E premte, 12 Korrik, 2024

KOMISIONI EVROPIAN BËHET PISHMAN: GABUAM!

Komisioni Evropian ka pranuar se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasus ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës. Kdpolitik.com transmeton njoftimin e Radios Evropa e Lirë se KE-ja tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon që regjimi i vizave në Zonën Shchengen të hiqet pa vonesa për kosovarët.

Vendosja e paragrafit ku kërkohej që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’i vendosnin viza kosovarëve për shkak të, siç u pretendua, se këto dy shtetet nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me Bashkimin Evropian, shkaktoi reagime në Kosovë, përfshirë edhe ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Ai e kishte cilësuar si “të papranueshme vendosjen e regjimit të vizave”, por një ditë më pas tha se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

KE-ja tha se ky gabim do të përmirësohet përmes një versioni të ri të po të njëjtit raport. Ky institucion i BE-së tha se nëse ky lëshim do të ishte i vërtetë, ai do të ishte në kundërshtim me mbështetjen e deklaruar të BE-së për lirinë e lëvizjes mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu ka mbështetur një marrëveshje të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha se KE-ja “tërësisht mbështet lirinë e lëvizjes në rajon dhe tërësisht mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Aktualisht, Këshillit Evropian i është dhënë mandati që të negociojë procesin e vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS.

Ky sistem kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si Zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më një janar të vitit 2024.

Të fundit