E diel, 19 Maj, 2024

ELIMINOHET PENGESA E FUNDIT PËR KORRIDORIN 8, RUSTEMI: MBIKËQYRËSI I PUNIMEVE U ZGJODH NË MËNYRË TRANSPARENTE  

Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka përzgjedhur mbikëqyrësin dhe këshilltarin ligjor transaksional për ndërtimin e Korridorit VIII dhe Korridorit X-d. Me këtë eliminohet edhe pengesa e fundit për nisjen e punimeve në terren për ndërtimin e këtij Korridori, i cili vlerësohet si strategjik për vendin.

Fituese ka rezultuar kompania italiane “IRD ENGINEERING”, e cila është përzgjedhur si mbikëqyrës i realizimit të punëve në dy korridoret. Pas njoftimit të publikuar për prokurimin publik më 15 shtator të vitit 2022 dhe dorëzimit të ofertave deri më datë 17 tetor të po të njëjtit vit, Ndërmarrja “Rrugët shtetërore” njofton se në ora 11:00 publikisht është bërë hapja e ofertave në hapësirat e saj, duke u respektuar kështu të gjitha procedurat e parapara me ligj.

Në tender janë dorëzuar tri oferta: e para nga kompania “INGEROP CONSEIL ET INGENIERIE”, e cila ka ofertuar me 1.106.040.600 denarë, kompania “IRD ENGINEERING” me ofertë prej 1.374.304.070 denarë, si dhe “HILL INTERNATIONAL” me ofertë prej 1.533.721 denarë. Pas hapjes së ofertave ka pasur një procedurë për vlerësimin e tyre dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe kompletimit të ofertave brenda afatit të përcaktuar është bërë përzgjedhja e cilësisë më të mirë të ofruar dhe çmimit të ofruar.

“Pas një procesi shumë transparent, Komisioni bëri evaluimin me ç’rast vendosi që fitues i kësaj gare të jetë kompania italiane IRD ENGINEERING. Sipas Ligjit për prokurime publike, çdo procedurë që kap shumën prej mbi 30 milionë denarë kalon në kontrollin administrativ. Edhe kjo procedurë kaloi në kontrollin administrativ, gjë që verifikon se janë respektuar të gjitha aktet ligjore”, thotë për KDPolitik.com Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët shtetërore”

Ai njoftoi se do të pritet edhe afati dhjetëditor për ankesa, të cilin e parashikon Ligjin për prokurim publik, që më pas të kalohen me punë konkrete në teren.

“Besoj se nuk do të ketë asnjë problem dhe se me kompaninë e përzgjedhur do ta nënshkruajmë kontratën”, shtoi Rustemi.

Korridori 8 hyn në Korridorin Evropian për Ballkanin Perëndimor – Mesdheu Lindor, si pjesë e rrjetit të korridoreve kryesore transevropiane. Vendimi i Komisionit Evropian, që këtë propozim ta vendosë në rend dite para Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave është rezultat i nismave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Italisë, informojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Aktivitetet për fillimin me ndërtimin e projektit më të madh në infrastrukturën hekurudhore – ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, qasjen e përbashkët të vendeve të rajonit si dhe nënshkrimi i deklaratës së Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Italisë për lidhje moderne Lindje – Perëndim ishte njohur nga ana e Këshillit të Ministrave të Transportit të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, kanë nisur punimet edhe në Shqipëri, ku Korridorin 8 pritet të shtrihet në aksin Elbasan-Qafë Thanë. Sipas qeverisë shqiptare, punimet për këtë aks do të jenë me faza për shkak të kostos së lartë në buxhetin e shtetit.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ka miratuar Ligjin që i ka hapur rrugë ndërtimit të Korridorit 8 që do të lidhë Tetovë – Gostivar – Kërçovë – Trebeshinë – Strugë – Qafë Thanë.

Këtë korridor rrugor me rëndësi strategjike për vendin, i cili lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, do ta ndërtojë kompania amerikane Bechtel & Enka.

Të fundit