Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania vazhdojnë të mbështesin fuqishëm orientimin euroatlantik të Malit të Zi dhe përpjekjet e tij për t’ju bashkuar Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ne jemi të shqetësuar për shkak të krizës së gjatë politike, institucioneve të bllokuara, polarizimit në rritje të shoqërisë në Mal të Zi dhe paaftësisë së dukshme të vendimmarrësve politikë për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë, – thuhet në një deklaratë të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, dhe të homologut të tij nga qeveria federale gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarazin, të cilët këtë të enjte po qëndrojnë në Podgoricë.
Në njoftimin për media, sikurse transmeton kdpolitik.com, thuhet se dy diplomatët erdhën në Mal të Zi në këtë moment vendimtar për të përcjellë direkt vendimmarrësve politikë vendas mesazhin e rëndësishëm të qeverisë britanike dhe asaj gjermane.
– Në këto kohë sfidash gjeopolitike dhe ekonomike, Malit të Zi, si partner yni i NATO-s, i nevojitet një qeveri funksionale dhe institucione të fuqishme. Konsiderojmë se parlamenti është përgjegjës për rikthimin urgjent të funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese duke zgjedhur gjykatësit të cilët mungojnë, jo vetëm në masën e nevojshme për të arritur kuorumin, por edhe për të siguruar një vendimmarrje efikase. Kjo do të kërkojë një proces konsultimesh të plota dhe transparente, dhe një fokus të vendosjes së interesit kombëtar mbi politikën partiake – thuhet në mesazhin e të dërguarve britanikë dhe gjermanë.
Diplomatët nga Berlini dhe Londra shtojnë se mjeti më i mirë për kapërcimin e qorrsokakut aktual politik dhe për ta rivënë të ardhmen e Malit të Zi në duart e popullit të tij do të ishin zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më shpejt, pasi Gjykata Kushtetuese të rifillojë punën e saj.
– Komisioni i Venecias shprehu qartë mendimin për projektligjin për ndryshimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, duke rekomanduar që ai të mos miratohet. Duke pasur parasysh se Qeveria e Malit të Zi e konsideron anëtarësimin në BE dhe implementimiun e sundimit të së drejtës si çështje me prioritet të lartë, është tejet shqetësuese që ligji u miratua pa shqyrtimin e domosdoshëm të kësaj këshille. Rekomandojmë fuqimisht marrësit e vendimeve politike që të shqyrtojnë me kujdes mesazhin e dëmshëm që do t’ua përçojnë partnerëve euroatlantikë nëse zgjedhin kryeministrin dhe, pas kësaj, formojnë një qeveri me mbështetje në ligjin, përputhshmëria e të cilit me Kushtetutën është shumë e dyshimtë dhe për të cilin Komisioni i Venecias këshilloi të mos aplikohet – shtojnë Peach dhe Sarazin.
Gjithashtu, ata vlerësojnë se vendimet e marra në Kuvend, më 12 dhjetor, e përkeqësuan edhe më shumë krizën, e cila, sikurse thuhet, është shumë shqetësuese dhe e dëmshme për Malin e Zi dhe qytetarët e tij.
– U bëjmë thirrje të gjithë të interesuarve të lënë anash politikën partiake dhe interesin personal dhe të inkuadrohen në një dialog kuptimplotë, nëse është e nevojshme sy më sy, për të gjetur kompromisin e nevojshëm dhe për të kapërcyer krizën politike dhe polarizimin në shoqëri që muajt e fundit ka paralizuar vendin. Qytetarët e Malit të Zi mbështesin edhe më tej në masë të madhe anëtarësimin e vendit të tyre në BE dhe meritojnë një qeveri që vepron në interes të tyre, përmbush pritshmëritë e tyre dhe fokusohet në politikat dhe hapat e domosdoshëm për reforma – transmeton kdpolitik.com deklaratën e përbashkët e të dërguarit të posaçëm të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, dhe homologut të tij nga qeveria federale gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarazin.