E premte, 12 Korrik, 2024

SA DO TË JENË FATURAT E RRYMËS KËTË DIMËR? MINISTRI PARALAJMËRON ULJE, EKSPERTËT SKEPTIKË

Ministri Bekteshi paralajmëroi ulje të çmimeve të energjisë elektrike, por eksperti Halili thotë se kjo ulje nuk do të ndikojë në sektorin e biznesit pasi metodologjia e llogaritjes së kostos së energjisë mbetet e njëjtë.

Shkruan: Eljesa Dervishi 

“Viti i ri nuk do të nisë me rrymë më të shtrenjtë, ndërsa nga 1 dhjetori pritet të ketë ulje të çmimeve të produkteve bazë”.

Këtë e ka paralajmëruar Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për DW, duke  siguruar se Qeveria ka një zgjidhje për të qetësuar krizën.

Në një prononcim për KDP, eksperti i ekonomisë Arben Halili, u shpreh realizimi i paralajmërimeve për uljen e energjisë elektrike, është një lajm i mirë si për biznesin poashtu edhe nga qytetarët.  Ky paralajmërim vjen pas çmimeve stratosferike që paguan bizneset dhe amvisëritë që nga muaji gusht.

ULJE PA IMPAKT PËR BIZNESET

Megjithatë, Halili vlerëson se ulja e parlajmëruar nuk do të ketë impakt të lartë ekonomik në kostot operative të biznesit.

“Kjo për faktin që metodologjia e llogaritjes së kostos së energjisë së shpenzuar ngelet e njëjta, siç u soll para disa muajsh, dhe kjo nuk do ul në mënyrë të theksuar koston, për më tepër që ndodhemi para sezonit dimëror dhe logjikisht edhe rritja e sasisë së harxhuar elektrike do të jetë më e lartë”, u shpreh Halili.

Ndër të tjerash, ai theksoi se do të ketë një efekt poziv në xhepin e qytetarëve të zakonshëm, dhe vlerëson që vetëm ndryshimi i metodologjisë së faturimit, do të kishte impakt pozitiv në uljen e dukshme të kostos totale, por në përgjithësi kostoja totale për energjinë elektrike në nivel vendi akoma ngelet shumë e lartë.

“Së dyti, do ketë një efekt pozitiv në xhepin e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht ata që nuk harxhojnë shumë, por në përgjithësi kostoja totale për energjinë elektrike në nivel vendi akoma ngelet shumë e lartë. Për fund vlerësojë që vetëm ndryshimi i metodologjisë së faturimit, do të kishte impakt pozitiv në uljen e dukshme të kostos totale, qoftë për buxhetin familjar apo sektorin e biznesit. Kështu siç paralajmërohet do të ketë një ulje të zbehtë për njësi të harxhuar, po nuk besoj se do ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në uljen e kostos së përgjithëshme, veçanërishtë të produkteve të konsumit të gjerë”, theksoi Halili.

ÇMIMET NUK DO TË RRITEN

Nga ana tjetër, Bekteshi në intervistën për DW paralajmëron forcimin e kontrolleve inspektuese që të mos ketë abuzime dhe pretendon se importi i energjisë elektrike gjatë kësaj peridhe ka qenë një opsion më i lirë se prodhimi vendas.

“Nuk do të ketë rritje drastike të çmimeve nga 1 janari, janë të mundshme edhe lëvizje në rënie. Gjithça varet nga ajo që do të përcaktojë Komisioni Rregullator pasi të bëhen analizat dhe projeksionet e duhura dhe në përputhje me këtë, nëse është e nevojshme, do të merret një vendim i duhur nga Qeveria”, u shpreh Kreshnik Bekteshi.

Sipas projeksioneve tona dhe bisedave që do të kemi në Këshillin Ekonomik, mund të them se kriza nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve, amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël. Çfarëdo që të ndodh me prodhimin e EMV-së, çfarëdo që të ndodhë në sistemin energjetik, qytetarët nuk do të paguajnë kurr më shumë se sa paguajnë aktualisht. Unë kam përllogaritjet se sa mund të arrijë dhe them se rritja nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve”, tha mes tjerash Bekteshi.

Të fundit