E premte, 26 Prill, 2024

VIDEO-INTERVISTË, KADRIU: NDRYSHIMET KUSHTETUESE TË DOMOSDOSHME, TË MOS NEGLIZHOHEN SHQIPTARËT

Në një intervistë ekskluzive për KDP, nënkryetarja e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu, thotë se ndryshimet kushtetuese përfshijnë elemente shumë të rëndësishme në aspektin normativ, që rregullojnë marrëdhëniet juridike të shtetit. Në rastin konkret, në Maqedoninë e Veriut, thotë ajo, shumë çështje janë neglizhuar sidomos për shqiptarët. Sipas saj, vetë natyra e aktit më të lartë juridik, siç është kushtetuta, nuk ka paraparë shumë çështje të rëndësishme, të cilat do të duhej të korrespondonin me realitetin e shoqërisë ku ne bëjmë pjesë. Kadriu thotë se për ndryshime rrënjësore, aktorët politikë duhet të çlirohen nga konceptet të manifestuara vite më parë, ndërkohë që nga politikanët duhet të sillen koncepte moderne politike.  Ajo, gjithashtu thekson se një nga faktorët që më së shumti e rëndon këtë situatë në Maqedoninë e Veriut janë mendimet e krijuara në lidhje me sferën e politikës, si pasurimi i shpejtë nëpërmjet politikëbërjes, keqpërdorimi i politikës, si dhe rasti i nacionalizmit, që ka qenë i theksuar në pushtet. “Këto situata si dhe mentaliteti i shoqërisë, kanë ndikuar, që sot, edhe të rinjtë të stepen dhe të mos përfshihen në aktivitetet politike”, thotë Kadriu për KDP.

 Intervistoi: Puhiza Osmani

Nënkryetarja e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu thekson se ndryshimet kushtetuese përfshijnë një akt të lartë juridik që përmban elemente shumë të rëndësishme në aspektin normativ që i rregullojnë marrëdhëniet juridike në shtet. Sipas saj, duke u nisur nga rrethanat me të cilat është ballafaquar Maqedonia e Veriut shumë çështje sidomos për të drejtat e shqiptarëve janë neglizhuar.

“Këto neglizhime kanë sjellë një atmosferë jo të këndshme, të cilat grumbullohen si një sërë problematikash të njëpasnjëshme dhe detyrimisht organet kryesore janë përballë paradokseve të mëdha, siç është vetë organi i pushtetit legjislativ, parlamenti, të cilit i mungon një atmosferë dhe vullnet politik i mirëfilltë si pasoj e politikave të vjetra, të cilat e kanë ndërtuar këtë sistem mbi baza jo të shëndosha të sistemit demokratik. Maqedonia aktualisht është në një situatë jo të favorshme . Ne jemi të vetëdijshëm që në këtë moment është përballë justifikimeve, përballë faktorit ndërkombëtar, se shumë çështje janë të rregulluara, por parimisht dhe në pikëpamje juridike, këto çështje do të duhet të rregullohen. Këto ndryshime janë të rëndësishme edhe për faktin që ne pretendojmë të jemi një shtet në Bashkimin Evropian”, thotë Kadriu. Ajo thotë se Lëvizja Besa ka mbajtur qëndrim që ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme.

Për problematikat lokale me të cilat përballen qytetarët, Kadriu thotë se kemi një nivel të ulët të decentralizimit të pushtetit, natyrën e kufizimit të buxhetit, i cili është shumë i limituar, mungesën e kompetencave, që janë shumë të kufizuara për pushtetin lokal, të cila e kufizojnë përmbushjen e të gjitha atyre të drejtave dhe obligimeve ndaj qytetarëve.

“E rëndësishme është për një zonë urbane, për një qytet siç është Tetova të hartohet një planifikim urban i mirëfilltë, i cili për një kohë të gjatë i ka munguar qytetit”, thotë ajo. Gjithashtu Kadriu thekson se do ndërmerren masa edhe për realizimin e parkingjeve adekuate, që është zgjidhje për situatën kaotike që krijohet brenda qytetit.

Sa i përket konceptit të demokracisë së mirëfilltë, Kadriu thotë se vlerat e demokracisë janë një koncept shumë i gjerë, ndërsa si shoqëri ende kemi nevojë që të punojmë më intensivisht në lidhje me këto komponenta demokratike.

Për përfaqësimin e gruas në politikë Kadriu thotë se në rrethanat ku ne jetojmë, natyra e klimës politike që është krijuar, është një ambient i vështirë për cilëndo nga gjinitë, por bëhet dyfish më e vështirë për gjininë femërore.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Të fundit