E shtunë, 27 Korrik, 2024

AKADEMIK BEXHETI: NEVOJITEN KURSIME GJITHPËRFSHIRËSE, RRITJA E PAGËS NUK KA NEUTRALIZUAR GODITJEN E ÇMIMEVE

“Nga investimet tjera kapitale e deri te pajisjet ushtarake, parku vozitës, objekte të kulturës apo edhe shpenzime që mund të pezullohen përkohësisht, duhen reduktuar dhe ndërprerë. Këto do duhet të aktivizohen në kohëra të mira – në kohë paqe dhe lulëzimi ekonomik”, tha për KDP akademiku Bexheti.

 

Shkruan: Gentuar Ismaili

 

Krizat e njëpasnjëshme botërore, të shkaktuara nga pandemia, shtrenjtimi i energjisë dhe lufta në Ukrainë, kanë sjellë një tërmet çmimesh. Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me greva në disa sektorë për shkak se rritja e çmimeve të produkteve bazë nuk është shoqëruar me rritje të pagave. Arsimi, policia, gjyqësore dhe punonjës në administratë thonë se me rrogat që marrin në këtë kohë shtrenjtimesh nuk mund të lidhin fillimin me fundin e muajit.

Në vend ka rritje permanente të çmimeve të produkteve ushqimore, të derivative të naftës, por edhe pothuajse të të gjitha gjërave tjera, të rëndësishme për përditshmërinë tonë. Këto rritje të çmimeve kanë goditur direkt qytetarët, ndërsa nga pushteti thonë se ata e kanë rritur pagën minimale dhe se u kanë dalë në ndihmë qytetarëve me masat që i kanë ndërmarrë.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti, njëherësh edhe rektor i UEJL, në një bisedë ekskluzive me KDPolitik.com, thotë se rritja e pagave në disa sektorë, megjithatë, nuk ka neutralizuar efektet nga rritjet e çmimeve.

“Rritja e çmimeve në ekonomi matet me ‘Shportën e çmimeve me pakicë’ (CPI-Consumption Price Index), e që tani shkon në rreth 10%. Kjo edhe paraqet normën e inflacionit. Pra, goxha e lartë dhe jo vetëm në RMV. Gjermania po ashtu gjendet në këto margjina. Tani për tani rritja e pagave në vetëm disa sektorë shkon në rreth 10% dhe kjo nuk do të thotë “neutralizim” i plotë i efekteve negative nga çmimet e rritura, sepse jo çmimet e të gjithë artikujve të konsumit janë në këtë dinamikë dhe jo të gjithë artikujt në shportën e konsumit, përpjesëtimisht konsumohen nga të gjithë”, sqaroi akademik Bexheti.

Ai nënvizoi se shtresat e varfëra dhe mesatare janë më të goditura dhe të lëndueshme sepse kryesisht konsumojë artikujt baze dhe të mbijetesës.

Sipas Bexhetit, borxhi publik ka tejkaluar 60 përqindëshin e buxhetit të shtetit, me tendencë që të rritet edhe më shumë, nëse lufta ruso-ukrainase, zgjatë edhe më tej.

“Borxhi publik, fatkeqësisht, është gati sa dy buxhete e jo sa gjysma. Ai matet me pjesëmarrjen në PBB (Produktin Bruto të Brendshëm) dhe aktualisht është rreth 58%, – pra deri rreth 7 miliard euro, ndërkohë që buxheti vjetor është rreth 4 miliard euro, – me tendencë të shkojë mbi 61 apo 62% deri në fund të vitit fiskal. Nëse lufta ruso-ukrainase do zgjatet, borxhi mund të shkojë edhe më shumë se kaq. Kapaciteti ekonomik e fiskal i RMV, matur shkencërisht me kriteret optimale, është rreth 54-55% e PBB-së. Rritja dhe niveli i borxhit nuk është shkaktuar si rezultat i ‘dëshirës’ së politikbërësve, por 11% u rrit si rezultat i masave antikovid (2020 dhe 2021) si dhe tani rreth 5-6% rritet si rezultat i masave anti-inflatorike dhe çmimeve astronomike të energjisë, përderisa Qeveria ka rritur çmimet rreth 10-15% të energjisë elektrike për konsumatorët në tregun e rregulluar”, theksoi Bexheti.

Ai ka propozime konkrete se si të tejkalohet kriza me më pak pasoja, të cilat thotë se ia ka dorëzuar edhe qeverisë  në një takim këshillëdhënës të para dy-tre muajve.

“Propozimet afatshkurtëra janë kursimi energjetik maksimal. S’ka nevojë të ndriçohen qytetet, rrugët apo edhe konsumatorët që konsumojnë me çmimet e subvencionuara. Shiko si ndriçojnë qendrat tona tregtare dhe e paguajnë rrymën me çmime të subvencionuara nga buxheti. Pastaj, politikat e fashave të konsumatorëve – për shembull, kush konsumon mbi 1000 KWh në muaj të paguaj me çmime të tregut”, tha Bexheti.

Ne afat të mesëm e të gjatë, Bexheti propozon që urgjentisht të riorientohen dhe riprioritizohen investimet kapitale me prioritet të parë për sektorin energjetik, ushqimor, bujqësinë primare, arsim e shëndetësi…etj.

“Të gjitha investimet tjera kapitale, nga hekurudha “pa krye” – pra është e kotë derisa është rrugë pa dalje, pa çka se do vijë transporti hekurudhor deri në Kërçovë, kur s’mund te dalë në Adriatik – e deri te pajisjet ushtarake, parku vozitës, objekte të kulturës apo edhe shpenzime që mund të pezullohen përkohësisht, duhen reduktuar dhe ndërprerë. Këto do duhet të aktivizohen në kohëra të mira – në kohë paqe dhe lulëzimi ekonomik”, theksoi akademiku Bexheti.

Ndërkohë, derisa paga minimale në vend aktualisht është 18.000 denarë, shporta konsumatore famijare për katër persona kushton 36.000 denarë. Kjo shportë nënkupton kushte minimale për jetesë.

 

 

Të fundit