E premte, 19 Korrik, 2024

BLINKEN ME THIRRJE PËR NDALJE TË DHUNËS GJATË VIZITËS NË LINDJEN E MESME

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, javën e ardhshme do të qëndrojë në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Egjipt, ku do të kërkojë që t’i jepet fund dhunës, pas bastisjeve vdekjeprurëse të kryera nga izraelitët, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Blinken do të zhvillojë takimin e parë sy më sy me kryeministrin Benjamin Netayahu pasi ai u kthye në pushtet në Izrael, duke udhëhequr qeverinë më të djathtë në historinë e këtij shteti.

Kryediplomati amerikan po ashtu do të takohet në Ramallah me liderin palestinez, Mahmoud Abbas, gjatë vizitës që do të zhvillojë të hënën dhe të martën.

Blinken “do të theksojë nevojën urgjente që palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën, në mënyrë që t’i jepet fund ciklit të dhunës që ka marrë shumë jetë të pafajshme”, tha zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.

Blinken do të nisë vizitën të dielën në Egjipt, që është një ndërmjetësues kyç midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ky shtet po ashtu ka arritur të mbajë raporte të mira me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pavarësisht se Uashingtoni ka shprehur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Kajro.

Blinken po ashtu do të bisedojë për çështjet rajonale, përfshirë situatën në Libi dhe Sudan gjatë takimit me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi, tha DASH.

Udhëtimi i Blinkenit që është planifikuar kohë më parë vjen në kohën e shpërthimit të dhunës. Nëntë palestinezë u vranë të mërkurën në një bastisje izraelite në një kamp refugjatësh në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor.

Të fundit