E premte, 26 Korrik, 2024

PROPOZIMI FRANCEZ TË ENJTEN PARA DEPUTETËVE, A DO TË MARR DRITË JESHILE?

Ndërkohë që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar në Kuvend informacionin e plotësuar të propozim-kornizës negociuese për bisedimet me Bashkimin Evropian kanë vazhduar përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Ndërkaq, ministria e Jashtme e Bullgarisë i ka dërguar notë proteste ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut për shkak të thirrjeve anti-bullgare në protesta. Protestat kundër propozimit francez kanë vazhduar

 Shkruan: Enis Shaqiri

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut janë njoftuar se seanca parlamentare ku në rend dite do të jetë Informacioni për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese do të mbahet të enjten në ora 13.00.

Nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se në këtë seancë deputetëve do t`u drejtohet edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen.

Qeveria, sipas kërkesës nga koordinimi i fundit në Kuvend,  ia ka dorëzuar parlamentit plotësimet e Informacionit për përmbajtjet e propozim-kornizës negociuese për negociatat aderuese RMV-BE, që është propozuar nga presidenca franceze më 30 qershor 2022 – ka njoftuar press-shërbimi i Kuvendit, duke shtuar se dokumentet u janë përcjellë të gjithë deputetëve.
Ndërkaq, vendi po hyn në ditën e nëntë të protestave kundër “propozimit francez”, ku së fundmi, ministria e Jashtme e Bullgarisë i ka dërguar notë proteste ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut për shkak të protestave dhe thirrjeve anti-bullgare. Sipas kësaj ministrie teksa Sofja dhe Shkupi po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme përmes dialogut, vendi po përballet me veprime dashakeqe.

Shprehet shqetësim i thellë për atë që po ndodh, e cila është edhe një përgjigje ndaj narrativës së përhapur antievropiane kundër vendosjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

Është veçanërisht shqetësues fakti që veprimet dashakeqe në hapësirën publike po përshkallëzohen në një kohë kur Sofja dhe Shkupi po kërkojnë në mënyrë aktive një mënyrë për një dialog konstruktiv dhe për të gjetur zgjidhje të përhershme të pranueshme reciprokisht në interes të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. dhe rajonit.

Besojmë se ngjarje të tilla do të bëhen pjesë e së kaluarës dhe dy vendet tona do të arrijnë të hapin një faqe të re në marrëdhënie, të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e sinqertë”, shkruan MPJ bullgare.

Nga ana tjetër kanë vazhduar përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në lidhje me pranim-refuzimin e  propozimit francez.

Kreu i opozitës, Hristijan Mickovski ka bërë thirrje deri tek deputetët e LSDM-së, që ta refuzojnë propozimin e ashtuquajtur francez.

Dua që diçka të dihet. Qëllimi im nuk është lufta për ta zhveshur pushtetin, por në radhë të parë mbrojtja e interesave shtetërore dhe kombëtare duke refuzuar një proces që është i dëmshëm për Maqedoninë. Dhe kjo duhet të jetë lufta jonë e përbashkët në të cilën të gjithë duhet të bashkohemi në anën e popullit dhe në anën e Maqedonisë sonë. Deputetë të LSDM-së, ju refuzoni informacionet e Qeverisë, dhe ju premtoj se nuk do të kërkoj zgjedhje dhe do të mbështes mbijetesën e kësaj qeverie, qoftë edhe pakicë, që Maqedonia të mos shantazhohet dhe poshtërohet dhe se çfarë tani na ofrohet”, ka thënë Mickovski.

Ai mes tjerash në një video-mesazh të publikuar nga partia e tij, është shprehur se “do ta mbështesë Qeverinë e Kovaçevskit nëse deputetët e LSDM-së e refuzojnë propozimin francez në Kuvend

Ndërsa nga LSDM kërkojnë që deputetët e VMRO-DPMNE-së t’i mbështesin konkluzat për propozim-kornizën negociuese.
Hristian Mickoski duhet t’u bëjë thirrje një pjese të deputetëve të partisë së tij që të ndërpresin bllokadat dhe obstruksionet dhe të mos punojnë për qendra dhe shtete të huaja, të cilat nuk i mendojnë të mirën këtij vendi”, tha sot zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.

Kaevski mes tjerash iu bëri thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, ku do të debatohet për informacionin e plotësuar të propozim-kornizës negociuese, të parashtruar nga Qeveria deri te Kuvendi.

Në ndërkohë, nga Komisioni Evropian theksojnë se më vëmendje ndjekin situatën e krijuar pas publikimit të propozimit francez.

Qëndrim ynë për propozimin francez dhe Maqedoninë e Veriut është plotësisht i qartë. Mbetemi pas komunikatës së përbashkët mes sekretarit shtetëror amerikan Blinken dhe diplomatit të lartë për politikë të jashtme, Borell. Nuk kemi çka të kumtojmë tjetër. Vazhdojnë bisedimet e gjera për propozimin francez. Ky është vendim i pavarur të cilin duhet ta miratojë Maqedonia e Veriut”, ka thënë zëdhënësja e KE-së, Nabila Massrali.

Ndryshe pas letrës së presidentit francez Makron, sipas të cilit Maqedonia nuk duhet ta humbasë këtë mundësi “Tani ju maqedonasve ju takon të deklaroheni. Fuqia për të ndryshuar rrjedhën e historisë është tani në duart tuaja. Nuk do t’ju them se kjo marrëveshje është perfekte, por do t’ju pastrojë rrugën evropiane”, tha Macron. Ndërsa sot me porosi adresuar Shkupit, ka dhënë edhe kancelari gjerman Olof Scholz. Ai kishte një mesazh shumë të qartë “Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së”,  ka pasuar edhe letra e radhës nga kancelari gjerman Olaf Sholz. Sipas Berlinit zyrtar pranimi i dokumentit francez, i hap shtigje të reja vendit pas pritjes së gjatë gati dy dekadëshe.
Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij. Dëshironi ta pranoni kompromisin europian? Kështu mund të mbahet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare, shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Euopian… Dua të jem krejt i hapur me ju: edhe pas miratimit të këtij kompromisi, procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë” , u shpreh Kancelari i Gjermanisë. Olaf Shulz.

Të fundit