E martë, 16 Prill, 2024

TRYSNIA PËR ASOCACIONIN/ A DO DORËZOHET ALBIN KURTI?

Prishtina zyrtare është vendosur përballë valës së një presioni të madh ndërkombëtar për të themeluar me urgjencë shoqatën e komunave serbe, karakteri monoetnik i së cilës bie ndesh me kushtetutën e shtetit multietnik të Kosovës. Të martën Ambasada Amerikane organizoi një diskutim me dyer të mbyllura mes gjithë faktorëve rilevantë të shoqërisë për të debatuar për mënyrën se si do të duhej të ishte ky “asocacion”. Një ditë më parë, të hënën, fondacioni gjerman, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), publikoi një draft sipas të cilit Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të ketë kryetarin, asamblenë, flamurin dhe stemën e tij “duke pasur të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”.

Themelimi i këtij  gati shtet brenda shtetit u përshkrua me këto terma nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier: “Kjo është vendimtare, kjo është e rëndësishme, kjo është urgjente”. Pwrpara tij me njw editorial tw destinuar pwr publikun kosovar dhe tw botuar nw Koha Ditore Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari special i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar u morwn vetwm me kwtw temw. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kwmbangulur edhe ai në lidhje me Asociacionin, duke shpërndarë në Twitter deklaratën e SHBA-ve në lidhje me këtë çështje.

Rohde në postimin e tij shkroi se Kosova është zotuar që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe qysh prej disa vitesh dhe se themilimi i tyre është i vonuar. Ai shtoi se me Asociacionin Prishtina do të çojë përpara bisedimet e normalizimit në marrëdhëniet me Serbinë.

Ndërsa një muaj më parë, Gabriel Escobar, pati kërcënuar se nëse kryeministri Kurti që ka shprehur rezerva për krijimin e një asocacioni monoetnik rrefuzon ta pranojë atë, vendi i tij do të kërkojë partnerë alternativë.

Po cila është situata politike?

Themelimi i kësaj shoqate që përbëhet nga 10 komuna serbe kundërshtohet nga qeveria aktuale e cila pretendon se nuk mund të lejojë krijimin e një strukture njëetnike me kompetenca ekzekutive. Idenë e formimit të tij e kanë kundërshtuar edhe qeveritë e kaluara, duke e konsideruar si një mekanizëm që mund t’i sjellë telashe Kosovës, pasi do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

Arsyeja e dytë e kundërshtimit është se Kosovës dhe Serbisë i është ofruar nga ndërkombëatërët draft projekti i atij që quhet si plani Franko-Gjerman, që mëton të gjejë një zgjidhje afatgjatë për marëveshje mes palëve. Qeveria e Kosovës taktikisht rrefuzon ultimatumin amerikan që kjo çështje të përfundojë, jo në kuadër të planit të madh, por si një dhuratë për Vuçiçin përpara se Prishtina dhe Beogradi të ulen për të përfunduar një zgjidhje afatgjatë. Kjo i ka bërë shumë kritikë të kryeministrit Kurti të hedhin hipotezën se, ndryshe nga sa ka pretenduar më parë, ai e ka pranuar krijimin e asocacionit, por ai po negocion vetëm modalitetet e pranimit publik të këtij fakti. “Bindja ime është se kryeministri e ka pranuar këtë propozim por ai po përpiqet ta shesë atë me sa më pak kosto politike për veten e tij”, tha në emisionin “Pressing” politologu Dukagjin Gorani.

A kalon Zajednica?

Ndërsa mbështetësit e qeverisë janë gati të betohen se lideri i tyre nuk mund të vërë nënshkrimin mbi një akt që do të hidhte poshtë çerek shekulli të angazhimit të vet politik kundër Zajednicës (emërtimi serb për asocacionin i përdorur nga Kurti në kohën e opozitës). “Sa të jetë Albini kryeministër nuk e firmos themelimin e këtij asocacioni. Ai as nuk jep dorëheqje përballë presionit ndërkombëtar. Rruga e vetme është rrëzimi i qeverisë përmes tërheqjes së mbështetjes së ndonjë deputeti që nuk e pranin krisjen e marëdhënieve me SHBA-në. Por edhe në këtë rast Zajednica nuk kalon. Albin Kurti arriti ta pengojë atë në vitet 2013- 2015 kur qe më i dobët në opozitë, e jo më tani që po u rrëzua për këtë temë do e rrisë mbështetjen popullore mbi 50.2%” tha në emisionin Pressing aktivisti Shkëlzen Gashi.

Krisje me ndërkombëtarët?

Kjo temë e nxehtë ka rihapur edhe njëherë në Prishtinë debatin nëse Kosova e ka luksin për ti thënë jo amerikanëve dhe ndërkombëtarëve, duke marrë mbi vete rriskun e krisjes së marëdhënieve me ta. Ç’ndodh nëse prishemi me SHBA-në dhe serbët shpallin autonominë në Veri, kush do na mbrojë? Nëse nuk i dëgjojmë partnerët kush do na ndihmojë për aderimin në NATO, njohjen e 5 shteteve të BE-së që rrefuzojnë ta bëjnë këtë dhe heqjen e vizave – pyesin ata që janë të bindur se “Amerikës nuk i thuhet kurrë jo”.

Me këto dilema po përballet sot qeveria Kurti që është në momentin e saj më delikat, që pas rikthimit në pushtet. Përpara kryeministrit shtrohen dy rrugë: ose të mbrojë atë tek e cila beson me riskun e shtuar të një izolimi ndërkombëtar, ose të zvjerdhë figurën e vet politike duke privilegjuar karrigen para interesave kombëtare duke u renditur kështu me politikanëve të zakonshëm që nuk i rrinë besnikë misionit për të cilin janë votuar. /lapsi

Të fundit