E diel, 5 Maj, 2024

RRITET BILANCI I HUMBJEVE RUSE NË UKRAINË

Agjencitë e lajmeve bëjnë të diutur se Rusia ka  pranuar se një sulm raketor – në natën e Vitit të Ri – që vrau të paktën 89 ushtarë rusë ndodhi për shkak se ushtarët, sikurse njoftoi ministria e Mbrojtjes po përdorninmasovikisht telefonat e tyre celularë. Ukraina goditi një kolegj për rekrutë në Makivka, në zonën e okupuar të Donjeckut, pak pas mesnatës së një janarit, transmeton kdpolitik.com.

Përdorimi i telefonave nga ushtarët, i cili ishte i ndaluar, i lejoi armikut të përcaktonte objektivin e tij, – tha ushtria ruse.

Ndërsa numri i njerëzve të vrarë është i paverifikuar, ai është numri më i madh i vdekjeve të pranuara nga Rusia në luftë.

Ukraina pretendon se shifra është shumë më e lartë, duke thënë se 400 ushtarë janë vrarë ndërsa janë plagosur 300 të tjerë .

Rusia tha se në orën 00:01 me orën lokale – në natën e Vitit të Ri, gjashtë raketa u hodhën nga një sistem raketor HIMARS, i prodhuar në SHBA-ja, në një kolegj profesional, dy prej të cilave u rrëzuan.

Zëvendëskomandanti i regjimentit, nënkoloneli Bachurin, ishte në mesin e të vrarëve, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë në Telegram në orët e para të së mërkurës. Të marten, njofton agjencia francize e lajmeve AFP, në Rusi janë mbajtur tubime në nderim të ushtarëve të rënë, vrasja e të cilëve ka shkaktuar një vale kritikash për autoritetet ushtarake ruse.

Një komision po heton rrethanat e ngjarjes, u tha në deklaratë.

Por është “tashmë e qartë” se shkaku kryesor i sulmit ishte prania dhe “përdorimi masiv” i telefonave celularë nga trupat tona, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar, vazhdoi deklarata.

“Ky faktor i lejoi armikut të lokalizojë dhe të përcaktojë koordinatat e vendndodhjes së personelit ushtarak për një sulm raketor”.

Agjencitë rikujtojnë se fillimisht Rusia tha se kishin humbur jetën 63 ushtarë, për ta rritur ndërkohë bilancin e sulmit në 89. Megjithëse nuk ka ndonjë mënyrë për të verifikuar numrin e saktë, rikujtohet se është jashtëzakonisht e rrallë që Moska të konfirmojë ndonjë viktimë në fushëbetejë.

Kolegji profesional ishte i mbushur me rekrut në kohën e sulmit – burra që ishin në mesin e 300.000 të thirrurve në mobilizimin e pjesshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në shtator.

Disa komentatorë dhe politikanë rusë kanë akuzuar ushtrinë për paaftësi, duke thënë se trupave nuk duhet t’u jepej kurrë strehim kaq i cënueshëm.

Pavel Gubarev, një ish-zyrtar kryesor rus në Donjeck, tha se vendimi për të vendosur një numër të madh ushtarësh në një ndërtesë ishte “neglizhencë kriminale”.

“Nëse askush nuk dënohet për këtë, atëherë gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë”, paralajmëroi ai.

Nënkryetari i parlamentit lokal të Moskës, Andrei Medvedev, tha se ishte e parashikueshme që ushtarët të fajësoheshin në vend të komandantit që mori vendimin fillestar për të vendosur kaq shumë trupa në një vend.

Raportohet, gjithashtu, se në shenjë hakmarrjeje  forcat ruse ndërmorën sulme ajrore mbi një bazë armatimi fare pranë stacionit të trenit Druzhkivka të Donetskut, duke vrarë deri në 200 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase dhe shkatërruar katër lëshues raketash HIMARS dhe mbi 800 predha. Këto pretendime ruse nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura.

Presidenti Putin nënshkroi një dekret të martën që familjet e ushtarëve të Gardës Kombëtare të vrarë në shërbim të paguhen 5 milionë rubla (69.000 dollarë).

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të këtij vendi.

 

Të fundit