E shtunë, 27 Korrik, 2024

RMV DHE LITUANIA – NEGOCIATAT TË NISIN DERI NË QERSHOR

Gabrielius Lindsbergis, ministër i Punëve të Jashtme të Lituanisë, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, theksoi se fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të filloj para përfundimit të kryesimit francez.  Sipas tij, ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit evropian nuk shihet si pikënisje pozitive.

 

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Shefi i Diplomacisë së RMV-së, Bujar Osmani, tha të martën, pas takimit me ministrin Lituanisë, Gabrielius Lindsbergis, se bashkë kanë konstatuar se e ardhmja e Evropës varet nga e ardhmja e Ukrainës.

“Sot përballë një arkitekture të çrregulluar të sigurisë evropiane, dy vendet tona si aleatë të NATO-s po i adresojnë kërcenimët aktuale dhe po e përmirësojnë sigurinë e përgjithshme të kontinentit evropian. Jam veçanërisht i kënaqur të njoftoj se në javën e ardhshme do të filloj stërvitja më e madhe në tokën e Evropës Kontinentale, ku do të marrin pjesë trupat e NATO-s, me një prezencë të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi rënë dakord se e ardhmja e Evropës varet nga e ardhmja e Ukrainës”, deklaroi Bujar Osmani.

Gjatë takimit Osmani- Lindsbergis është theksuar edhe ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e integrimit.Ndryshe Lindsbergis shtoi se nuk dëshiron të shohë ndarjen e Maqedonisë nga Shqipëria në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se ende nuk janë konsumuar të gjitha instrumentet për këtë proces.

“.E kuptoj që kjo mund të jetë e vetmja mënyrë nëse procesi vonohet për një kohë të gjatë, por nuk do të doja që kjo të ndodhte. Unë mendoj se nuk janë përdorur të gjitha instrumentet që do ta pengonin këtë dhe do t’i lejojnë dy vendet të ecin përpara sa më shpejt që të jetë e mundur “, tha Lindsbergis.

Lindsbergis mes tjerash paralajmëroi se asnjë vend nuk mund ta mbajë pezull të gjithë procesin e anëtarsimit, duke shtuar se konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të mbahet para përfundimit të kryesimit francez me BE-në.

“Tani është koha për të bërë një përparim, pa vonesa të mëtejshme, konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të mbahet para përfundimit të kryesimit francez me BE-në. Bëhet fjalë për kredibilitetin e BE-së dhe mbajtjen e premtimeve të politikës së dyerve të hapura të bëra dekada më parë,” tha Lindsbergis.

Kujtojmë se ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Genchovska tha se kërkesat për Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë ndryshuar,dhe se vetoja e Bullgarisë ka penalizuar edhe Shqipërinë, për shkak se procesi i anëtarësimit të këtyre dy shteteve po zhvillohet paralelisht.

Nga ana tjetër Bujar Osmani, shtoi se gjatë takimit me homologun e tij kanë biseduar edhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkë kanë vlerësuar se janë të shkëlqyeshme dhe se duhet bërë përpjekje që të thellohet më tej.

 

Të fundit