E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZIGZAG: T’IA BËJMË QEJFIN VETES

E keqja më e madhe, thonë, është kur të rritet mendja: Të rritet mendja kur i shikon gjërat bardhë e zi, apo kur ke lexuar ‘Etër dhe bij’ të Ivan Turgenevit. Gjithë këtë po e them në kontekst të debateve e përplasjeve që po zhvillohen në trekëndëshin Prishtinë-Tiranë- Shkup lidhur me (mos) pjesëmarrjen e Kosovës në nismën ‘Ballkani i Hapur’. Çfarë u tha e çfarë mbeti pa thënë nga vëzhgues e sehirxhinj që rrahin gjoks për patriotizëm e maten me hijen e mëngjesit. Në shekullin XXI!?

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Për të intervistuar Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi, na u deshën telefonata e telefonata me Brukselin, saktësisht me kolegen Erisa Zykaj, dhe – ia dolëm! Dorën në zemër, nuk është se nuk parashikuam reagime puro shqiptarçe që për një bashkëbisedim ekskluziv për një temë të shumëdebatuar pa vënë ujin në zjarr shpërthejnë me breshëri akuzash që, si duket vetëm ato i bëjnë  të kenë gjum të rehatshëm! Varhelyi e tha atë që tha, ndërkohë që ‘të pakënaqurit’ në praktimimin e ‘futbollit të tyre’ vrapuan redaksinë e kdpolitik.com ta vënë në shërbim të treshes Ahmeti-Rama-Vuçiq. ‘Debatikas’ me profile të rrejshme e patriotë me bateri të skaduara, rendën sakaq të vënë pikat mbi I: de jemi kështu, de ashtu.

Dakord!

Kur punoja për BBC-në para një dhjetëvjeçari, jo rrallë na thuhej se duhet të synojmë pasqyrimin e botës në ndryshim, se duhet të heqim dorë nga ajo se media mund ta ndryshojë botën! Ky është edhe synimi i këtij portali, ku po e lexoni këtë shkrim. Zyrtari i BE-së bën publik qëndrime-vlerësimet e institucionit që drejton dhe kjo nuk është promovim ideje!

E para!

E dyta: Në Ohër të gjithë të pranishmit ‘grishën’ Kosovën për pjesëmarrje. Vuçiqi mbase me arrogance, këtë ofertë për treshen jashtë nismës (Malin e Zi, BeH dhe Kosovën) e cilësoi si mundësi: ‘Mos prisni se do t’ju lusim’- tha ai. Ndërkohë që ‘vëzhguesi’ Dritan Abazoviq sqaroi qëndrimin e qeverisë së tij se në Open Ballkan të gjithë duhet të jenë të barabartë të përfaqësohen ‘me emër e mbiemër’, sikurse u shpreh ai. Pyes çfarë do të humbte Prishtina zyrtare që të vinte këtu apo kudo që të ftohej dhe të shtronte e parashtronte pikëpamjet e veta për të ‘demaskuar’ kështu ata që nuk ia duan të mirën?  

E treta: Askush nuk doli në samitin e Ohrit kundër Procesit të Berlinit. Amerikani Escobar, për më tepër, nënvizoi se Ballkani i Hapur duhet të ketë komponentin ekonomik. Diplomati tjetër i regjur amerikan Christopher Hill, po ashtu la të kuptohet se Uashingtoni vlerëson projektin të shumëdebatueshëm për klasën politike të Kosovës dhe ithtarët e saj, këtu në Maqedoninë e Veriut.

E katërta: Kam shkruar dhe më herët se me ‘botën serbe’, por edhe me ‘mini-Shengenin’ ,që ndërkohë u bë Ballkan i Hapur, Vuçiq dhe qeveria e tij po provojnë se nuk kanë hequr dorë nga ‘Naçertanija’ e Ilija Garashaninit apo ‘Memorandumi’ i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, SANU-t? Kjo është një e tjetër gjë kur shtrohet çështja: Cili është programi ynë politik e kombëtar, e në daç edhe qeveritar, po se jo edhe i ‘trurit shkencor’ për këtë kauzë – më shumë në Tiranë e Prishtinë e më pak në Shkup e shumë më pak në Preshevë apo Ulqin? Prandaj, e them, e keqja më e madhe, thonë, është kur të rritet mendja: Të rritet mendja kur i shikon gjërat bardhë e zi, apo kur ke lexuar ‘Etër dhe bij’ të Ivan Turgenevit….

Të fundit