E martë, 7 Maj, 2024

PAZARLLËQE PREJ XHAMBAZI

Përshkallëzimi i kontestit historik bullgaro-maqedonas, po të shikohet nga prizmi i zhvillimeve në fqinjësi (tensionet Kosovë-Serbi, Serbi-Mali i Zi dhe Serbi-Bosnjë e Hercegovinë) do të duhet të jetë një kambanë alarmi për diplomacinë euro-amerikane që të bëjnë zap, sa nuk është vonë,  “politikanë çapkënë” dhe borizanët e tyre, në të dyja anët e kufirit. Për shkak se ata  duke rrahur gjoks në “mbrojtjen” e veprës dhe themelatës së Goce Dellçevit, në fakt provojnë se kanë botëkuptime krejtësisht të kundërta me thënien e tij lapidare se botën e kupton “vetëm si një fushë garash të kulturuara midis popujve”!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Rrahja për arsye politike e nacionaliste e njërit prej drejtuesve të klubit bullgar nga Ohri, besohet nga nacionalistë maqedonas, ka ritensionuar skajshmërisht marrëdhëniet Shkup-Sofje, saqë pala bullgare tërhoqi “për konsultime” ambasadorin e vet në Maqedoninë e Veriut. Afrimi i shënimit të 151 vjetorit të datëlindjes së Goce Dellçevit, më katër shkurt, ndërkaq duket se ka për të qenë “benzinë në zjarr” për qeveritë e të dy fqinjëve. Kjo për shkak se rrahja e Hristijan Pendikovit, sekretar i klubit bullgar në Ohër, u shoqërua me deklarata goxha të rrepta, për të mos thënë kërcënuese nga Sofja zyrtare që u përforcuan me paraqitjet e eurodeputetit bullgar Angel Xhambaski, sipas të cilit “Maqedonia është bullgare … ndërsa kombi bullgar i pandashëm, nga Ohri deri në Detin e Zi dhe nga Danubi deri në Detin e Bardhë”!

Paralajmërimi i tij se më katër shkurt ka për të ardhur në Shkup, ku prehen eshtrat e revolucionarit dhe vizionarit Goce Dellçev, nuk është se nuk i ka alarmuar autoritetet vendore. Ishte presidenti Stevo Pendarovski ai i cili lëshoi sinjalin se Xhambaski dhe bashkëmendimtarë të tij duhet të shpallen “persona non grata”.

Një zhvillim i këtillë, s’do mend se është goditje serioze për aspiratat e Maqedonisë së Veriut për të përshpejtuar rrugën e integrimit në familjen evropiane për shkak se, ashiqare, vështirëson mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës (për përfshirjen e bullgarëve në të) dhe ka për të shërbyer si atu për opozitën maqedonase në kundërshtimin e saj. Shto kësaj  deklaratën e eurodeputetit të sipërpërmendur bullgar, pas paralajmërimit se do t’i ndalohet hyrja në Maqedoni, duket se muajt e ardhshëm kanë për të qenë politikisht tepër të nxehtë: “Sa i përket asaj se mund të më ndalohet të hyj në Maqedoni, le të rikujtohet Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut, i njohur sipas nofkës Stevo Kominterna, se shumë njerëz të tjerë u munduan t’ua ndalojnë hyrjen prijësve të VMRO-së nëMaqedoni dhe rezultat I kësaj ishte të them, rezultati i fundit i tillë ndodhi me kralin jugosllav, serbin Aleksandar Karagjorgjeviq. Prandaj, të mësojmë nga historia, nëse tenton të më ndalojë hyrjen në Maqedoni, le ta shikojë historinë dhe le të mësojëprej saj,”- ka deklaruar Xhambaski për bullgaren “Nova”.

“Unë e kuptoj botën vetëm si një fushë garash të kulturuara midis popujve”!

Citimi është i Goce Dellçevit, një figurë kjo që sa vjen e po i ndanë, për të mos thënë po i përçanë gjithnjë e më shumë, maqedonasit dhe bullgarët si në kontekstin kulturor, politik e besa edhe historik.

Përshkallëzimi i kontestit historik bullgaro-maqedonas, po të shikohet nga prizmi i zhvillimeve në fqinjësi (tensionet Kosovë-Serbi, Serbi-Mali i Zi dhe Serbi-Bosnjë e Hercegovinë), por edhe pak më tej – në Ukrainë, do të duhet të jetë një kambanë alarmi për diplomacinë euro-amerikane që të bëjnë zap, sa nuk është vonë,  “politikanë çapkënë” dhe borizanët e tyre, në të dyja anët e kufirit. Për shkak se ata, duke rrahur gjoks në “mbrojtjen” e veprës dhe themelatës së Goce Dellçevit, në fakt provojnë se kanë botëkuptime krejtësisht të kundërta me thënien e tij lapidare se botën e kupton “vetëm si një fushë garash të kulturuara midis popujve”! Pa çka se edhe ke ne, edhe në Bullgari, mund të ketë zgjedhje të reja!

 

Të fundit