E premte, 26 Korrik, 2024

“DOJA TË TË THEM..” , ZËRI I PËRKORË I PARTITURAVE TË JETËS

Jo pa qëllim ky botim vjen i fuzionuar në dy gjuhë, madje një ndër synimet kryesore sipas vetë autores është dëshira për ta njohur, kuptuar dhe mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Atë që ka dashur të thotë, ajo zgjedh ta bëjë në dy gjuhë. Sipas redaktorit gjuhësor  dhe shkrimtarit Gorjan Petrevski, Lira Bojku e zotëron gjuhën maqedonase në nivel të shkëlqyer dhe ideja për të sjellë një vepër të këtij lloji është për t’u përshëndetur. Profesori i filozofisë Latif Mustafa, vlerëson se kapërcimet e Lirës nga njëra gjini në tjetrën dhe gjuha me të cilën “i furnizon” personazhet, janë pika e fortë e saj. “Mjeshtëria e fjalës së përkorë, fjalës së zgjedhur në kohën, vendin dhe shënjimin e duhur është vërtetë art i naltë”, ka theksuar Mustafa.

 Shkruan: Fatjona Abdullahi

Në ambientin e Hamamit të Daut Pashës, më 9 qershor, u mbajt promovimi i veprës së  katërt të Lira Bojkut, titulluar në shqip “Doja të të them” dhe në gjuhën maqedonase “Сакав да ти кажам”.

Jo pa qëllim ky botim vjen i fuzionuar në dy gjuhë, madje një ndër synimet kryesore sipas vetë autores është dëshira për ta njohur, kuptuar dhe mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Atë që ka dashur të thotë, ajo zgjedh ta bëjë në dy gjuhë. Sipas redaktorit gjuhësor  dhe shkrimtarit Gorjan Petrevski, Lira e zotëron gjuhën maqedonase në nivel të shkëlqyer dhe ideja për të sjellë një vepër të këtij lloji është për t’u përshëndetur. Si recensent i librit, Petrevski foli për stilin dhe temat e trajtuara në vepër, duke e cilësuar autoren si një frymë të re që i duhet letërsisë në vendin tonë.

Rreth veprës foli edhe opinionisti dhe profesori i filozofisë Latif Mustafa, i cili parë nga prizmi i një lexuesi të apasionuar e inkurajoi shkrimtaren që “ta çojë deri në fund” atë që ka dashur ta thotë ndërsa nga këndvështrimi i njeriut që edhe vetë shkruan, ai konsideron se kapërcimet e Lirës nga njëra gjini në tjetrën dhe gjuha me të cilën “i furnizon” personazhet, janë pika e fortë e saj. “Mjeshtëria e fjalës së përkorë, fjalës së zgjedhur në kohën, vendin dhe shënjimin e duhur është vërtetë art i naltë. Në këtë sens mendoj që në vargjet e Lirës ajo çka bie në sy, fillimisht, është stili i lirë i saj, me një ekonomi të përkryer fjalësh, që nuk e lodh lexuesin me vërdallisje dhe ecejake amplitudinale por ajo ka një stil të thjeshtë dhe drejtvizor pa sforcime dhe që rrjedh natyrshëm në leximin tonë. Guximi i Lirës është për t’u admiruar. Se sa do të japë nga vetja dhe sa do japë nga imagjinata – është një dilemë dhe brengë perpetuale e çdo shkruesi. Megjithatë, mendoj që Lira, edhe pas katër librash, akoma nuk e ka thënë fjalën e fundit, apo atë që duket si e fundit. Ajo shkruan në të dyja gjinitë, nën lëkurën e të dyja sekseve. Shkruan si nënë, si baba, si bashkëshort, si fëmijë. Këto zakonisht janë edhe protagonistët e saj, anëtarët e një familjeje. Ajo i shkruan familjes, dashurisë dhe thjeshtësisë së jetës”, shprehet Mustafa.

Promovimi i librit të katërt të Lira Bojkut, është vazhdimësi e një tradite shkrimi që ajo tashmë e ka krijuar dhe për të cilën premton se nuk do të ketë një përfundim ose shkëputje. Në fjalën e saj përshëndetëse, ajo u shpreh se suksesin e arritur ia dedikon mbështjetjes së pakursyer të prindërve dhe familjes, për të qenë gjithmonë e shtruar rruga nëpër të cilën ajo ndjek ëndrrën e saj për letërsinë. “Ky libër është punuar gjatë kohë dhe sa herë më kanë pyetur nëse jam gati për promovimin, kam thënë se jam gati, por në fakt vetëm pak minuta më parë vendosa se çfarë do ndaja me ju në fjalën time përshëndetëse. Me këtë botim në dy gjuhë, kam dashur të sjell një vepër që lehtësisht mund t’ia huazosh një miku shqiptar apo maqedonas pa frikën se nuk do ta kuptojë, madje me dëshirën për ta mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Kam thënë shumëçka dhe prapë nuk i kam thënë të gjitha. Gjatë leximit do ta kuptoni se kam protestuar fort ndaj padrejtësive, sidomos atyre gjinore. Dashuria është boshti rreth të cilit shkruaj, por në dashuri ka edhe trekëndësha, ka edhe ndarje, ka martesa dhe divorce. Të gjitha janë aty…” shprehet Lira Bojku.

Autorja gjithsej ka botuar katër vepra me poezi dhe tregime “Këpucët e kuqe”, “Dashuri në lavatriçe” “Љyбовта на генералот Ш” dhe “Doja të të them” dhe konsideron se ka akoma shumë për t’u dhënë lexuesve shqiptarë dhe jo vetëm.

 

 

Të fundit