E shtunë, 18 Maj, 2024

KU FSHIHEN SPIUNËT RUSË NË MAQEDONI?

Ku është vendi ynë në këtë histori? Ne nuk kemi nevojë të ndjekim spiunët nëpër rrugë për të dëshmuar se ka ndikim rus në Maqedoni. Të pakësosh atë ndikim duke dëbuar diplomatë nga vendi, do të thotë të mos kuptosh situatën në të cilën ndodhet vendi.

Shkruan: Denko Maleski

Tashmë po dallohen konturet e politikës ndërkombëtare pas përfundimit të luftës në Ukrainë. Perëndimi, të cilit i përkasim edhe ne, do t’i rikthehet politikës së vjetër të frenimit (containment) të ndikimit rus brenda shtetit rus. Se si do të duket ajo territorialisht, ne ende nuk e dimë. Sigurisht, duke supozuar se kërcënimi bërthamor nuk realizohet, i cili, si një bumerang, iu kthye Putinit. Përkatësisht, përgjigja e aleatëve ndaj kërcënimit rus ishte se, pavarësisht kostos, Perëndimi do ta mbështeste Ukrainën me armë që do të mposhtnin ushtrinë e agresorit. U zbulua gjithashtu plani i aleatëve që në rast të përdorimit të armëve bërthamore taktike në Ukrainë, Amerika do të ndërhynte me armë konvencionale, duke shkatërruar forcat ushtarake të ushtrisë ruse në territorin e Ukrainës. Është thënë gjithashtu se aleanca e NATO-s nuk do të përdorë armë bërthamore, ndaj vendimi i mbetet Putinit.

Të tilla janë dilemat e tmerrshme të politikës ndërkombëtare: duhet rrezikuar një luftë bërthamore për të shmangur një luftë të tillë. Në atë sferë të tmerrshme të ekzistencës njerëzore, dobësia ishte gjithmonë një ftesë për agresion. Linjat e mbrojtjes dhe të sulmit në këtë luftë tashmë janë tërhequr. Përgjigja e Amerikës ndaj shantazheve ruse me përdorimin e armëve bërthamore është se ajo do të ishte budallallëk, sepse do të nënkuptonte fundin e njerëzimit, por se është gjithashtu e gatshme për një luftë të tillë.

Ku është vendi ynë në këtë histori? Ne nuk kemi nevojë të ndjekim spiunët nëpër rrugë për të dëshmuar se ka ndikim rus në Maqedoni. Të pakësosh atë ndikim duke dëbuar diplomatë nga vendi, do të thotë të mos kuptosh situatën në të cilën ndodhemi. Gjeopolitika e re është burimi kryesor i ndikimit rus kudo në botë, përfshirë edhe Maqedoninë. Ne, anëtarët e NATO-s, jemi pothuajse në luftë me Rusinë. Është rikthyer edhe logjika e Luftës së Ftohtë, kur ajo që ishte e mirë për një bllok ishte e keqe për tjetrin. Nëse për dy aleancat, NATO-n dhe BE-në, miqësia mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe anëtarësimi i shpejtë i Maqedonisë në BE është i mirë, për Rusinë është keq. Dobësimi i aleancës së shteteve demokratike ka një rëndësi ekzistenciale për regjimin autokratik në Moskë. Dobësimi i regjimit autokratik në Moskë është me rëndësi ekzistenciale për shtetet demokratike.

Çfarë bëjnë ata, ju zhbëni (What they do, you undo), është mesazhi për diplomatët. Si? Ashtu siç e lejojnë kushtet. Në shumë organizata ndërkombëtare ju do të votoni kundër tyre. Në shtëpi, nëse një pjesë e popullsisë është pro-ruse, ajo duhet të trajtohet në çdo mënyrë. Nëse çmimi i popullaritetit të Rusisë është distancimi nga Ohri, Prespa dhe Marrëveshja me Bullgarinë, ia vlen të paguhet. Nëse është e nevojshme, sinjale të përziera do të dërgohen nga Moska për të mbështetur Maqedoninë dhe Bullgarinë për çështjet historike, por jo mbështetje për tejkalimin e tyre. Dhe ne nuk kemi nevojë të ndjekim spiunët rusë nëpër rrugë për të provuar ndikimin rus në Maqedoni. Gjithçka sillet rreth fuqisë dhe ndikimit në politikën ndërkombëtare.

Të fundit