E premte, 19 Korrik, 2024

SVEÇLA: VUÇIQI I DIRIGJON GRUPET KRIMINALE NË VERI TË KOSOVËS

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se po përhap propagandë kundër Kosovës dhe për incidentet në veri me qëllim që të mbrojë grupet e armatosura, përcjell kdpolitik.com.

“Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit. Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë
me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut. Sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë”, ka shkruar Sveçla në rrjetet sociale.

Sipas tij, këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.

“Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë”, ka thënë Sveçla.

Ai ka theksuar se Propaganda e  Vuçiq më nuk gjenë adresë, askund.

“Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”, ka shkruar Sveçla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

“Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje] do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Ai tha se e di që kjo kërkesë do të refuzohet.

“Por, është mirë që një ditë nuk do të thonë se nuk e kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë qeveri nuk guxoi të kërkonte” dislokimin e trupave në Kosovë, tha presidenti serb.

Sipas tij, KFOR do të gjejë “arsye të panumërta” për të dëshmuar se janë në kontroll të situatës. Por, Vuçiq paralajmëroi se Serbia do të kërkojë mënyra të reja ligjore për të arritur qëllimin e saj.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Lideri serb pretendoi se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si i komenton këto paralajmërime të Serbisë.

Paralajmërime të ngjashme për dërgimin e trupave në Kosovë kanë bërë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Të fundit