E diel, 27 Prill, 2025

SHUHET LATINKA PEROVIQ

Në moshën 89-vjeçare ka vdekur historiania e njohur serbe Latinka Peroviq, që kishte qenë edhe Sekretare e Përgjithshme e Komitetit Qendor të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë(1968-1972).  Sikurse përcjell kdpolitik. com, ajo ishte ndër politikanet dhe intelektualet e rralla serbe që dënoi zëshëm krimet e Milosheviqit në ish-Jugosllavi.

Peroviq lindi më 4 tetor të vitit 1933 në Kragujevc. Si 27-vjeçare ishte bërë  në Serbi kryetare e Frontit Antifashis të Grave. Peroviq kishte doktoruar në Universitetin e Beogradit në vitin 1975, ndërsa ka shkruar dhjetëra libra e punime shkencore.

Kishte qenë sekretare e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Më 1972 atë, së bashku me Marko Nikeziqin, ie largoi Josip Broz Tito nga frika se pikëpamjet e saj ishin tepër liberale për shoqërinë jugosllave. Në atë kohë ishte konsideruar gruaja më me ndikim në politikën jugosllave.

E tërhequr nga politika, gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Peroviq mbajti qëndrim opozitar  duke u angazhuar në Partinë Liberal-demokrate të Çedomir Jovanoviqit . Peroviq njihet si një aktiviste që kishte luftuar për të drejtat e njeriut dhe për një Serbi properëndimore, që duhet pajtuar me realitetin e Kosovës së pavarur.

Jeta e saj kishte qenë betejë kundër nacionalizmit serb.

“Serbia përfundimisht duhet të përvijohet territorialisht. Ajo nuk mund të pretendojë të ndajë Bosnjën. Nuk mund të pretendojë se ka dominim në Mal të Zi. Nuk mund të pretendojë që të rregullojë jetën e serbëve në Kroaci. Nuk mund në fund të pranojë atë konfliktin e ngrirë në Kosovë. Kosova është barrë në qafën e Serbisë. Ajo nuk mund të lëvizë për shkak të Kosovës. Serbët duket sikur  besojnë se në Kosovë asgjë nuk ka ndodhur, se situata është e njëjtë si ajo para 30 apo 50 vjetësh. Nuk është e njëjtë, shumëçka ka ndryshuar”-transmeton kdpolitik.com një deklaratë në fillim të qershorit të këtij viti të Latinka Peroviqit për të përditshmen e pavarur serbe “Danas” duke bërë bërë thirrje që Serbia ta heqë qafe sa më parë konfliktin e ngrirë në Kosovë.

“Është me rëndësi që Serbia të vendosë marrëdhënie normale me fqinjët, edhe me Kosovën”.

Sipas saj, Serbia ka nevojë për politikanë të cilët publikisht do të marrin përgjegjësinë për krimet e kryera në ish-Jugosllavi me qëllim të pajtimit me fqinjët dhe parandalimit të përsëritjes së tragjedive të ngjashme.

Duke reaguar për lajmin e shuarjes së Latinka Peroviqit, gazetari dhe publicisti i njohur Fahri Musliu ka shënuar se  e ndjera ishte “ish-politikane partiake, studiuese dhe historiane e mirëfillt, intelektuale e çmuar, luftëtare e guximshme për të drejtat e njeriut e mirëqenien qytetare, kundërshtare e politikave kleronacionaliste e hegjemoniste serbe, përkrahëse e pavarësisë së Kosovës”.

 

Të fundit