E premte, 12 Korrik, 2024

MANDAT DERI NË FUND ME ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME MBI KOKË

Nëse në janar arrihet miratimi i ndryshimeve kushtetuese, VMRO – DPMNE-ja do të bëjë presion për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse nuk ka ndryshime kushtetuese, me këtë ritëm të opozitbërjes, qeverisja do të vazhdojë mandatin e saj deri në vitin 2024. Aleanca për Shqiptarët nëse pranon të marrë pjesë në qeveri, do t’i kontribuojë stabilitetit politik të vendit duke u bërë pjesë e “Aleancës për Maqedoninë e Veriut”, por do ta paguaj faturën me ulje të rejtingut partiak

Shkruan: Sefer Tahiri

Maqedonia e Veriut që nga viti 2008, pas dështimit në procesin e anëtarësimit në NATO, u ngjan vendeve pa stabilitet politik. Ndoshta, jo sa në Itali, e cila organizon zgjedhje parlamentare shumë shpesh, qytetarët e vendit mesatarisht në çdo tre vjet kanë pasur zgjedhje të parakohshme.

Histori e shkurtër e zgjedhjeve të parakohshme

Në vitin 2008 u mbajtën zgjedhje të parakohshme, pasi qeveria atëkohë e formuar VMRO- DPMNE- ja dhe Partia Demokratike Shqiptare ishte pa legjitimitet demokratik, meqë partia e Menduh Thaçit ishte bërë pjesë e qeverisë, duke qenë humbëse e zgjedhjeve.

Në vitet 2011 dhe 2014, VMRO – DPMNE-ja, duke dashur të përforcojë pozicionet e saj politike, sidomos në raport me faktorin politik shqiptar, organizonte zgjedhje të parakohshme dhe i fitonte bindshëm ato. Në vitin 2011 fitoi 56 deputetë, ndërsa në 2014- tën e arriti synimin e saj strategjik – fitoi 61 deputetë, duke siguruar në këtë mënyrë pushtet absolut, qoftë horizonatalisht, në të gjitha nivelet, qoftë vertikalisht, pasi në duart e saj ishin presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese e shumë institucione tjera të rëndësishme shtetërore.

Në vitin 2016, pas publikimit të bombave nga përgjimet, në pushtet pas një dekade erdhi Lidhja Socialdemokrate, në krye me Zoran Zaevin. Qeveria e Zaevit arriti ta përfundojë mandatin e saj katërvjeçar, megjithë vështirësitë që kishte, duke përfshirë edhe arritjen e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila e ndryshon emrin e shtetit në Maqedonia e Veriut.

Edhe pas vitit 2020, qeverinë e drejtojnë socialdemokratët, së bashku me integristët dhe alternativistët shqiptarë, ndërsa pas dorëheqjes së kryeministrit të mëparshëm, Zoran Zaev nga janari i vitit 2022 me qeverinë drejton Dimitar Kovaçevski.

Dy skenarë: zgjedhje të parakohshme apo mandat deri në 2024tën!   

Dy janë skenarët se se do të jetë trajektorja e ecejakes politike të qeverisjes.

I pari, nëse në janarin e ardhshëm arrihet që ndryshimet kushtetuese, me të cilat parashikohet që në preambullën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut të përmendet edhe komuniteti bullgar, partia opozitare VMRO – DPMNE do të bëjë presion për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas këtij vendimi të “rëndë” politik, partia e Mickovskit do të kërkojë që ky verdikt të testohet në zgjedhje! Deri më tani, të sigurt janë 74 deputetë që do të mbështesnin ndryshimet kushtetuese, që do të thotë se duhen edhe 6 që aktualisht, hë për hë, nuk është se ka gjasa të sigurohen!

Skenari i dytë: Me këtë ritëm të opozitbërjes, qeverisja do të vazhdojë mandatin e saj deri në vitin 2024, kur mund të mbahen së bashku zgjedhjet parlamentare me presidencialet. Kjo do të zvogëlonte shpenzimet financiare për zgjedhje, aq më tepër që vendi si pasojë e krizës globale ekonomike dhe energjetike, shënon rritje të madhe të inflacionit dhe me këtë edhe mirëqenia e qytetarëve është rrezikuar dukshëm.

VMRO – DPMNE – ja, edhe pse jemi në fund të vitit 2022, nuk mund t’i shmanget retorikës së saj etnonacionaliste. Në vend se të adresojë çështje që janë vitale dhe të përgjithshme, që prekin të gjithë qytetarët, Mickovski dhe bashkëmendimtarët e tij nuk heqin dorë nga ideja e shfuqëzimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në vend që Mickovski, të mbështes rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, vazhdon me diskursin e njohur të partisë së tij e cila shpesh veten e shpall “gardiane” të interesave etnike maqedonase.

Opozitarizimin e saj, nuk është se nuk e bën fare, kur janë në pyetje interesat konkrete të qytetarëve, por ai më tepër është preskonferencial apo deklarativ.

Opozita shkon pas zërit të ambasadores amerikane  

Në vend se VMRO – DPMNE- ja, së bashku me partitë opozitare shqiptare, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, të kërkojnë me ngulm luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar apo institucional si shkaktari kryesor për ikjen e të rinjve, këtë e bën ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler. Ajo është e qartë se korrupsioni dhe krimi demotivojnë të rinjtë që të ikin nga vendi. Një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion. “Sektori i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka nevojë për më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar ambasadorja amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner strategjik i vendit kanë shpenzuar shumë fonde financiare për reformimin e sistemit shtetëror, në veçanti atij prokurorial dhe gjyqësor, policor e administrativ, por rezultatet e vjelura, njësoj si për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe për Uashingtonin zyrtar nuk janë të lakmueshme.

Natyrisht, se VMRO – DPMNE – ja, nuk është një parti që shquhet për integritet dhe ndershmëri në praktikimin e pushtetit, pasi shumë zyrtarë të saj, përfshirë edhe ish shefin e kësaj partie, Nikolla Gruevski akuzohen ose janë të dënuar për vepra të rënda kriminale. Nisur nga ky fakt, kjo parti, prandaj si duket, nuk është shumë e zëshme në këtë drejtim, pasi çdo hapje e gojës së zyrtarëve të saj, i kujton veprimet e kësaj partie, përfshirë edhe “Swarovski gjyqësorin” apo diktatin politik ndaj një pjese të gjykatësve, të cilët në vend se me drejtësi kanë gjykuar me porosi nga shtabi politik i VMRO – DPMNE – së.

Dy partitë tjera, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, por edhe Alternativa, edhe pse pjesë e pushtetit, kanë mundur më shumë të tematizojnë dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të vendosin lartë në agjendën politike. Si zakonisht kanë përshëndetur thirrjen e pakompromis të ambasadores amerikane. Por, duhet pasur parasysh se BESA ishte pjesë e qeverisjes, Alternativa është pjesë e saj, ndërsa Aleanca për Shqiptarët është bërë gati për hyrje në qeveri!

“LSDM-në nuk ua merr askush”!

Në vitin 2015 në një shkrim, pata theksuar për partitë shqiptare se “Zaevin nuk ua merr askush!” Nga kjo distancë, ky konstatim jo vetëm që është i saktë, por duhet edhe riformuluar me shtesën që “LSDM-në nuk ua merr askush!” Nga viti 2017, nuk ka parti shqiptare, prej ekzistueseve, që nuk ka provuar koalicionin qeveritar me LSDM-në!

Zëra të ndryshëm thonë se sivjet Viti i Ri do të sjell më shumë fat për Aleancën për Shqiptarët, pasi do të bëhet pjesë e Qeverisë së Kovaçevskit.

Aleanca në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishte në koalicion me partinë Uniteti të Gëzim Ostrenit, me Rilindjen Demokratike Kombëtare (RDK) të Vesel Memedit dhe me tre deputetë u bë pjesë e qeverisë së Zaevit për një kohë shumë të shkurtër.

Në cikle të ndryshme zgjedhore parlamentare, lokale dhe presidenciale ishte në koalicion, herë me BESË-n, e herë me Alternativën, ndërsa së bashku me VMRO – DPMNE-në, Alternativën, BESË-n dhe partinë “E majta” (Levica) tentuan të krijojnë shumicë të re parlamentare për rrëzimin e qeverisë së socialdemokratëve dhe integristëve. Në zgjedhjet e fundit lokale kishte bashkëpunim me VMRO – DPMNE – në, ndërsa të shpeshta ishin fotografimet e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari me kreun e Shkupit, Danella Arsovska, e cila lëre që nuk ka treguar se është kohezive në raport me shqiptarët, por me veprimet e saj ka bllokuar edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Bashkëpunimi me VMRO – DPMNE-në, nuk i siguroi Aleancës ndonjë sukses të madh në zgjedhjet lokale, ndërsa i njëjti u shkëput, pas protestave të kësaj partie kundër Marrëveshjes me Bullgarinë. Pozicionimi kah LSDM-ja me siguri ndërlidhet me analizën e kapacitetit koalicioniues të Mickovskit dhe VMRO-DPMNE-së me partitë shqiptare, i cili objektivisht tregohet tepër i ulët.

Nga një parti politike, e cila e ka sufiksin “për shqiptarët”, me hyrjen në qeveri, Aleanca tenton të dëshmojë se në momente “historike” është në gjendje të vihet mbi këto interesa dhe të punojë për ato të përgjithshmet apo shoqëroret.

Çfarë përfiton dhe çfarë humb Aleanca nga pushteti?

Kësaj pyetjeje duhet t’i japim përgjigje në rrafshin e përgjithshëm politik dhe atë partiak.

Hyrja eventuale e Aleancës në qeveri, do të jetë në të mirën e vendit, do të sigurojë stabilitet parlamentar, ndërsa shumica nuk do të jetë e kërcënuar nga deputetët e “Grupit të zjarrit” në BDI, e as nga deputetët e partive minore të tipit Pavle Trajanov apo të partisë së Maja Moraçaninit. Shikuar nga ky këndvështrim përfshirja e Aleancës i kontribuon konsolidimit të institucioneve, të cilat energjinë e tyre duhet ta shpenzojnë për ballafaqim me krizën ekonomike, e jo me atë politike përkatësisht në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ky stabilitet do të kontribuonte në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe do të ndikonte edhe më shumë në përballjen me forcat proruse në Maqedoninë e Veriut, pasi ky koalicion qeveritar do të duhej të jetë në funksion të agjendës evropiane.

Por, hyrja e mundshme në qeveri si do t’i reflektohet Aleancës në aspektin partiak?

Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, diku në vitin 2009 shkruante kolumna politike dhe vendin e cilësonte me sistem “demokrature” (pra demokraci me elemente të theksuara të diktaturës), që më vonë faktori ndërkombëtar do ta quaj sistem hibrid, ndërsa në një rast pati shkruar se “VMRO – DPMNE-ja mund të harxhojë BDI-në, por jo edhe shqiptarët!

Pra, qeverisja e LSDM-së mund të harxhojë partitë që thirren se janë përfaqësues të shqiptarëve, por sigurisht se te shqiptarët gjithmonë do të ketë prurje të reja politike, që do të zëvendësojnë aktualet, që ngjiten në pushtet pa legjitimitet.

Në vitin 2008, siç thamë, PDSH-ja u “instalua” në pushtet, meqë ajo nuk fitoi zgjedhjet për të marrë pjesë në të. Aleanca për Shqiptarët, më së miri e di se ky ka qenë gabimi më i madh i ish shefit të tyre, Menduh Thaçi, pasi pjesa dërmuese e drejtuesve të Aleancës janë produkt i PDSH – së. Sot, PDSH-ja është parti me një deputet, ndërsa BDI-ja vazhdon të jetë partia e parë ndër shqiptarët dhe sikur partitë konkurruese të saj pajtohen me këtë fakt!

Aleanca për Shqiptarët, nëse do të merrte vendim autonom politik, do të duhej të bëjë analizë krahasimtare me pozicionin qeverisës që ka Alternativa në qeveri, e cila në emër të integrimit të famshëm u bë pjesë e qeverisë. Një parti politike, që mëton të dëshmojë seriozitet dhe që dëshiron të dëshmojë se është më ndryshe se BDI-ja, nuk duhet të mjaftohet me politikbërje imazhesh me kolltuqe dhe kollare, të publikuara në rrjetet sociale apo në portale, narracioni i të cilave do të ishte kryekëput piarist në stilin “u takuam me këtë apo atë”, por që për publikun nuk thonë asgjë substanciale. Aq më tepër, që në qeveri janë bërë kallaballëk partish dhe “kulaçi” që merret nuk është i madh, edhe pse në anën tjetër pritjet e anëtarësisë janë të mëdha, fakt që mund të shkaktojë edhe dëshpërime të mëdha. Shndërrimi i partisë politike në grup të vogël interesi, që u ndan pozita anëtarëve të kryesisë apo kryetarëve të degëve, ndikon që ajo asnjëherë të mos bëhet masive dhe pretenduese për pushtet faktik, por gjithmonë do të mbetet “lojtar” që do të fitojë një copë pushteti!

Aleanca ka 8 deputetë, ndërsa Alternativa kishte 4, por kur shumica parlamentare nuk ishte e sigurt, pas largimit të BESË-s nga qeveria, vlenin sa 8. Alternativa, edhe pse premtoi se futet në qeveri për të rishqyrtuar apo për tu bërë hetimi ndërkombëtar i rasteve të montuara politike siç janë “Monstra”, “Rasti i Kumanovës”, “Rasti Alfa”, “Rasti i Almirit të vogël” e kështu me radhë, për rihetimin e tyre nuk ka fare shpresë. Kjo çështje nuk është përmendur fare në agjendën qeveritare, që dëshmon se nuk do të bëhet realitet. Aleanca nuk duhet të shikohet në pasqyrën e Alternativës, pasi i mjafton pasqyra e vetvetes. Ajo ishte pjesë e qeverisë së Zaevit në vitin 2017, i cili si “shpërblim” për pjesëmarrje në qeveri, ia morri Ministrinë e Shëndetësisë dhe ia ofronte zëvendëskryeministrin për reforma, që Ziadin Sela e quajti ministër për byrek. Në Ballkan historia përsëritet shpesh!

Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit.

 

Të fundit