E hënë, 21 Prill, 2025

HIQEN BARRIKADAT, SHTYHET ZBATIMI I VENDIMEVE PËR DOKUMENTET DHE TARGAT SERBE

Të nëntë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës janë larguar nga vetë ata më 1 gusht, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se po ashtu janë hapur dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë.

“Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët”, tha Sveçla.

Pas heqjes së barrikadave, ashtu siç ishte zotuar Qeveria, Sveçla tha se do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve që çuan në bllokimin e rrugëve, përkatësisht vendimet për dokumentet dhe targat serbe.

“Me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon”, tha ai.

Kamionët dhe mjetet e tjera të vendosura në rrugët që çonin drejt këtyre dy vendkalimeve në veri, nisën të largoheshin gjatë ditës së hënë.

Disa nga barrikadat ishin vendosur në fshatrat Rudarë dhe Zupç.

Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikën kufitare të Jarinjës.

Ndërkaq, fshati Zupç gjendet në afërsi të magjistrales Mitrovicë-Bërnjak.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se situata në atë pjesë të shtetit është e qetë.

Gjatë një adresimi për media, më 1 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nëntë barrikadat “me njerëz të armatosur”, më 31 korrik ndaluan qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë ditës tha se ishin gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovë.

Pas tensioneve në veri, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë krerëve të Kosovës dhe Serbisë, për t’u takuar në Bruksel.

Në takimin e thirrur nga Borrell, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paralajmëruar se do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura. Por, ende nuk ka konfirmim të pjesëmarrjes nga asnjëri lider.

Ndërkaq, rrugët e Mitrovicës së Veriut, e banuara me shumicë serbe, më 1 gusht janë parë mesazhe ku shkruhet: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Po ashtu, punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe arsimit të sistemit serb në Kosovë, gjatë ditës u urdhëruan që të dalin në barrikada.

Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Autoritetet e rendit kanë raportuar më 1 gusht se ka pritje të gjata në pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Në Merdarë pritjet po zgjasin deri në 60 minuta, ndërkaq te Dheu i Bardhë deri në 180 minuta.

 

Të fundit