E premte, 26 Prill, 2024

FATUSH SADIKI: GUXO, PUNO DHE DO IA DALËSH TË KESH SUKSES

Fatush Sadiki ka përfunduar studimet deridiplomike pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, në Fakultetin e Shkencave Sociale, drejtimi “Sport dhe Shkencat Sportive”. Gjatë studimeve në kuadër të programit Erasmus +, një semestër ka studiuar në Turqi në Universitetin “Istanbul Sabahattin Zaim”. Atje ka përfunduar me sukses semestrin, ndërkohë që ka marrë edhe certifikatë për pjesëmarrje në programin Erasmus +. Më vonë ka kryer edhe pjesën praktike po ashtu në Turqi, në komunën e Esenlerit, te Drejtoria për Rini dhe Sport në pishinën “Albayrak spor salonu”, në rolin e asistentes së trajneres së notit. Ka marrë pjesë në Garat ndërkontinentale të Bosforit në not. Në një intervistë për KDP, Fatush Sadiki thotë se ka dëshirë të qëndrojë në vendlindje për të ndihmuar edhe të tjerët të arrijnë atë që e ka arritur ajo vetë. Ajo thotë se për të arriturat e deritanishme ka punuar shumë, ndërkohë që ka pasur mbështetjen e familjes. “Bashkëmoshatarët duhet të kenë më shumë vetëbesim dhe mos të kenë frikë t’i ndjekin ëndrrat e tyre”, thotë ajo.

Intervistoi: Gentuar Ismaili 

 

KDP: Për ju personalisht si ka qenë viti 2022?

Fatush Sadiki: Për mua personalisht viti 2022 ka qenë viti më i suksesshëm në jetën time, vit në të cilin bëra hapa të rëndësishëm në karrierën time. Për të arritur deri te suksesi patjetër që do kalosh nëpër shumë sfida, por me vullnet, dashuri dhe përkushtim çdo sfidë e kam kaluar në mënyrën më të mirë të mundur.

KDP: Çfarë planesh keni për vitin 2023?

Fatush Sadiki: Të them të drejtën më shumë dëshiroj që të flasë puna ime se sa unë. Plani im në aspektin profesional si fillim është të fillojë studimet e ciklit të dytë master, dhe çdo gjë tjetër që do jetë në ngritjen time profesionale, do angazhohem pa hezitim.

KDP: Sipas jush, të qenurit një vajz e sukesshme në vendin tonë, është sfidë apo privilegj?

Fatush Sadiki: Nga këndvështrimi im me të vërtetë është privilegj që të jesh një vajzë e suksesshme në vendin tonë, por njëkohësisht është edhe sfidë në vetvete se jo çdo herë vlerësohet ashtu siç duhet puna, angazhimi, sakrifica që bënë për të qenë një vajzë e suksesshme, por shpresoj shumë që gjërat do ndryshojnë dhe çdo gjë do bëhet edhe më mirë.

KDP:A do e kishit lëshuar vendlindjen për t’u avancuar në karrierën tuaj profesionale?

Fatush Sadiki: Përderisa je një vajzë e suksesshme dhe e përkushtuar ndaj punës të ofrohen mundësi shumë të mëdha për të vazhduar karrierën jashtë vendlindjes. Unë jam kthyer që të kontribuojë në vendin tim, sepse vendi jonë ka nevojë për ne, për kontributin tonë, sepse gjeneratat e reja do ta kenë më të lehtë te avancohen në vendlindje.

KDP: Cili ka qenë motivi juaj kryesor për të arritur këtu ku jeni sot?

Fatush Sadiki: Motivi kryesor për të arritur këtu ku jam sot ka qenë dëshira e madhe ndaj punës, por edhe mbështetja e madhe e familjes sime dhe kur punon me dashuri dhe pasion padyshim që do jesh e suksesshme.

KDP: Si e vlerësoni pozitën e grave në shoqërinë tonë?

Fatush Sadiki: Sot fatmirësisht pozita e grave në shoqërinë tonë vjen e bëhet më pozitive dhe është për t’u vlerësuar përkushtimi i madh në shkollimin dhe emancipimin e femrës. Gratë vetëm punën e njohin dhe për ato orari nuk përfundon asnjëherë. Sapo e kryejnë orarin e punës i kthehen punës dhe obligimeve në shtëpi. Shoqëria jonë e ka kuptuar vlerën e gruas dhe me sportivitet pranon integrimin e saj në çdo fushë.

KDP: Ku e shihni veten pas 5 vitesh?

Fatush Sadiki: Veten pas 5 vitesh e shoh shumë të arritur në jetën personale dhe në karrierën profesionale, një vajzë që çdo synim që e ka pasur e ka realizuar dhe ende është duke gërmuar për të fituar njohuri të reja dhe duke u ngritur edhe më shumë në karrierën e saj. Dhe duke i ndihmuar rinisë për të filluar apo ndërtuar karrierën e tyre.

KDP: A mendoni se shteti siguron kushte për të pasur një karrierë solide profesionale?

Fatush Sadiki: Jo, për të pasur një karrierë solide profesionale duhet siguruar shumë më shumë kushte se sa siguron për momentin, se për të pasur një kualitet profesional duhet siguruar kushte edhe më të mira. Kur ke kushte të mira të siguruara për punë do kesh edhe vullnet të madh për të punuar dhe atëherë do kishte një karrierë solide profesionale.

KDP: Cila do ishte porosia juaj ndaj femrave që dëshirojnë të arrijnë diçka në jetë?

Fatush Sadiki: Porosia ime ndaj vajzave që dëshirojnë të arrijnë diçka në jetë është të kenë vetëbesim në vete, mos të kenë frikë që t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të realizojnë atë që ata duan për të arritur, të dinë shumë mirë se çka duan dhe çka nuk duan, mos të kenë frikë se ndoshta do dështojnë, se çdo herë do ketë mundësi për ta provuar përsëri. Do hasin nëpër shumë situata në vështirë, sfida dhe të gjitha këto do i bëjnë ato që nesër do jenë. Guxo, puno, ne ia dalim sepse ne jemi vajza.

Të fundit