Korrupsioni vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët, ndërkohë që institucionet janë treguar të ngathëta për t’iu dhënë epilog disa rasteve të shfaqura kohëve fundit, në cilat kanë qenë të përfshirë funksionarë të nivelit të lartë. Lufta kundër korrupsionit qëndron si rekomandim edhe në raportin e fundit të KE-së, në veçanti në fokus janë mbështetja për institucionet e drejtësisë si dhe rritje të numrit të dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë
Shkruan: Gentuar Ismaili
Lufta ndaj korrupsionit edhe më tej mbetet zotim i Qeveris aktuale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Por, sa ka punuar ajo vetë për këtë zotim të saj, kjo mbetet çështje diskutabile. Zyrtarët qeveritarë në secilin rast që u jepet në publik zotohen se kanë punuar ose po punojnë në luftimin e korrupsionit.
Kohëve të fundit në vend janë paraqitur shumë raste eklatante të keqpërdorimeve që lidhen direkt me korrupsionin siç janë dyshimi në rastin me ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Muhamet Zekirin, policët e korruptuar në pikën kufitare në Qafë Thanë, rast të cilin e publikuan mediat e shtetit shqiptar, pastaj rasti “Gjaku i Pistë” еtj.
Para disa ditëve ambasada e SHBA-së në RMV njoftoi se në vend do mbërrijë një ekip special nga departamenti i shtetit, i cili do të inspektojë të gjitha rastet e korrupsionit dhe të gjithë personat që kanë abuzuar me detyrat zyrtare.
Në raportin e fundit të KE-së, lidhur me korrupsionin, janë dhënë disa rekomandime. Sipas këtij raporti Maqedonia e Veriut në veçanti duhet të fokusohet që të vazhdojë luftën kundër korrupsionit duke rritur mbështetjen për organet përgjegjëse për zbatimin e strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe të zbatojë në mënyrë efektive rekomandimet e GRECO-s.
Një tjetër rekomandim i KE-së është që shteti të ndajë burime të mjaftueshme për Zyrën e Prokurorit Publik Themelor për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, duke përfshirë ekspertë financiarë, në mënyrë që të sigurohet llogaridhënie efektive për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Një ndër problemet që është trajtuar gjerësisht në opinion mbetet edhe fakti që shumë raste të korrupsionit të nivelit të lartë mbeten pa epilog. Pikërisht në këtë drejtim, KE inkurajon drejtësinë në Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë të rritet numri i dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale, konfiskimin e bazuar në vlerë, konfiskimin e zgjatur dhe konfiskimin e palëve të treta.
Përndryshe, në indeksin e fundit për perceptimin e korrupsionit, vendit jonë gjendet në vendin e 80.