E shtunë, 27 Korrik, 2024

RADIKALIZOHET OPOZITA – NGA 10 MAJI BLLOKON PARLAMENTIN

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Nga 10 maji opozita do të bllokojë Parlamentin derisa në rend dite nuk vihen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Bllokada aktive e Kuvendit do të zbatohet derisa qeveria aktuale të ulet dhe të arrihet marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha sot Mickoski.

Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet në krye me Dimitar Kovaçevskin, kërkesën e opozitës e vlerëson të dëmshme.

“Në kohën e krizës më të madhe në vend, kur qytetarët kanë nevojë për një Kuvend funksional që miraton ligje në interes të qytetarëve, Hristijan Mickoski vendos t’i forcojë bllokadat. Nga ai dhe VMRO-DPMNE nuk pritej asgjë tjetër. Ata vazhdojnë në të njëjtin stil, me të njëjtën matricë, me qëllimin e vetëm, bllokimin e shtetit”, thuhet në një reagim me shkrim të LSDM-së.

Partia e drejtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se “nuk do të lejojë që bllokadat e Mickoskit dhe VMRO DPMNE-së kriminale ta dëmtojnë shtetin”.

Nga ana tjetër pas paralajmërimit, për bllokim të Kuvendit, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, tha se do të veprojë sipas rregullores dhe se “nuk do të bëjë luftë”.

“Unë do të punoj sipas Rregullores, nuk do të ketë luftë, do të shohim si do ta detyrojnë. Jo vetëm Kuvendi, por edhe institucionet tjera duhet të mendojnë për pasojat, sepse në një rast të tillë nuk është vetëm bllokadë e Kuvendit por edhe e shtetit”, theksoi Xhaferi.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme kërkohen edhe nga opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Subjekti politik “Lëvizja Besa” përkrahë VMRO-në për bllokadë të Kuvendit.

Lëvizja Besa potencoi se do të përdorë të gjitha mekanizmat e mundshme për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare sa më shpejtë.

“Qëndrimi i Besës është shumë i qartë dhe ne e kemi përsëritur prej disa muajsh.Legjitimiteti i qeverisë kontestohet sepse mazhoranca u bë përmes deputetëve të shantazhuar dhe partive politike që brenda natës nga kritikët e qeverisë u bënë pjesë e qeverisë.Kjo përbërje e qeverisë reflekton keqmenaxhimin e të gjitha institucioneve, ndaj është shumë e rëndësishme që zgjedhjet parlamentare të bëhen sa më shpejtë, t`u kthehet legjitimiteti qytetarëve dhe ata të vendosin se kush duhet t`i përfaqësoj ata”, tha Elmedin Memishi, zëdhënës nga radhët e Lëvizjes Besa.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën në vitin 2020, të imponuara nga mungesa e rezultateve në procesin e integrimit evropian. Nga viti 2006 vendi ka mbajtur gjithsej 5 cikle të zgjedhjeve parlamentare, të gjitha të parakohshme.

 

Të fundit