E shtunë, 4 Maj, 2024

TENSIONET MAQEDONI E VERIUT-BULLGARI, A PO “KIDNAPOHET” PROCESI I INTEGRIMEVE NGA RUSIA?

Rizvan Sulejmani: “Është fakt që Rusia është e interesuar që të ketë sa më shumë konflikte në rajon dhe më gjerë. Por, për këtë duhet të jenë të ndërgjegjshëm udhëheqësia politike e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë , pra duhet që t`i kishin marrë të gjitha masat që mos të lihet hapësirë për kidnapimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm”

Enver Abdullahi: “Ky incident pa mëdyshje krijoi një defetizëm se do të ripërsëriten skenarët e tentativave për ngecje në rrugëtimin evropian të RMV-së dhe kjo përkthyer në politikën ditore shton telashet e krijimit të fronit të përbashkët evropian” .

Shkruan: Enis Shaqiri

Gjëja më e mirë për Bullgarinë është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të jenë në Bashkimin Evropian dhe NATO ”, kështu ka deklaruar lideri i GERB-it dhe ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov.

Borisov beson se ka një përpjekje për ta kthyer Maqedoninë e Veriut në ndikimin rus. Sipas tij, kjo bëhet me qëllim dhe në mënyrë shumë aktive.

Deklaratat e Bojko Borisovit vijnë pas rasti të sulmit të fundit ndaj Hristijan Pendikovit në Ohër, sekretar i klubit bullgar “Car Borisi i Tretë.” Sipas Borisovit, raste të tilla minojnë përpjekjet e Bullgarisë për ta çuar Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit në BE. Hristijan Pendikov ishte sulmuar fizikisht të enjten, më 19 janar, para zyrave të klubit në Ohër, ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale apo për shkak të shtetësisë së tij bullgare.

Sidoqoftë, mbetet a hapur dilema a ka interes Rusia për të prishur marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes duke vendosur kështu ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut dhe për të penguar anëtarësimin e RMV-së në Bashkimin Evropian ?

Profesori universitar, Rizvan Sulejmani  vlerëson se procesi mes Shkupit dhe Sofjes sipas trajektores së lëvizjes momentalisht ka arritur në pikën zero, dhe kjo falë joseriozitetit mes dy qeverive duke lënë kështu hapësira për ndikime anti BE.

Nëse ndiqet trajektorja e lëvizjes së këtij procesi, përfitohet përshtypja se për një moment i gjithë procesi u kidnapua. Dhe kjo situatë krijon hapësirë për ngritjen e teorive konspirative, se një fuqi e jashtme siç është Rusia, mund që të ketë ndikim, pasi që një kidnapim i tillë të humb kontrollin për një moment, mbi një proces që duket sikur nuk mund të krijohet vetvetiu, pa një ndikim të jashtëm. Në raste dhe rrethana të tilla shtrohet pyetja, se pse një proces kaq i ndikuar është lënë pa mbrojte serioze duke i dhënë hapësirë fuqive siç është Rusia? Me fjalë tjera, sipas mendimit tim, një proces kaq i ndërlikuar , me një rëndësi të madhe nuk mund që të lihet në një situatë të tillë, gjegjësisht të keq menaxhuar. Pra kemi një keqmenaxhim të situatës kundrejt këtij procesi, e cila mund që të arsyetohet në shumë rrethana, që sot ma lehtë shpjegohet nëpërmjet teorive konspirative se Rusia ka qasje në incidente të tilla. Është fakt që Rusia është e interesuar që të ketë sa më shumë konflikte në rajon dhe më gjerë. Por, për këtë duhet të jenë të ndërgjegjshëm udhëheqësia politike e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë , pra duhet që t`i kishin marrë të gjitha masat që mos të lihet hapësirë për kidnapimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm ”, thekson Rizvani Sulejmani.

Nga ana tjetër profesori dhe ish ambasadori, Enver Abdullahi në një prononcim për KDP-në thekson se indikatorët që flasin për një incident të pasqarueshëm janë shumë, ndërsa incidenti në fjalë krijon hapësira që skenare të tentativave për ngecje në rrugëtimin evropian të RMV-së të ripërsëriten.


Janë shume indikator që flasin për një incident të pasqarueshëm, nëse shtohet edhe fakti se vet regjistrimi i klubeve ishte tepër kontroversë, që nga fillimi me emërtime të klubeve me emra që historiografia i njeh si fashiste që nga ana tjetër është tepër sensitive për komunitetin maqedonas. Pas shumë peripecive, pranimi i propozimit të ashtuquajtur francez nga ana e Maqedonisë Veriore dhe shpresës se më në fund do të nis rrugëtimi evropian i aq vonuar.  Ky incident pa mëdyshje krijoi një defetizëm se do të ripërsëriten skenarët e tentativave për ngecje në rrugëtimin evropian të RMV dhe kjo përkthyer në politikën ditore shton telashet e krijimit të fronit të përbashkët evropian. Raportimi mbi incidentin si dhe mënyra e menaxhimit të incidentit nga ana e prokurorisë ishte gjithashtu tepër kontroverse dhe manipulative. Duhet veçuar tentativën e MPJ për qetësim të situatës dhe tentativat e fundit nga të dy qeveritë për deeskalim të situatës”, thekson Abdullahi.

Sipas tij, institucionet e RMV-së detyrimisht do të duhet që të intensifikojnë hetimet për të arritur një zgjedhje optimale me qëllim të parandalimit të ndikimit të faktorëve joevropian në vend.

Situata kërkon një koordinim më të madh mes qeverive të dy vendeve për tejkalimin e situatës duke pritur epilogun institucional të incidentit. Ndërkaq nëse merret parasysh se Bullgaria shkon ne zgjedhjet e pesta të radhës, politizimi i rastit në spektrin politik  në Bullgari do të reflektohet  dhe fatkeqësisht do të rezultojë me deklarata shtesë  që do të thërrasin në imperativin e vendosjes së pakicës bullgare në Kushtetutë. Kjo nga ana tjetër do të bëjë trysni për arritjen e votave për ndryshimet kushtetuese. Kjo do te elektrizojë më shumë skenën politike në RMV ”, thekson Enver Abdullahi

Ndryshe të enjten e kaluar, Sofja vendosi të tërheqë ambasadorin e saj në Shkup dhe të ndërpresë bashkëpunimin mes dy vendeve. Lidhur me këtë ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Shkup kërkuan nga Sofja dhe Shkupi uljen e tensioneve, mes tjerash duke i vlerësuan si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme deklaratat për dhunë dhe kërcënime.

Të fundit