E shtunë, 27 Korrik, 2024

GJENDJA SOCIO-EKONOMIKE E GAZETARËVE KUFIZON LIRINË E MEDIAVE

Shkruan: Puhiza Osmani

 

Me rastin e 3 majit Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit paneli i dedikuar për sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve mediatik ka dërguar disa mesazhe, se lufta për të pasur gazetari cilësore dhe liri do të vazhdoj ende. Duhet që të kundërshtohet oligarkia mediatike, të mundësohet siguri e gazetarëve nga ana e të gjithëve, por sidomos nga institucionet shtetërore dhe faktorët e tjerë politikë.

Në këtë takim kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, tha se liria relative në të cilën jetojmë tani nuk duhet të na mashtrojë sepse ende nuk ka një zgjidhje sistematike që do të garantojnë përmbajtje cilësore mediatike dhe pavarësi në punën gazetareske. Ai u shpreh se tregu në vendin tonë është i vogël, dhe nuk lë hapësirë për zhvillimin e gazetarisë së pavarur, kështu që mediat shpesh varen nga qendrat politike apo biznesore të pushtetit.

“Është koha për ndryshime thelbësore që do të garantojnë lirinë e punës, sepse liria e fjalës, e mendimit, është e vështirë që të fitohet, por mund të humbet shumë lehtë. Gjëja e parë që dua të theksoj është se në tërësi jemi të bashkuar në kërkesën për krijimin e një fondi të pavarur kombëtar për krijimin e përmbajtjeve mediatike”, theksoi Çadikovski.

Gjithashtu ai theksoi se duhet pranuar fakti që në vend mungojnë emisionet e mira, programet e mira, dokumentarët, historitë edukative dhe hulumtuese, sepse ka nevojë të madhe për përmbajtje cilësore në mediat lokale, rajonale dhe kombëtare. Si dhe ai tha se po kërkojnë miratimin e menjëhershëm të një ligji që do të lejonte që banditët kundër gazetarëve të ndiqen penalisht sipas ligjeve zyrtare.

“Prandaj ne insistojmë në krijimin e një fondi të pavarur për projekte me interes publik me prioritet për gazetarët e brendshëm të Maqedonisë dhe gazetarët e rinj. Sepse ne duam të stimulojmë gazetarinë kritike dhe analitike si një parakusht për përmirësimin e shoqërisë”, tha Çadikovski.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve të Maqedonisë (SSNM), Pavle Belovski, theksoi se gjendja socio-ekonomike e gazetarëve, përveç sigurisë, është kushti më i rëndësishëm për zhvillimin e asaj që ne e quajmë gazetari të lirë.

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, nga ana tjetër, tha se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, është një rikujtim i rëndësishëm i përgjegjësisë së mediave për institucionet transparente dhe të përgjegjshme dhe respektimi i lirive të mediave në mënyrë që të krijohet një ambient në të cilin ata do të bëjnë punën e tyre në përputhje me parimet profesionale të gazetarisë, të lirë nga presionet politike dhe ekonomike. Presidenti gjithashtu tha se propozimet për ndryshime në Kodin Penal të iniciuara nga SHGM dhe SSNM, të cilat propozojnë që sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve të mediave të trajtohen si krime, do të ndiqen sipas ligjeve zyrtare me dënime më të larta për shkelësit.

“Vitet e pandemisë dhe lufta në Ukrainë na kanë treguar se sa e rëndësishme është puna e mediave për marrjen e informacionit në kohë. Rrezikimi i sigurisë së punonjësve të medias po rrezikon lirinë e medias. Kërcënimi, sulmi fizik, shantazhi, ngacmimi kibernetik, ngacmimi me bazë gjinore, diskriminimi dhe forma të tjera të shtrëngimit i pengojnë punonjësit e mediave të bëjnë punën e tyre lirisht. Prandaj ne do të kontribuojmë për mbrojtjen më të madhe të gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe për zhdukjen e kulturës së mosndëshkimit, e cila fatkeqësisht ende mbështetet nga disa segmente të shoqërisë maqedonase”, tha Pendarovski.

Të fundit