Diskutimet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Qeveri ende janë në fazën e hershme, pa ndonjë marrëveshje konkrete. Këtë për kdpolitik.com e thonë burime të besueshme partiake, të cilët informojnë se tani për tani diskutimi më i madh po bëhet brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, më saktë mes LSDM-së, BDI-së dhe Alternativës, se cila sa dikastere do të lëshojë që eventualisht do t’i merrte Aleanca për Shqiptarët nëse hyn në Qeveri.
ÇKA FITON E ÇKA HUMB ASH?
Analistët politik janë të mendimit se kyçja e ASH-së në qeveri ka përparsitë por edhe reziqet e saja politike.
Qenan Aliu
Analisti politik, Qenan Aliu, në një prononcim për KDPolitik.com thekson se kyçja e ASH-së në qeveri është çështje e brendshme e një subjekti politik, që sipas tij vetëm organet brenda-partiake duhet që ta vlerësojnë këtë momentum politik. Por ai shton se rreziku i hyrjes në Qeveri ësht i aspektit parimor dhe ideologjik.
“Unë mendoj se kyçja mund të ketë ca përparësi por edhe ca reziqe politike. Meqë tek ne çështja e bashkqeverisjeve nuk praktikohet sipas ideologjive, koncepteve apo profilizimit të partive por kryesisht sipas pragmatizmit politik. E krejt kjo ndosh për shkak të koceptit kushtetues të vendit. Andaj gjykoj se me hyrjen e ASH-së partitë që përbëjnë shumicën e brishtë do të humbin nga pak nga tepsia e pushtetit, kurse ASH dotë marrë pak nga ajo. Ndërkaq ky reformatim eventual i qeverisë vetëm se mund të shuaj , ”zjarin”, në BDI mbase më së shumti mund të dëmtojë demokracinë sepse shoqëria një vitë do të mbetet pa zër të fuqishëm opozitar së bashku me LB”, thotë Aliu.
Drejtori Ekzekutiv i Democracy Lab, Sefer Selimi, në një analizë për Kdpolitik.com, thotë se përfshirja e ASH-së në Qeveri vjen me rreziqe dhe mundësi për të gjitha palët, por që në këtë situatë të paparashikueshme, siç shkruan ai, ajo që sjell është stabiliteti për qeverinë, dhe pak më shumë qetësi për qytetarët të cilët e pakta që duan është të lëshohen në bllokadën dhe hazdisjen me zgjedhje të parakohshme.
“Që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 dhe krijimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me një shumicë të brishtë parlamentare, edhe ish kryeministri Zaev por edhe trashëguesi i tij Kovaçeski në më shumë raste publike ishin shprehur që ‘’së shpejti, shumica parlamentare do të rritet’’. Atë kohë, këto deklarata shprehnin më shumë një dëshirë se sa një mundësi reale. Për më tepër, shumica parlamentare u vendos në pikëpyetje pas zgjedhjeve lokale kur njëri nga partnerët, Lëvizja Besa, vendosi të braktis koalicionin qeverisës dhe u rreshtua me forcat opozitare për të krijuar një konglomerat të ri qeverisës me partitë opozitare të udhëhequra nga VMRO-DPMNE. Pas kësaj tentative të dështuar u bë rokadë partnerësh me ç’rast partia Alernativa braktisi koalicionin me Alencën për Shqiptarët dhe me katër deputetët e saj zëvendësoi Lëvizjen Besa duke siguruar mbijetesën e shumicës por jo mjaftueshëm për ta zgjidh problemin me brishtësinë e numrave. Në skenën politike së fundmi ka një përpjekje për të ndryshuar radhitjen e forcave në shumicën parlamentare, më seriozja deri tani, duke përfshirë Aleancën për Shqiptarët me tetë deputetët e saj në Qeveri. Në vigjilje të kësaj mundësie një pikëpamje për atë se kush çka fiton dhe kush çka humb në rast se Aleanca për Shqiptarët përfshihet në qeveri,” shkruan Selimi
Nga ana tjetër ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov, në emisionin Win-Win në Televizionin Telma ka thënë se hyrja e ASH-së në qeveri i përshtatet më së miri BDI-së, duke shtuar këtu se të gjitha proceset aktuale politike shkojnë në favor të kreut të Integristëve, Ali Ahmetit.
“Hyrja e Aleancës në qeveri i përshtatet më së miri BDI-së. Pse? – Sepse BDI është kryesore në qeveri. Nëse nuk ka zgjedhje deri në 2024, kujt i përshtatet më shumë? – BDI-së. Natyrisht që i shkon për shtat edhe LSDM-së, sepse ka një rejting të ulët dhe nëse nesër ka zgjedhje, pasnesër nuk do të jetë në pushtet. Kjo është e qartë. Por BDI nuk do ta ketë pushtetin që ka sot pas asnjë prej zgjedhjeve të ardhshme. Nga ky aspekt, kjo i shkon më shumë për të forcuar pozicionin e tij. Së dyti, çdo parti opozitare që është shfaqur në të kaluarën dhe që i afrohet BDI-së, BDI-ja punon me shumë mjeshtëri dhe e mposht në tavolinë, jashtë zgjedhjeve. Ka ndodhur me Besën, tani ka ndodhur me Aleancën”, ka thënë Todorov.
ALTERNATIVA DHE “GRUPI I ZJARRIT” JANË KUNDËR
Ndryshe, përfshirja e ASH në qeveri ka qenë temë edhe e mbledhjes së fundit të kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim. Dy eksponentët nga grupi i “zjarrit”, Izet Mexhti dhe Blerim Bexheti, deklaruan publikisht se janë kundër hyrjes së ASH-së, me arsyetim se nuk ka asnjë qëllim politik, dhe se shumica është e qëndrueshme.
Njëjtë edhe Alternativa me 4 deputetët e saj është kundër hyrjes së Aleancës, ku kjo do të thotë se edhe ata do të duhet të japin një dikaster në favor të partnerit të ri.
Ndryshe, të premten bëhet një javë nga takimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kryetarin e ASH-së, Arben Taravari.
Taravari, i cili duhet të zgjidhet kryetar partie në kongresin e mesit të dhjetorit, pret një ofertë konkrete nga partnerët qeveritarë. I pyetur të enjten nga gazetarët se a vazhdojnë bisedimet mes partnerëve të kualiconit dhe ASH-së, Taravari ripërsëriti edhe një herë se nuk ka bisedime dhe diçka të re në këtë drejtim.
“Tash për tash nuk ka asgjë të re. Mendoj se këtë bisedë më shumë e nxisin disa qendra të caktuara sesa realisht po zhvillohen bisedime. Do të shohim çka do të ndodh, por tash për tash nuk jemi duke negociuar,” ka deklaruar Taravari.
Ndryshe, Shumica aktuale qeveritare numëron 64 nga 120 deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Kjo e bën shumicën të brishtë kurse qeverinë peng të partive më të vogla. Ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin vitin e ardhshëm për të përfshirë bullgarët etnikë në Kushtetutë kërkojnë 80 deputetë. Me ASH në qeveri shumica do të arrinte në 74. Ndryshimet kushtetuese janë parakusht që vendi të vazhdojë negociatat për anëtarësim në BE.