Svetlana Gjorgjeviq, Dëshmia për Kosovën, Edicioni Dokumente/Fondi për të Drejtën Humanitare, Beograd, Publikum, 2003
Shkruan: SVETLANA SLAPSHAK
Në vitin 2008, Srgja Popoviq renditi një numër të vogël të librave për Peshçanikun me relevancë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe i pari i përmendur ishte pikërisht libri i Svetlana Gjorgjeviqit. Fati i këtij libri dhe i autores së tij është një pasqyrë e qëndrimit serb ndaj Kosovës. Pak më vonë, krijuesit më të rinj nga të dyja anët do të përpiqen të heqin barrën, kryesisht artistët (Betoni, përkthimi i ndërsjellë dhe bashkëprodhimet). Ndërkohë, libri forcërisht u hesht, ndërsa jeta e autores u rrezikua aq seriozisht sa iu desh të ikte. Asnjë organizatë profesionale, përfshirë PEN – për mjediset akademike më mirë të mos flas – nuk guxoi të thoshte asgjë për të, asnjë shkrimtar që krekosej me valëvitjet e Obiliqit në prozë dhe poezi, nuk pati guximin të paraqitej, të rrezikonte diçka, të ishte lavdishëm i vetmuar, të trimëronte të tjerët, përfundimisht – të ishte në anën e gruas krejtësisht të vetmuar që guxoi t’i shihte gjërat ndryshe nga kolltuku i lëkurës në katin e dytë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Libri sot praktikisht është e pamundur të gjendet.
Dhe ajo guxoi përtej të imagjinueshmes, edhe sot në Serbi, siç e dëshmon direkt dhe indirekt libri i botuar kohë më parë i Rade Radovanoviqit. Pas disa leximeve të këtij libri në periudha të ndryshme, duke filluar nga dorëshkrimi, më duket se Svetlana Gjorgjeviq, një grua e dalë nga varfëria dhe dhuna patriarkale, e pavarur dhe punëtore, pa asnjë prirje ndaj historiografisë apo letërsisë dhe krejtësisht analfabete në politikë, shkroi një vepër që, nëse fare do të kemi të ardhme apo histori, do të duhet të vlerësohet lartë, ashtu siç e ka cilësuar Srgja Popoviqi.
Svetlana Gjorgjeviq e shkroi dëshminë e saj si një përmbledhje kujtimesh të mirorganizuara. Pjesa e parë është historia e shpëtimit të vëllait të saj. Autorja shkon me guxim në Bosnjën e kapluar nga lufta për të nxjerrë vëllain e saj nga burgu. Shkon tri herë, nga Valeva në Beograd, deri në Novi Sad, deri në Bosanski Shamac dhe përfundimisht deri në Banja Lukë, ku ia del të lirojë vëllain e vetë nga burgu në anën serbe, ku e kishin futur pikërisht njerëzit e tij. Kjo pjesë e kujtimeve (viti 1993) dëshmon për gjendjen e grupeve të ndryshme që përbënin “ushtrinë” në Bosnje. Kaos, çorganizim, konflikte të brendshme midis grupeve (draganovcët, arkanovcët, sheshelistët) dhe nëngrupeve, misterioziteti i shtirur, stereotipe që këtu paguhen me jetë, mungesë e plotë e disiplinës ushtarake, rendit, njohurive… Këto janë ushtri që hiqen si ushtri, vetëm se njerëz të vërtetë vdesin, veçanërisht armiq të shpallur në mënyrë arbitrare. Svetlana Gjorgjeviq mëson për “bëmat e luftës” të vëllait të saj, natyra e tij nuk ka ndryshuar fare. Karakteri i tij i dhunshëm para luftës tani ka justifikim dhe miratim të plotë, përveç ndaj atyre që tentuan ta vrasin nga prapa shpine dhe e rrasën në burg. Motra e liron sepse është vëllai i saj. Për pozitën e tij mori vesh duke shikuar emisionin e Marko Jankoviqit, i cili më pas edhe e ndihmoi. Emrat që përmend Svetlana Gjorgjeviq, sjellja dhe mjedisi i tyre, janë dëshmi e vlefshme për palën që filloi luftën. Historianët e asaj epoke, nëse ka ende të tillë, kishin/do të kenë material të jashtëzakonshëm. Si krisi lufta me helmimin e arsyes, çfarë gënjeshtrash dhe aktrimesh u bënë përditshmëri, si vdekja e vërtetë u përfshi në slogane, si u bë e padurueshme përditshmëria…
E lodhur dhe e tmerruar nga realiteti i luftës që pa, nga zhgënjimi personal dhe psikologjia kolektive e luftës, Svetlana Gjorgjeviq vendos të shkojë në Kosovë dhe si taksiste të sigurojë kafshatën e gojës dhe të ardhmen. Një vendim i mirë në vitin 1995, do të thoshim. Këtë, pjesën më të madhe të librit, autorja ia kushton mënyrës se si u gjet në Kosovë: vjen pa asnjë paragjykim ndaj shqiptarëve, ka kohë që ka qëndrim ndaj Milosheviqit dhe sjelljes luftarake serbe, dhe është e bindur se një grua e pavarur që punon me ndershmëri mund të mbijetojë pak a shumë kudo. Atë e pret avashllëku ekstrem, vjedhja si sistem bazë i pasurimit, dhuna, racizmi, përbuzja dhe torturimi i grave, shthurje në gjithçka që duhet të jetë rregull, i institucioneve, rendit. Policët serbë me ndonjë shqiptar terrorizojnë këdo që nuk është “i yni”, asnjë punë nuk bëhet pa reket, kurse krerët e policisë janë edhe kriminelët më të mëdhenj. Tmerri fillon në aeroport, i vetmi kalim për në Kosovë, ku banda e taksistëve punon me policinë dhe doganierët.
Pasagjerët i nënshtrohen çdo përçudnimi të mundshëm, pjesërisht për qejf dhe vazhdimisht për fitim, çmimet negociohen e më pas rriten rrugës, “kokat” i tërheqin vet pasagjerët, ndërsa të tjerët me gëzim nxjerrin mallin nga free-shop. Svetlana bie menjëherë në konflikt me atë grup, ajo u ekspozohet talljeve, shantazheve, truqeve të të gjitha llojeve. Gomat e makinave të saj janë prerë dhjetëra herë. Bleu makina pasi ato vidheshin, grabiteshin, mbaheshin ilegalisht nga policia. Ajo u etiketua shpejt si “tradhtare” për shkak të qëndrimit të saj njerëzor ndaj shqiptarëve dhe mbajtjes së një qëndrimi tjetër ndaj tyre, gjë që e përkeqësoi edhe më shumë pozitën e saj. Svetlana i regjistron të gjitha këto në ditarin e saj, i cili do të bëhet bazë për dëshminë e saj të madhe. Një polic i lartë që e urrente veçanërisht e rrahu në një postbllok aq sa i mbetën pasoja të përhershme: meqenëse askush nuk donte ta trajtonte – jo pa shumë para – një mjek shqiptar e pranoi dhe i shpëtoi jetën. Ajo nuk e di se çfarë ka ndodhur me bashkudhëtarët e saj shqiptarë. Transportimi i ndershëm i shqiptarëve i solli asaj njëfarë mbrojtjeje nga ana tjetër. Kur gjatë një vozitjeje u ndalua nga një grup luftëtarësh të UÇK-së, procedura ishte e me njerëzillëk, pa dhunë dhe me një bisedë që i sqaroi shumëçka. Ajo ishte dëshmitare e vrasjes së shqiptarëve në një postbllok. Ajo e dinte, si gjithë të tjerët, se çfarë transportonin kamionë të caktuar. Dihej pse mbylleshin dritaret kur dilte tym nga drejtimi i Trepçës… Në qytetin ku ajo kalonte pjesën më të madhe të kohës, shenjat jo vetëm të shtresimit, por edhe të dëbimit të planifikuar me forcë të shqiptarëve dhe kontrollit të shtëpive të tyre, me të gjitha planet se kush çfarë do të merrte, për serbët ishin të njohura. Dëshmia e Svetlana Gjorgjeviqit tregon se fjala ishte me të vërtet për një komplot kombëtar, me synimin e përgjithshëm që të shkojë “një e treta për në Shqipëri, një e treta të vritet, një e treta të na shërbejë”, … Krahas kësaj shkon dhe plani për shkatërrimin e shtëpive, që shqiptarët të mos kenë ku të kthehen, dhe shkatërrimi i dokumenteve personale, që ata të mos mund të vërtetojnë identitetin e tyre. Pas një përshkrimi të reketit, Svetlana Gjorgjeviq shkruan:
“Për imazhin e një vendi ku gjëra të tilla ndodhin rregullisht dhe për të njëjtat të drejta për të gjithë njerëzit, pa dallim feje apo kombi, të cilat nëpërkëmben këtu çdo ditë, nga të njëjtët njerëz, në të njëjtat mënyra, për reagimet e atyre njerëzve kaq të lënduar – me të vërtetë as që duhet folur.”
Gjatë disa viteve, transporti i shqiptarëve u bë gjithnjë e më i rrezikshëm: harta e rrugëve të mundshme ndryshonte nga dita në ditë, postblloqet po ashtu, disa zona u shkëputën plotësisht, po rritej numri i fshatrave të shkatërruar. Svetlana nisi të bënte udhëtime më të gjata – në Serbi, për ku po iknin romët, në Mal të Zi, ku po iknin shqiptarët. Shumë shqiptarë nga fshatrat e rrezikuar iknin te të afërmit e tyre nëpër qytete, ku i fshihnin nëpër bodrume – gjë që sytë vigjilentë të fqinjëve i ndiqnin dhe i regjistronin. Mobilizimi, respektivisht mundësia e arratisjes, ishte vetëm për të pasurit. Në Kosovë nisën të sjellin edhe “azilantë” që kishin më së paku mundësi për t’u gjetur në situata. Ajo i transportoi edhe ata.
Gjithë këtë e bënte policia. Nganjëherë tërhiqnin dikë nga Kosova, nëse sosej durimi. Mes policëve kishte edhe njerëz të ndershëm, të cilët vuajtën pothuajse po aq sa edhe shqiptarët. Në aerodrom kishte njëfarë rregulli kur atje ndodhej edhe një pilot. Dëshmia e Svetlana Gjorgjeviqit përmban disa shembuj të tillë, mbetje të ndërgjegjes qytetare: për fat të keq, të pamjaftueshme as edhe për shpresë.
Pjesa e tretë dhe më e shkurtër e librit është dëshmia për luftën në Kosovë, 1999. Ushtria e mori rolin kryesor nga policia. Plani për rregullimin e ri demografik të Kosovës filloi të zbatohej sistematikisht: nga njëra anë, shkatërrimi i fshatrave të tërë dhe dëbimi i të mbijetuarve në Shqipëri, me asgjësimin paraprak të dokumenteve personale. Nga ana tjetër, shkatërrimi sistematik i disa shtëpive në qytete ose largimi i banorëve të tyre, nëse shtëpia ishte parashikuar për përdorim të ri.
Këtu Svetlana Gjorgjeviq përshkruan ngjarjet në rrugën ku jeton, fatin e fqinjëve të saj. Disa shtëpi u shkatërruan, megjithëse dihej se në bodrume jetonin kolonë. Svetlana pa me sytë e vet mbetjet e djegura të fatkeqëve, të cilët nuk i ndihmuan fqinjët e tyre. Shtëpitë e ruajtura ishin cak i mësymjeve, ato u uzurpuan në bazë të pozitës së tyre të imagjinuar në shoqërinë e re serbe dhe sipas marrëveshjeve të vjetra. Materiali, aparatet, mobiliet – këto shpërndaheshin sipas përzgjedhjes paraprake, shpesh me zënka dhe rrahje mes pronarëve të ardhshëm. Përfundimisht, tërheqja nga Kosova sjell imazhet përfundimtare të shpërbërjes së plotë të një shoqërie: të ngarkuar me plaçkë të lëvizshme, largohen pjesëtarët e popullit që mendonte se duke shtypur popullin shumicë, në kulmin e çmendurisë koloniale, mund të ruaj supremacinë imagjinare, të arritur kryesisht përmes kriminalitetit.
Dëshmia e Svetlana Gjorgjeviqit ngre shumë pikëpyetje. E vetmja që nuk është shtruar, nëse ajo shkroi të vërtetën, iu përgjigj me veprimet ndaj autores: heshtja, dhuna dhe përjashtimi, konfirmojnë se gjithçka që ajo ka shkroi është e vërtetë. E vërteta është e papranueshme, Svetlana Gjorgjeviq e paguan faturën. Çfarë e shtyri atë? Përgjigjen e lexojmë që në faqet e para: mbaroi shkollën e mesme, vazhdoi kursin tek të afërmit shumë më njerëzorë dhe gjithçka që donte ishte të rrinte vetëm dhe të lexonte. Svetlana Gjorgjeviqin e shpëtoi dhe e formësoi shkollimi, e vetmja rrugëdalje nga tmerri i familjes patriarkale. Atë që i mësuan, ajo e mori seriozisht. Rezultati – një ndjenjë e pagabueshme për barazi dhe drejtësi, dhe për liri. Kur kemi një shembull kaq të pastër të shkollimit socialist, duhet të pyesim veten se si ishte ai sistem i vërtetë emancipues pedagogjik, veçanërisht për gratë. Dallimet janë sigurisht në kontekst, mbi të gjitha në dallimet midis urbanes dhe rurales, por kjo sigurisht nuk do të thotë se fëmijët femra nga qytetet gëzonin një liri krejtësisht të ndryshme nga patriarkati. Duhet të pranojmë se rasti i Svetlana Gjorgjeviqit mund të jetë i rrallë, por nuk është i vetëm, dhe se mbetet edhe shumë hapësirë për kërkime në trajektores emancipuese në socializmin jugosllav. Të jesh vetëm dhe të lexosh nuk ndryshon shumë nga kërkesa e Virginia Woolfit.
Sepse Svetlana Gjorgjeviq ka lindur sigurisht me një talent, i cili me sukses e gjeti formën e tij në arsim. Ajo shkruan plot gjallëri, duke kombinuar fjali të shkurtra e të prera me monologë të gjatë dhe refleksiv. Përshkrimi i saj është bindës, ka emra, vende, kohë, rrethana, gabime të mundshme në kujtesën e saj që e paraqet. Nuk është plotësisht e sigurt për vlerësimet e saj për ngjarjet, ajo shpesh përshkruan frikën e vet, dobësitë e saj, bën dallimin e saktë midis asaj që pa vetë dhe dëshmive të tjera, është kritike dhe plotësisht e sigurt në vetvete vetëm për një gjë: ndërgjegjen e saj qytetare. Për të nuk mendon, nuk vlerëson, vetëdija është këtu, nuk ka rëndësi origjina e saj, me rëndësi është që kurrë të mos braktisë themelet e saj. Për sa i përket ndjeshmërisë, ajo është pjesë e ndërgjegjes, një plotësim ideal dhe i domosdoshëm, kurrsesi barrë. A është bashkëndjenja vërtet aq e rrezikshme për identitetin kombëtar? Padyshim, dhe aq më tepër për rrenën, mashtrimin dhe tiparet e tjera të neveritshme të politikës serbe në përgjithësi, jo vetëm ndaj Kosovës. Libri i Svetlana Gjorgjeviqit ofron kombinimin më ndezës, më të rrezikshëm për këtë – arsyen dhe bashkëndjenjën. Të pa arrirë tash e tridhjetë vjet. Rrëfimi i trishtë për ‘receptimin’ e librit të Svetlana Gjorgjeviqit flet më bindshëm mbi peshën e këtij libri. Kur të ribotohet, të mund të gjendet, të lexohet gjerësisht, perspektiva e marrëdhënieve me Kosovën mund të bëhet më e mirë./Pescanik.net/