E enjte, 2 Maj, 2024

ZGJERIMI I SHUMICËS PARLAMENTARE, A DO TË ARRIHET MË LEHTË TE NDRYSHIMET KUSHTETUESE?

Kryeministri Kovaçevski ka mbledhur partnerët qeveritarë, ndërkohë që ka theksuar se mes tjerash është diskutuar për reformat për rrugën evropiane, dhe hapat për të siguruar të ardhmen evropiane të shtetit. Ndërkohë, nga Aleanca për Shqiptarët kanë theksuar se ministritë që qarkullojnë janë pozicione fillestare dhe pritet që rreth tyre të diskutohet këtë javë. Analistët politikë theksojnë se shumica parlamentare do të zgjerohet, ndërkohë që shohin gatishmëri edhe te partnerët ndërkombëtar. Sipas tyre, nëse zgjerohet shumica parlamentare mundësitë për të arritur te numri 81 për ndryshimet kushtetuese nuk janë të pamundura. Ata gjithashtu vlerësojnë se votuesit shqiptarë kanë interes për integrime evropiane, ndërsa zgjerimi i shumicës qeveritare për qytetarët do të jetë  pozitive, sepse më e pakta nuk do të ketë bllokime të parlamentit.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kryeministri dhe kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, ka mbajtur një takim me partnerët e koalicionit në lidhje me reformat për rrugën evropiane, si dhe zgjerimin e mundshëm të koalicionit qeveritar, me theks të veçantë edhe përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri.

Takimi i Kovaçevskit erdhi dy ditë pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët, e cila paralajmëroi se gjatë javës partia do të formojë komision që do të negocionte për hyrje eventuale në Qeveri,

Pavle Trajanov nga Partia Liberal Demokrate ka theksuar se ai dhe partia e tij do ta mbështesin rikonstruimin e qeverisë vetëm nëse respektohet amendamenti 6 i Kushtetutës.

Qëndrimi i LD-së dhe qëndrimi im si kryetar i partisë është i qartë. Do të mbështesim rindërtimin e Qeverisë nëse respektohet amendamenti 6 i Kushtetutës. Është përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike në qeveri dhe në institucionet tjera. Nëse devijohet nga ai parim, atëherë nuk do ta përkrahim rikonstruimin e Qeverisë”, ka theksuar Trajanov.

Ndërkaq deklarata pas takimit nuk pati, ndërsa për atë që është biseduar në takim kryeministri Kovaçevski ka informuar përmes Facebook-ut.

Në një atmosferë të këndshme u diskutua për aktivitetet në vitin 2023, për masat dhe politikat e Qeverisë për përballjen me krizën globale energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin energjetik, për zbatimin e programit të qeverisë, reformat për rrugën evropiane, dhe hapat për të siguruar të ardhmen evropiane të shtetit”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ministritë që qarkullojnë janë pozicione fillestare dhe pritet që rreth tyre të diskutohet këtë javë.

Alternativa vlerëson se nuk ka nevojë që të negociohet me Aleancën për Shqiptarët, sepse, sipas tyre, është logjike që ai që është në telashe, duhet që të lëshojë disa nga dikasteret qeveritare të cilat i udhëheq.

Është logjike që ai që ndodhet në vështirësi të jetë i gatshëm të kompensojë duke hequr një pjesë të resoreve që për momentin i udhëheqë. Dëshirojmë ta potencojmë këtë. Aleancës nuk i duhen funksione për të votuar ndryshimet kushtetuese, nëse janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për BE-në. Njëherësh, nuk e pranojmë tezën se për arsye se Alternativa ka më pak deputetë të Aleancës, duhet të paguaj çmimin politik me lëshime kadrovike. Gjithsecili që harron që vetëm para 12 muajsh, Alternativa ishte faktor kyç për shpëtimin e Qeverisë dhe me atë mundësoi bisedimet me BE-në, gjegjësisht e minon dhe rrezikon potencialin e koalicionit të forcave proevropiane në Maqedoninë e Veriut. Nëse marrëveshja politike me Alternativën nuk respektohet deri në fund, pse dikush tjetër do të besonte se ia vlen të bashkohet me ata që nuk i përmbushin obligimet”, kanë theksuar nga Alternativa.

Analisti politik Albert Musliu  është i mendimit se shumica parlamentare do të zgjerohet.

Jam optimist se shumica parlamentare do të zgjerohet. Shohë gatishmëri edhe te partnerët ndërkombëtar. Dhe e treta nëse zgjerohet shumica mundësitë për të arritur te numri 81 nuk janë të pamundura”, ka theksuar Musliu.

Ai vlerëson se votuesit shqiptarë kanë interes për integrime evropiane, ndërsa zgjerimi i shumicës qeveritare për qytetarët do të jetë  pozitive sepse më e pakta sipas tij, nuk do të ketë bllokime të parlamentit.

Zgjerimi i shumicës nënkupton edhe pacifikim të narativit politik. Do të ketë më pak sharje sepse nuk mund të jesh pjesë e shumicës dhe të shahesh. Kjo është përfitim. Nga ana tjetër, për subjektet politike nuk është matematikë e thjeshtë. Prej zgjerimit të shumicës kanë përfitime dhe humbje të gjitha subjektet. Votuesit shqiptarë kanë interes për integrime evropiane”, ka theksuar Musliu në “Klan Debat”

 

Të fundit