E martë, 13 Maj, 2025

AGJENDA EUROPIANE PËR TË RINJTË E BALLKANIT PERËNDIMOR

Në seancën plenare të korrikut, opinioni i KESE-së mbi Politikat Rinore në Ballkanin Perëndimor, si pjesë të Agjendës së Inovacionit për Ballkanin Perëndimor, thekson sfidat dhe vështirësitë e përbashkëta me të cilat po përballen të rinjtë sot, në gjithë Ballkanin Perëndimor duke u përqendruar te papunësia, ikja e trurit, arsimimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e aftësive dhe kompetencave  që edhe e kryesojnë listën. Agjenda e BE-së për Inovacionin për Ballkanin Perëndimor e përfshin rininë dhe, në këtë mënyrë, inkurajon qeveritë e Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë kornizën e tyre të politikave rinore dhe të vazhdojnë me reformat e nevojshme për ta kthyer vendin në një rajon me perspektiva për të rinjtë. Plani Ekonomik dhe i Investimeve (EIP) për Ballkanin Perëndimor, i publikuar nga Komisioni Evropian (EC) në tetor të 2020, propozon zbatimin e skemave të Garancisë së të Rinjve në Ballkanin Perëndimor në katër faza përgjatë periudhës 2021-27

Shkruan: Fatjona Abdullahi

Për të siguruar një të ardhme më të begatë për qytetarët, qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të adresojnë problemet me të cilat ndeshen të rinjtë. Ndarjet e mjaftueshme dhe transparente të buxhetit për zhvillimin e politikave rinore dhe përfshirjen e të rinjve në procesin e anëtarësimit në BE, janë parakusht për lehtësimin e ndryshimeve pozitive dhe përmirësimin e situatës së të rinjve në rajon.

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (KESE) është organi që përfaqëson punëtorët, punëdhënësit dhe shoqërinë civile dhe ndërvepron me të gjitha institucionet e tjera të BE-së me opinione, rekomandime dhe raporte.

Në seancën plenare të korrikut, opinioni i KESE-së mbi Politikat Rinore në Ballkanin Perëndimor, si pjesë të Agjendës së Inovacionit për Ballkanin Perëndimor, thekson sfidat dhe vështirësitë e përbashkëta me të cilat po përballen të rinjtë sot, në gjithë Ballkanin Perëndimor duke u përqendruar te papunësia, ikja e trurit, arsimimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e aftësive dhe kompetencave  që edhe e kryesojnë listën.

Andrej Zorko pjesëmarrës në hulumtimet e paraqitura në raport, u bën thirrje vendeve të rajonit që të respektojnë politikat e BE-së në këtë fushë dhe të ndajnë investime më të mëdha për zhvillimin e të rinjve sepse zhvillimi i politikave kombëtare për rininë dhe aftësimi i të rinjve për të marrë pjesë në krijimin e këtyre politikave është jashtëzakonisht me rëndësi, sipas tij.

Sipas KESE-së, është e rëndësishme të punohet në edukimin, mobilitetin dhe punësimin e të rinjve si qëllime më kryesore, ndërsa përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duhet të krijohet  mundësi për të maksimizuar përfitimet e të rinjve.

Raporti thekson se rajoni po përballet me një ikje të madhe të trurit të brezave të rinj, me papunësi të lartë, me arsimim të pamjaftueshëm dhe me aftësi të pamjaftueshme.

Komiteti vë në dukje se të rinjtë janë në një pozitë të palakmueshme në tregun e punës në rajon dhe shkalla e personave që nuk janë as të punësuar dhe as të regjistruar në shkolla apo rrjete  trajnimi, nga mosha 15 deri në 24-vjeç, është mesatarisht 23.7 për qind për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ikja e të rinjve nga rajoni është një problem i kahershëm, shton Komiteti, dhe një nga arsyet për këtë është se të rinjtë nuk kanë qasje në arsim cilësor dhe mundësitë e tyre për karrierë janë të kufizuara.

Ionuţ Sibian, anëtar i KESE-së thekson rolin e institucioneve të BE-së të cilat duhet të mbështesin më tej Ballkanin Perëndimor në përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve, duke marrë parasysh ndërlidhjen shumë të dobishme të mobilitetit akademik dhe trajnimeve, me angazhimin qytetar dhe politik të të rinjve. Ai shton se Garancia e të Rinjve në Ballkanin Perëndimor duhet të zbatohet në partneritet ndërmjet ofruesve të Garancisë së të Rinjve dhe palëve përkatëse të interesit.

Garancia e të Rinjve në vendet Evropiane është miratuar në samitin e qershorit të vitit 2013 nga Komisioni Evropian si përgjigje ndaj krizës ekonomike, ndërsa më 2020, Bashkimi Evropian ka zhvilluar më tej instrumentin e tij politik të suksesshëm dhe ka fuqizuar strategjikisht Garancinë e të Rinjve. Tani përfshihen të rinjtë e grup-moshës 25-29 dhe të rinjtë më të pafavorizuar që jetojnë në zona të thella dhe që u përkasin pakicave etnike. Pra, është një angazhim politik i të gjitha shteteve anëtare të BE-së për t’u dhënë të gjithë të rinjve nën moshën 30-vjeçare një ofertë me cilësi të mirë punësimi, arsimimi të vazhdueshëm, një praktikë mësimore ose  një praktikë profesionale.

Rreth shtatë vjet më parë, pak para pandemisë COVID-19, kishte rreth 1.7 milionë më pak të rinj në punë, ose në proces studimi ose trajnimi (NEETs) në të gjithë BE-në. Papunësia e të rinjve pësoi rënie në nivel të ulët prej 14.9% në shkurt të 2020, përpara se të zbatoheshin izolimet nga shkaku i pandemisë në të gjithë BE-në. Megjithëse një kontekst i përmirësuar makro-ekonomik sigurisht që luajti rol, të dhënat tregojnë që Garancia e të Rinjve, ka pasur ndikim të madh transformues. Mbi 24 milionë të rinj që një herë ishin regjistruar në skemat e Garancisë së të Rinjve morën një ofertë punësimi, studimi, praktike ose trajnimi.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që ka prezantuar një formë të Garancisë së të Rinjve në vitin 2018. Kështu, ka pasur një reduktim prej 8.9% sa i takon papunësisë afatgjatë të të rinjve ndërmjet vitit 2017 dhe 2019.

Plani Ekonomik dhe i Investimeve (EIP) për Ballkanin Perëndimor, i publikuar nga Komisioni Evropian (EC) në tetor të 2020, propozon zbatimin e skemave të Garancisë së të Rinjve në Ballkanin Perëndimor në katër faza përgjatë periudhës 2021-27 që parashohin planet për zbatimin e Garancisë së të Rinjve, punën përgatitore, fazën pilot dhe vënien e plotë në zbatim të Garancisë së të Rinjve.

Rekomandimet e politikave të arsimit për të rinjtë korrespondojnë me përmirësimin e politikave aktive të tregut të punës, përmirësimin e kapaciteteve, përmirësimin e trajnimeve dhe rikualifikimit të programeve dhe përmirësimin e koordinimit të palëve të interesit.

Niveli dhe rëndësia e arsimit është kyçe për perspektivat e punësimit të të rinjve, për zhvillimin e karrierës dhe për përfshirjen sociale në rajon. Sistemet dhe kurrikulat aktuale arsimore kanë nevojë për reforma dhe duhet të lidhen më mirë me nevojat e tregut të punës. Kapacitetet sipërmarrëse të të rinjve duhet të inkurajohen dhe të promovohen, ndërsa infrastruktura sociale e rajonit duhet të forcohet më tej.

Agjenda e BE-së për Inovacionin për Ballkanin Perëndimor e përfshin rininë dhe, në këtë mënyrë, inkurajon qeveritë e Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë kornizën e tyre të politikave rinore dhe të vazhdojnë me reformat e nevojshme për ta kthyer vendin në një rajon me perspektiva për të rinjtë. Megjithëse është bërë përparim i konsiderueshëm nga partnerët e Ballkanit Perëndimor, kërkohen përpjekje të mëtejshme nga qeveritë për të zhvilluar një sistem rinor plotësisht funksional dhe për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga Agjenda e Inovacionit për Ballkanin Perëndimor dhe  nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve.

 

Të fundit