi.

“Pas covid periudhës nuk do mend që të gjitha vendet u ballafaquan jo vetëm me konsolidimin financiar të tyre, por edhe me konsolidimin e të gjithë sektorëve të tjerë në vend. Me theks të veçantë sektorët ekonomik, që paraqesin lokomotivën zhvillimore të çdo vendi. Në këtë drejtim edhe Republika e Maqedonisë së Veriut kishte dhe vazhdon të ketë sfidë themelore zhvillimore. Gjatë vitit 2022 eksporti që vendi realizoi me vendet e tjera kapi shifrën prej 51.444.064 mijë denarë dhe shënoi rritje prej 19.9% krahasuar me vitin 2021, kurse importet arritën shifrat prej 74,719,1286 mijë denarë, që është 25.8% më tepër se vitin 2021. Bazuar në këto të dhëna, mbulimi i importit me eksport është 68,4%. Kjo le të kuptohet që vendi jonë vazhdon të jetë në masë të madhe i mvarur nga importet. Fatkeqësia më e madhe është që ne edhe përkundër faktit që kemi një pozitë të jashtëzakonshme të relievit, për zhvillimin edhe të agro-sektorit, fatkeqësisht vazhdojmë e importojmë në masë të madhe edhe produkte agro-ushqimore”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Arben Halili.

Ndër të tjerash ai shtoi, se partnerët më stabil të vendit tonë vazhdojnë të ngelin Gjermania, Britania e Madhe, Greqia, Bullgaria etj, megjithatë  në masë të madhe partneriteti ekonomik i vendit tonë kryesisht udhëhiqet më tepër nga importet se sa nga eksportet.

“Si partner më stabil të vendit tonë vazhdojnë të ngelin Gjermania, Britania e Madhe, Greqia, Bullgaria etj, megjithatë në masë të madhe partneriteti ekonomik i vendit tonë kryesisht udhëhiqet më tepër nga importet se sa nga eksportet. Që të përmirësohet bilanci tregtar, mendoj që është momenti i fundit të kalohet në përmirësimin e kapaciteteve prodhuese, dhe të kalohet në realizimin e ekonomive të vëllimit, shoqëruar patjetër me plotësimin e standardeve të domosdoshme tregtare që kërkohen qoftë nga UE-ja apo edhe nga vendet partnere veçmas”, u shpreh Halili.

Si partner kryesor tregtar i vendit është Bashkimi Evropian (BE), ku vendi eksporton apo shet pjesën më të madhe të prodhimit. Eksporti në BE në vitin 2021 ka qenë 5.3 miliardë euro, ndërkohë në vitin 2022 është rritur në 6.5 miliardë euro. Pjesën më të madhe të këtij eksporti e përbën Gjermania, ku vendi ka eksportuar mallra në vlerë prej 6.3 miliardë euro, që shënon një rritje prej 1.2 miliardë euro. Më pas renditen Britania e Madhe, Greqia, Serbia, Kina, Bullgaria, Turqia, Italia, Hungaria, Kosova, Rumania…Federata Ruse është në vendin e 14 në listën e renditjes së vendeve ku RMV eksporton mallrat e saj me vetëm 0.4 miliardë euro. Në krahasim me vitin paraprak, në 2022 eksporti në Rusi ka shënuar rritje edhe përskaj sanksioneve të vendosura nga RMV pas agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të po këtij viti. Eksporti në SHBA, ndërkohë, ka ngelur në vlerën e njëjtë prej 0.3 miliardë eurosh.

Tregtia sipas produktit tregon se peshën më të madhe të eksporteve e zënë katalizatorët mbi transportuesit me metale të çmuara ose përbërjet e tyre, kompletet e telave të ndezjes etj, për automjetet, avionët ose anijet, pjesët e sediljeve të nëngrupit 821. 1 dhe katalizatorët e tjerë në transportues. Në import më së shumti janë të përfaqësuara vajrat e nfatës dhe vajrat e përfituara nga mineralet bituminoze ( përveç bruto), metalet e tjera nga grupi i plantit dhe lidhjet e tyre, të papërpunuara ose në formë pluhuri, energjia elektrike dhe metalet e çmuara në gjendje koloidale; komponimet, organike ose inorganike, të metaleve të çmuar, nëse janë apo jo të përcaktuara kimikisht; amalagme të metaleve të çmuara.

Në periudhën janar-dhjetor2022, sipas vëllimit të përgjithshëm të treëtisë së jashtme, Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë më së shumti tregti me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë.

Të fundit