Nga një anketë e publikuar së fundmi nga “Meta.mk” rezulton që 37 për qind e studentëve të anketuar nga universitete të ndryshme janë kushtëzuar nga disa profesorë të blejnë librat e tyre për të marrë nënshkrimet. Ndërkohë, disa studentë kanë theksuar për KDP se kanë qenë pjesë e kësaj skeme. Ish studentja Elma Aliji dhe studentja Linda Demiri kanë rrëfyer përballjen e tyre më këtë dukuri.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Sfidat studentore asnjëherë nuk kanë qenë të lehta dhe vazhdon të jetë ashtu edhe pse tashmë shumë rrethana kanë ndryshuar. Kohë pas kohë dalin në pah disa fenomene të çuditshme që ndodhin nëpër universitetet në vendin tonë. E ngjashme është edhe ajo që u bë publike së fundmi se shumë profesorë i kushtëzojnë studentët për ta blerë librin që ata e kanë botuar, në mënyrë që studenti të marrë nënshkrim ose notë, pavarësisht suksesit që ka në atë lëndë. Ka edhe nga ata profesorë që përveç se ua humbin studentëve mundësinë për paraqitjen e provimit, ua humbin mundësinë edhe të pranimit të tyre në provim, por edhe nga ato që ia humbin studentit edhe vitin. Këto pohime vërtetohen edhe me anketën e publikuar së fundmi nga “Meta.mk”, në të cilën anketë del që rreth 37% e studentëve nga universitete të ndryshme, kanë deklaruar se kanë qenë pjesë e kësaj skeme.
Por, këto vërtetohen edhe nga disa studentë që kanë pranuar të flasin për redaksinë tonë.
Ish studentja e Universitetit të Tetovës, Elma Aliji rrëfen përvojën e saj me profesorët në Fakultetin Juridik, Dega e Gazetarisë.
“Kam studiuar gazetari në Universitetin e Tetovës dhe ka pasur disa profesorë që kanë punuar me libra të posaçëm, kryesisht të botuar nga vetë ata dhe na kanë detyruar neve si studentë që t’i blejmë librat e tyre. Profesori i cili na ka ligjëruar lëndën e informatikës na detyronte në mënyrën më direkte, ku studenti që paguante librin kishte të kaluar automatikisht provimin, kurse disa gjenin lidhje tjera e disa që nuk donin të blenin librin i maltretonte duke i zvarritur me afate të tëra pavarësisht se sa ka qenë studenti i suksesshëm në ligjërata apo provim”, thotë Aliji.
Studentja e Universitetit “Kirili dhe Metodi”, Linda Demiri poashtu e konfirmon se profesorët e saj e kanë kushtëzuar atë, për ta blerë librin e tyre pasi që në të kundërtën nuk do mundej të futet në provim.
“Po fatkeqësisht, nga shumica e profesorëve përdoret kjo metodë. Këtë vit, është hera e parë që jam ballafaquar me këtë metodë. Studentët frikësohen t’i paraqesin këto profesorë, pasi që mendojnë se nuk do të kenë përkrahje nga organet kompetente dhe thjeshtë do të jenë po ata që do e pësojnë”, theksoi Demiri.
Në ndërkohë, studenti i Universitetit të Europës Juglindore, Abedin Ismaili, thotë se në universitetin ku studion nuk ka hasur as dëgjuar kësi lloje rastesh, ndërsa shton që kolegët tjerë nuk i denoncojnë këto raste në organet e rendit pasi që munden të përballen me bllokada në procesin e studimeve.
“Kur flasim për profesorët duhet të veçojmë se për cilët profesorë dhe nga cila universitete bëhet fjalë. Kam dëgjuar nga kolegët ku studiojnë në Universitetin e Tetovës se madje shumë profesorë i kushtëzojnë studentët për blerjen e librit që t’iu japin nënshkrimin si e drejtë për të hyrë në provim. Ndërkaq, shumica e atyre që përballen me raste të tilla frikësohen t’i denoncojnë pasi mund të përballen me një bllokadë të stërzgjatur deri në diplomim”, thotë Ismaili.
Ndërkohë që si KDP kemi kërkuar prononcim nga universitetet për praninë e kësaj dukurie që vjen si ankesë nga studentët, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kemi marrë një përgjigje.
Këto nuk janë ankesat e vetme të studentëve e ish studentëve, ka edhe shumë kolegë të tyre që e deklarojnë të njëjtën gjë, por ata ngurojnë të deklarohen publikisht për shkaqe personale. Pasoja kryesore që përmendën ata, është bllokada që mund ta kenë në ciklin e studimeve.