E premte, 26 Korrik, 2024

A DO TË MBETEN PENG I VETOS BULLGARE EDHE PAS QERSHORIT?

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Çfarë do të thotë vetoja bullgare ndaj Shkupit që mban të bllokuara negociatat për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian (BE)?

Për analistët kjo bllokadë mbetet e njëanshme, ndërkohë që shkakton mjaft probleme edhe në lidhje me kredibilitetin e BE-së.

Drejtori Ekzekutiv i Democracy Lab, Sefer Selimi, një prononcim për kdpolitik.com, tha se çështja e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, ku në mënyrë indirekte bllokohet edhe Shqipëria për të hapur negociatat për integrim me Bashkimin Evropian,  shkakton mjaftë probleme në lidhje me kredibilitetin e BE-së

“Pretendimet historike të bullgarisë janë të njëanshme dhe të bazuara vetëm në interpretimet nga këndvështrimi i tyre. Me marrëveshjen për fqinjësi të mirë të nënshkruar mes dy vendeve është paraparë një komision që do të trajtojë çështjet historike, i cili komision edhe pse i formuar ende nuk ka dhënë rezultate konkrete për shkak të pozitave plotësisht të ngurta dhe të ndryshme nga palët e përfshira. Kjo edhe për shkak të presionit publik në të dyja vendet, por edhe për shkak të ndikimit politik mbi të njëjtin”, ka theksuar Selimi.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut por edhe Shqipëria kanë ngelur peng i Bullgarisë në një proces që është qartazi i definuar me kushte dhe standarde që duhet të plotësohen për t’u bërë anëtarë, por që asnjëra prej tyre nuk ka të bëj me çështje siç janë interpretimet historike.

Profesori universitar, Emin Azemi nënvizoi për KDP se Bullgaria nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut.

Sipas Azemit, Bullgaria tregon shumë qartë se momentalisht ka qëndrime strikte ndaj RMV-së, dhe se Shqipëria duhet që sa më parë të shkëputet nga Maqedonia e Veriut në procesin eurointegrues,

Ndërkohë, anëtari i Komisionit të Përbashkët për Histori në Sofje Ognen Vangelov, vlerëson se deri në qershor nuk do të hiqet vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe se deri atëherë nuk do të ketë ndonjë ndryshim.

Të fundit