E diel, 19 Maj, 2024

MARRËVESHJA MES SARAJEVËS E KIEVIT HALË NË SYTË E KREMLINIT

Një marrëveshje bashkëpunimi e miqësie mes kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, dhe Kievit, kryeqendrës së Ukrainës, ka alarmuar shpirtrat pro-rusë dhe ambasadën e Rusisë në këtë republikë ish-jugosllave. Sikurse transmeton kdpolitik.com, kryebashkiakja boshnjake, Benjamina Kariq, ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë bërë që ky shtet të mos iu përkasë më vlerave evropiane: “Sjellja dhe veprimi juaj iu kanë ndarë  nga familja evropiane për çka po vuan e gjithë Evropa , si dhe vet qytetarët e Federatës ruse”.

Marrëveshja e sapo firmosur mbi bashkëpunimin miqësor ndërmjet kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe metropolit ukrainas Kievit, është cilësuar nga kryebashkiakja boshnjake si “një hap i madh përpara në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe të dy qyteteve”, por e njëjta është kritikuar nga Ambasada e Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë:

“Në përputhje me nenin 1, të dy kryeqytetet ‘përfaqësojnë vlerat evropiane të demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës’, ‘janë të përkushtuara për të drejtat e njeriut dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare’, se ‘promovojnë bashkëjetesën paqësore në Evropë’. Pothuajse çdo pikë është e mbushur me hipokrizi. Për çfarë sundimi të së drejtës mund të flisni me ata që uzurpuan pushtetin si rezultat i grushtit të shtetit më 2014 me çka nisën ngjarjet tragjike afatgjata në Donbass? Për çfarë angazhimi për të drejtat e njeriut mund të flisni me ata të cilët për shtatë vjet bombarduan sistematikisht popullatën civile me armë perëndimore, për çka vdiqën dhe po vdesin gra, pleq dhe fëmijë?…” – thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Ndërkaq, në reagimin e saj, kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq, ka thënë se ambasada e Rusisë nuk e ka tagrin të flasë për të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare e për bashkëjetesën në Evropë:

“Sepse vetë fakti se flamuri juaj është ulur në Këshillin e Evropës flet mjaft se ju nuk i përkisni më vlerave evropiane që kanë krijuar bashkërisht të gjitha shtetet sovrane dhe të pavarura të Evropës. Sjellja dhe veprimet tuaja ju kanë ndarë nga familja evropiane për çka po vuan e gjithë Evropa si dhe vetë qytetarët e Federatës Ruse. Pushteti në Ukrainë është zgjedhur në zgjedhje demokratike dhe me votën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shteti i Bosnjë-Hercegovinës doli qartë në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Popullsia e Ukrainës po vuan çdo ditë për shkak të agresionit të Federatës Ruse në territorin e Ukrainës dhe aneksimit të territoreve ukrainase në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, -ka thënë Kariq duke vlerësuar se Rusia e Putinit momentalisht është “fuqia kryesore e terrorit, diskriminimit, shtypjes së të vërtetës dhe përhapjes së gënjeshtrave në botë”, transmeton kdpolitik.com.

 

Të fundit