E premte, 26 Korrik, 2024

PANDEMIA, GREVA, MUNGESË MËSIMI – VIKTIMA NXËNËSIT, PASOJAT – TË MËDHA

Nxënësit në shkollat e mesme dhe shkollat fillore që nga periudha e pandemisë, e dri më tani me organizimin e grevave nga SAShK janë përballur me ndërprerjen e ofrimit të arsimit në një shkallë të paprecedentë, me sistemin arsimorë duke u ndikuar nga mbylljet e zgjatura të shkollave dhe ndryshimet e papritura në funksionimin normal të shkollave.

 

Shkruan: Puhiza Osmani

 

Pedagogu Agron Osmani u shpreh se dy vitet e fundit procesi arsimor u është nënshtruar ndërprerjeve shumë të gjata, si e para të ndikuara nga kriza shëndetësore e Covid-19, dhe nga greva e vazhdueshme e arsimtarëve, që kanë një efekt thellësisht negativ te nxënësit. Sipas tij duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë pasojave të cilat shkaktojnë ndryshim në jetën e nxënësve, në arsim dhe në shkollat e tyre.

“Mbylljet dhe masat që vendi zbatoi për shkak të pandemis kanë ndikuar në mirëqenien e nxënësve, përparimin akademik të nxënësve gjatë shkollës. Gjithashtu përparimi i të nxënit të nxënësve ka pësuar një rënie të fortë gjatë krizës, veçanërisht në shkollat ​​në zonat me të ardhura të ulëta. Dihet tashmë që fëmijët që kanë vështirësi në shkollë janë më të prekshëm ndaj efekteve të këqija të humbjes së lidhjeve me bashkëmoshatarët, gjë që rrit më tej ndikimin në pabarazinë arsimore. Si dhe mendoj se pas kësaj periudhe të vështirë që patëm, u desh të bëhet kompensim për humbjet e mëdha të orëve të mësimit, dhe jo të ketë vazhdimësi të këtyre humbjeve siç është tani rasti i grevës. E cila gjithashtu ka pasaur efekte të konsiderueshme sidomos në ndjenjën e përkatësisë së nxënësve në shkolla dhe në ndjenjat e tyre të vetëvlerësimit, të cilat janë çelësi për përfshirjen në arsim”, thotë Osmani.

Osmani gjithashtu theksoi sa pasojat nga greva janë veçanërisht të vështira, dhe duhet sa më shpejt të ndërmerren masa për t’u rimëkëmbur nga kriza dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e sistemeve arsimore në të ardhmen.

Profesoresha e Universitetit të Evropës Juglindore, Liljana Siljanovska u shpreh se për ndërprerjet e zgjatura të mësimit duhet të merren masa për të siguruar që fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme t’u jepen mundësitë për të rikuperuar orët e humbura të mësimit për të shmangur dëmtimin afatgjatë në produktivitetin e nxënësve.

“Maqedonia e Veriut akoma po përballet me krizën e mësimit të shkaktuar nga pandemia sepse ende nuk është prezantuar asnjë program për t’u rikuperuar nga ndërprerjet e mësimit të përjetuara gjatë mbylljes së shkollave. Si dhe tani me grevën nxënësit e humbën vazhdimësinë në mësim, pikërisht në ato tre javë kur duhet të korrigjojnë notat. Kjo veçanërisht po ndikon për nxënësit e klasës së nëntë dhe maturantët, të cilët janë gati të regjistrohen. Të mësuarit nën presion është e vështirë sepse është një proces i vazhdueshëm, dhe më shumë se kurrë na duhet të vendosim masa për të kompensuar humbjet e orëve të mësimit, sepse kostoja ekonomike e kësaj humbje do të ndikojë në fitimet gjatë gjithë jetës së brezit të sotëm të nxënësve të shkollës nëse nuk ndërmerren veprime korrigjuese të menjëhershme”, thotë Siljanovska.

Siljanovska gjithashtu theksoi se duhet të merren parasysh masa për zgjatjen e orëve të mësimit të shkollave, klasat plotësuese, dhe për të mbështetur nevojat e të mësuarit të nxënësve. Ajo tha se në negociatat e vazhdueshme për pagat e punonjësve të arsimit duhet të merren masa për të garantuar që të kenë përparësi interesat më të mira të nxënësve.

 

 

Të fundit