E shtunë, 17 Maj, 2025

VAZHDON PËRPLASJA E PARTIVE PËR REFERENDUMIN

Kanë vazhduar përplasjet e partive politike rreth idesë për referendumin. LSDM ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se me propozimin për referendum del kundër BE-së, njësoj siç ishte kundër anëtarësimit në NATO. Nga VMRO-DPMNE kanë theksuar se kryeministri aktual i vendit  me daljen kundër referendumit, e ka shumëzuar popullin me zero dhe populli do t’i tregojë se është zero. Ndërsa, presidenti Stevo Pendarovski ka theksuar se ajo që po bën Mickovski është mobilizim politik i anëtarësisë së partisë së tij.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski mbetet në qëndrim të njëjtë në lidhje me referendumin e propozuar nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, në lidhje me ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së

Sipas kryeministrit Kovaçevski, referendumi i propozuar nga VMRO-DPMNE është  jorelevant dhe se vendi ka filluar negociatat për anëtarësim në BE. Ai ka theksuar se VMRO-DPMNE dikur ishte kundër edhe anëtarësimit në NATO, tani edhe kundër BE-së.

Së pari, Republika e Maqedonisë së Veriut deklaroi në një referendum gjatë pavarësisë u shpreh se dëshironte një shtet të pavarur anëtar të BE-së dhe NATO-s. VMRO – DPMNE është një parti që ishte kundër anëtarësimit në NATO, tani së bashku me partnerin e ri të koalicionit e Majta janë dy partitë e vetme që janë kundër anëtarësimit në BE dhe këtë e kanë treguar qartë gjatë votimit për propozimin e BE-së për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, numri dominues i deputetëve 68 që përfaqësojnë qytetarët, kanë marrë vendim që Republika e Maqedonisë së Veriut të fillojë negociatat. Referendumi për të cilin flet kryetari i VMRO-DPMNE-së është vetëm për përdorim të brendshëm politik sepse nuk ka parti politike përveç partnerit të tij e Majta, e cila është kundër NATO-s dhe BE-së dhe është për një aleancë të Azisë Qendrore me Rusinë, të jetë kundër BE-së”, ka thënë Kovaçevski.

Ndryshe, kreu i opozitës Hristijan Mickovski, dhe partia e tij VMRO-DPMNE bëjnë të ditur se kryeministri aktual i vendit  me daljen kundër referendumit, e ka shumëzuar popullin me zero dhe populli do t’i tregojë se është zero.

Sipas Mickovskit, kryeministri Kovaçevski është  “kryeministër jolegjitim” dhe se sa i rëndësishëm do të jetë ky referendum, rezultatet do të shihen në Tetovë më 20 gusht kur të votohet për këshilltarët komunal.

Vetëm një kryeministër jolegjitim i emëruar në mënyrën se si është emëruar mund ta konsiderojë zërin e popullit të parëndësishëm, e sa i rëndësishëm është ai do të shihet këtu në Tetovë më 20 gusht, kur lista e këshilltarëve të LSDM-së do të përjetojë një debakël klasik nga qytetarët e Tetovës dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ai personalisht dhe politikat e tij si kryeministër jolegjitim do të përjetojnë debakël nga qytetarët e Maqedonisë”, ka thënë Mickovski, i cili mbrëmë ishte në takim me degën e partisë në Tetovë, ku filloi  fushatën për zgjedhjet e këshillit komunal.

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski gjatë një interviste televizive nënvizoi se ajo që po bën Mickovski është mobilizim politik i anëtarësisë të tij, duke shtuar mes tjerash se nuk e ka ende të qartë kërkesën e VMRO-DPMNE-së për referendumin e propozuar.

Mendoni se njeriu që mori pjesë në Marrëveshjen e Prespës ishte pjesë e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, besoni se mund të thotë të jepet referendum tani? Mickoski ka nevojë për mobilizim politik dhe Pendarovski thotë se mendon të njëjtën gjë. Mendoj se është e drejtë që VMRO-DPMNE dhe “E Majta” të përcaktohen për atë që janë parti anti evropiane dhe të thonë se ne me kësi lloj kushte ne si bullgarë apo si e kuptojnë ato nuk duam të hyjmë në BE”, tha presidenti Pendarovski.

Në ndërkohë euroambasadori Dejvid Gir, bënë të ditur se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi negociues i Maqedonisë së Veriut me BE-në do të ndalet.

Me mënyrën se si është bërë marrëveshja, negociatat janë hapur. Skriningu filloi dhe kishim diçka që quhet konferencë ndërqeveritare që filloi i gjithë procesi. Kur skriningu do të përfundojë në këtë fazë, të shkoni në pikën tjetër nevojitet të ketë një tjetër konferencë ndërqeveritare”, ka thënë euroambasadori Gir.

Ndërsa në lidhje me referendumin e paralajmëruar nga opozita, Gir thotë se “për mbajtjen e një referendumi eventual unë do të them sërish se ky është një vendim sovran që duhet të marrë ky vend ndaj dhe nuk do të komentoj konkretisht rreth kësaj”.

Të fundit