E shtunë, 27 Korrik, 2024

RRUGA E VËSHTIRË E LUFTËS EFEKTIVE KUNDËR KORRUPSIONIT

Maqedonia po shënon përparim të moderuar në luftën kundër korrupsionit. Janë disa anomali të cilat theksohen në një raport të GRECO, Organizatës së shteteve kundër korrupsionit. Analisti Faton Aliti thotë se korrupsioni te ne është mentalitet. “Nuk ka shtet në këtë botë që mundet të ndërtojë institucione me kapacitet të mjaftueshëm për të luftuar efektivisht korrupsionin nëse sjellja qytetare është e tillë. Aq më tepër kur dihet se edhe administratorët vijnë nga i njëjti mjedis”, thotë Aliti. Duke mos e nënvlerësuar nevojën për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, thotë ai, këtë luftë duhet ta fillojmë nga vetja dhe nga edukimi i gjeneratave të reja në këtë frymë

Shkruan: Eljesa Dervishi

Maqedonia po shënon përparim të moderuar në zbatimin e rekomandimeve të drejtuar ndaj vendit në raportin e fundit vlerësues, të GRECO. Në raportin e dytë të publikuar gjatë kësaj jave në Starsburg, Organizata e shteteve kundër korrupsionit i rikujton autoritetet në Maqedoni për rekomandimin e saj kryesor, që ministri i drejtësisë të mos jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor, për të cilin janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese. Kjo është gjithashtu e vetmja vërejtje e GERCO-s plotësisht e pazbatuar. Nga gjithsej 19 rekomandime të mbetura, 9 janë zbatuar në masë të kënaqshme dhe 9 tjera pjesërisht. Këto ndër të tjerash janë gjetje e Raportit të Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës Kundër Korrupsionit, i njohur ndryshe si GRECO.

Kodi i etikë që zbatohet për prokurorët publik është një hap pozitiv, por për të çrrënjosur korrupsionin, GRECO kërkon një regjistër të veçantë për marrjen e dhuratave nga prokurorët publikë. Gjithashtu, raportimi jo me kohë i gjendje së pasurisë për funksionarët publik, akoma paraqet shqetësim, për të cilin GERCO i ka dhënë Maqedonisë afat deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm për zbatimin e të gjitha komenteve dhe rekomandimeve. Edhe në këtë raport nuk mungon shqetësimi për presionet politike gjatë shkarkimit dhe vendosjes së përgjegjësisë disiplinore të gjykatësve.

Sipas konkluzioneve të raportit, GRECO vë në dukje se reformat e mëtejshme janë duke u zhvilluar për zbatimin e rekomandimit. Po inkurajohet vendi që të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim. GRECO rekomandon vendosjen e masave të nevojshme ligjore, institucionale dhe masat operative që do të sigurojnë hulumtimin më të thelluar të deklaratat e interesit dhe fletëve të anketimit të dorëzuara nga anëtarët e Kuvendit, gjykatësit dhe prokurorët, veçanërisht me ristrukturimin e procesit të verifikimit nën drejtimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky rekomandim është zbatuar pjesërisht në Raportin e Përkohshëm për Harmonizimin. Në letër, me Ligjin e ri për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e interesit, është pastruar dhe është orientuar ndaj kontrollit të interesave dhe pasurisë të zyrtarëve publikë. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ishte i ngarkuar për procedurën dhe u përforcuan kapacitetet e tij institucionale dhe operative. Megjithatë, në praktikë është i nevojshëm, verifikimi më i thelluar në raport me deklaratat, gjetjen e deklaratave të pasakta dhe të paplota dhe përdorimin e sanksioneve për shkelje.

Në një prononcim për KDP, analisti Faton Aliti, është shprehur se korrupsioni te ne është mentalitet dhe se pjesa dërrmuese e shoqërisë sonë deklarojmë se nuk jemi të kënaqur nga lufta institucionale kundër korrupsionit, por po ashtu ne, jemi të prirur që në përditshmërinë tonë të tentojmë t’i anashkalojmë rregullat si rezultat i ndonjë “bakshishi”.

“Korrupsioni te ne është mentalitet. Pjesa dërrmuese e shoqërisë sonë deklarojmë se nuk jemi të kënaqur nga lufta institucionale kundër korrupsionit por po ashtu ne, jeni të prirur që në përditshmërinë tonë të tentojmë t’i anashkalojmë rregullat si rezultat i ndonjë “bakshishi”. Mburremi kur vizitojmë jashtë orarit të afërmin e shtrirë në spital, kur futemi nga dera e pasme e sportelit, e të tjera, e të tjera. Nëse për këtë lloj cikërrimash kemi këtë “kulturë” nuk ka dyshim se për shërbime ku “fitohet leku” korrupsioni bëhet rregull i pashkruar”, është shprehur Aliti.

Ndër të tjera, Aliti thotë se nuk ka shtet në këtë botë që mundet të ndërtojë institucione me kapacitet të mjaftueshëm për të luftuar efektivisht korrupsionin nëse sjellja qytetare është e tillë. Aq më tepër kur dihet se edhe administratorët vijnë nga i njëjti mjedis.

“Nuk ka shtet në këtë botë që mundet të ndërtojë institucione me kapacitet të mjaftueshëm për të luftuar efektivisht korrupsionin nëse sjellja qytetare është e tillë. Aq më tepër kur dihet se edhe administratorët vijnë nga i njëjti mjedis. Prandaj, duke mos e nënvlerësuar nevojën për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, mendoj se këtë luftë duhet ta fillojmë nga vetja dhe nga edukimi i gjeneratave të reja në këtë frymë. Nëse fëmijëve tanë ua ndërtojmë vetëdijen se keqpërdorimi i buxhetit publik është njësoj si keqpërdorimi i buxhetit personal atëherë do t’ia dalim që në të ardhmen të ndryshojmë edhe vetëdijen kolektive. Kur të arrihet në këtë nivel, do të flasin për parandalimin e korrupsionit sepse lufta kundër tij do të jetë e tejkaluar”, tha Faton Aliti.

Statistikat e paraqitura tregojnë zbatimin më efektiv në praktikë të sistemit të raportimit të pronës nga ana e grupeve, profesionale. Numri i kontrolleve administrative të kryera nga Komisioni Anti Korrupsion, është rritur dhe ka rezultuar në identifikimin e shkeljeve në baza procedurale, apo mos paraqitjen me kohë të fletëve të anketimit për raportimin e gjendjes së pasurisë. Megjithatë, nuk është siguruar kontroll i thellë apo i detajuar për kontrollin e deklarimeve të pasurisë për të gjithë deputetët, gjykatësit dhe prokurorët, ndërsa informacioni rreth implementimit të sistemit për raportimin e interesave i është dorëzuar GRECO-s, vetëm në raport me disa deputetë.

Ndryshe në vitet e kaluara, GRECO në mënyrë të vazhdueshme ka rekomanduar mjete dhe masa specifike kundër korrupsionit dhe për qeverisjen.

 

Të fundit