E shtunë, 18 Maj, 2024

DREJTËSIA E ZVARRITJEVE TË PAFUNDME, A MUND TË “ÇLIROHET” GJYQËSORI NGA VONESAT?

Vonesat sistematike në procedimet gjyqësore vazhdojnë të jenë një problem në Maqedoninë e Veriut. Në të gjitha raportet e Komisionit Evropian, por edhe në raportin më të fundit theksohet se nevojiten reforma në sistemin gjyqësor dhe strategji afatgjate. Juristja Leonita Zeqiri thotë se gjykatat janë bashkëpunëtore të zvarritjeve të proceseve të ndryshme gjyqësore, duke nxjerrë çdo ditë nga një justifikim të çalë, për zvarritjen e çështjeve. Sipas saj, nuk është aspak etike dhe morale nga ana e atyre që gëzojnë karriget nëpër gjykata që të lënë zvarrë një sërë çështjes të pazgjidhura për qytetarët”

 Shkruan: Puhiza Osmani

Vonesa konsiderohet ngecje e procedurës gjyqësore, akt që shumë qartë çon në padrejtësi, dhe është shkelje e të drejtave kushtetuese të qytetarëve. Kjo gjendje në organet e jurisprudencës me sa duket shumë pak ka ndryshuar ndër vite, dhe këtë mundemi ta vërejmë që nga raportet e Komisionit Evropian, Këshilli, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian dhe Komitetin e Rajoneve, nga vitit 2015 e deri më sot. Duke krahasuar raportin e vitit 2015 me raportin e vitin 2022, vërejmë se në të dy raportet theksohet se: “Vlerat themeluese të BE-së përfshijnë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një sistem gjyqësor efektiv, i pavarur, me cilësi të lartë, dhe një luftë efektive kundër korrupsionit janë të një rëndësie të madhe, siç është respektimi i të drejtave themelore në ligj dhe në praktikë”.

Por që nga viti 2015 vendi jonë ka dështuar në krijimin e një sistemi efektiv dhe të drejtë. Në raportin e vitit 2015 theksohet se sistemi gjyqësor i vendit po kthehej mbrapa, nga ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit. Për parandalimin e kthimit mbrapa në raport përcaktohej se Maqedonia e Veriut duhet të depolitizojë sistemet e emërimeve dhe ngritjes në detyrë në praktikë, dhe jo vetëm në ligj, të ofrojë mbështetje dhe burime të plota për Prokurorin Specia, si dhe të duhej të miratonte një Strategji të re të Reformës në Drejtësi dhe plan veprimi duke adresuar të gjitha mangësitë e mbetura në mënyrë të qëndrueshme.

Për dallim nga ky raport, në raportin e vitit 2022 theksohet se është arritur një farë progresi në fushën e gjyqësorit, nëpërmjet strategjisë së re që u vendos për të bërë reformë në drejtësi. Por pavarësisht se sot mund të jenë bërë përpjekje për zbatimin e këtyre strategjive, sipas raportit këto strategji sërish nuk janë në përputhje me standardet evropiane. Prandaj duhet të punohet në drejtim të miratimit të një ligji të ri për procedurën civile dhe në përgatitjen e strategjisë së re për reforma në drejtësi për periudhën 2023-2027, si dhe përshpejtim i zbatimit të strategjive të burimeve njerëzore për rrjetin e gjyqësorit dhe Prokurorisë Publike.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë detyrimet e saj të përgjithshme për të drejtat themelore, por ka sfida në zbatimin e legjislacionit ekzistues. Është thelbësore që të përfundojë emërimi i gjatë i anëtarëve të organeve të pavarura dhe rregullatore, bazuar në merita. Pavarësia funksionale e organeve të të drejtave të njeriut duhet të garantohet në çdo kohë, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare për t’u mundësuar atyre të kryejnë siç duhet mandatin e tyre. Situata në burgje mbetet dramatike. Zgjidhjet sistematike për përmirësimin e kushteve të paraburgimit duhet të zbatohen me urgjencën më të madhe. Liria e shprehjes dhe pikëpamjet pluraliste vazhduan të lulëzojnë, por sfidat mbeten. Vendi ka nevojë për një strategji për reforma të mëtejshme në media, e përpunuar me mbështetjen e të gjithë aktorëve përkatës”, theksohet në Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022.

Juristja Leonita Zeqiri u shpreh se drejtësia e vonuar është shkaku më i madh që ndodh korrupsionit, madje po mbizotëron në vendin tonë. Sipas saj, kjo problematikë po shkel të drejtat themelore të njeriut, dhe ne duhet të gjejmë mënyra dhe mjete për t’u marrë me këtë problem, në mënyrë që ta ruajmë besimin e njerëzve tanë ndaj aftësisë së sistemit gjyqësor.

“Gjykatat tona sot janë bashkëpunëtore të zvarritjeve të proceseve të ndryshme gjyqësore, duke nxjerrë çdo ditë nga një justifikim të çalë, për zvarritjen e çështjeve. Nuk është aspak etike dhe morale nga ana e atyre që gëzojnë karriget nëpër gjykata që të lënë zvarrë një sërë çështjes të pazgjidhura për qytetarët. Në këtë rast qytetari i pafajshëm është fatkeqi më i goditur, i cili duhet të strehohet nga gjykatat për të marrë drejtësi, dhe rasti më i keq këtu është se ai nuk mund ta llogarisë ditën se kur do të vijë e ashtuquajtura drejtësi. Dihet qartë se e drejta për gjykim sa më të shpejtë është e drejtë themelore me kushtetutë, dhe këto zvarritje të procedurave ligjore që po ndodhin po e mohojnë këtë të drejtë. S’ka nevojë që ta them unë apo dikush tjetër se kjo çështje është një faktor shkurajues, sepse flet vetë fakti që besimi i njerëzve ndaj sistemit tonë gjyqësor është zbehur jashtë mase shumë. Unë mendoj se duhet me patjetër që të vendoset një plan specifik që të paktën ta sjellë zgjidhjen e procedurave gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm kohor”, thotë Zeqiri.

Zeqiri gjithashtu thotë se vonesa e vazhdueshme në sistemin gjyqësor cenon dhe stabilitetin ekonomik, sepse ndikon shumë negativisht në sektorin privat. Prandaj, sipas saj, duhet të krijohet një kornizë e re strategjish për të përmirësuar performancën e gjykatës së vendit.

“Sipas meje siguria juridike dhe në kohë, është një parakusht për të pasur stabilitetin ekonomik, sepse zvarritjet e procedurave gjyqësore për mosmarrëveshjet tregtare zakonisht ndikojnë negativisht në rritjen e një biznesi, si dhe në investimet e sektorit privat. Si dhe për të mos përmendur edhe barrën e konsiderueshme të rritjes së kostos që shkakton shtyrja e vazhdueshme e këtyre çështjeve. Prandaj sipas mendimit tim qeveria duhet sa më shpejt që të parashtrojë rekomandime për masat e reja që do të ndihmojnë në trajtimin e rasteve të vonesave”, tha Zeqiri.

 

 

 

Të fundit