Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Këtë e ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas disa akteve të dhunës në veri të Kosovës, raporton KDPOLITIK.COM.
“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së”, thotë Kurti.
Sipas tij, si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, shkruan kryeministri kosovar.
Ai thote se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.”
“Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, thotë Kurti.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur sërish të shtunën, pasi është raportuar për bllokada në rrugë dhe aktivizim të sirenave.
Në Rudarë të Zveçanit dhe në Leposaviq – të dyja komuna me shumicë serbe – janë bllokuar rrugët, teksa në Mitrovicën e Veriut janë dëgjuar edhe sirenat.
Sipas informatave që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga terreni, në Rudarë janë parë katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës, ndërsa aty janë grumbulluar burra të maskuar dhe gra.
Për këto zhvillime është raportuar pak orë pas arrestimit të ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiq është arrestuar, pasi ka dëshmi se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit”.
Ai besohet se i është referuar sulmit të disa ditëve më parë në zyret e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, teksa zyrtarë të këtij institucioni kanë synuar të nisin përgatitjet për zgjedhjet në komunat veriore.