E shtunë, 27 Korrik, 2024

“INKUBATORËT” BRUTAL TË FUNKSIONARËVE TË PËRJETSHËM

Zakonisht pas këtij koncepti burokratik dhe tërësisht “apolitik” qëndrojnë syze krimbash burokratë që me qetësi ” olimpike” etablohen në gërmadhën e madhe të pushtetit të kuptuar thjesht si para dhe si akomodim i përjetshëm i prodhuar në inkubatorët e politikave ” hibride”. Këta janë funksionarët e përjetshëm, ata të pranueshmit për çdo kombinatorik pushteti, ata që nuk janë as mish e as peshk, që janë krijesa apolitike laboratorësh politik.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Nëse nuk ka se për çfarë të diskutohet atëherë mbetet vetëm të menaxhohet, thotë në një ese brilante, Josep Ramoneda. Në një eksplorim më të gjerë Ramoneda e thekson pikërisht këtë brutalitet të mungesës së debatit politik ose debatit margjinal që krijon situatën e mungesës së politikës si një hapësirë dinamike lirie. Pikërisht kjo logjikë apolitike që në sfond ka pushtetin si gjendje e përhershme stimulon kënetën burokratike, atë gjendje të përhershme të pashpresë politike që me gjakftohtësi pushteti uzurpon hapësirën e lirisë, hapësirën politike dhe demokratike.
Zakonisht pas këtij koncepti burokratik dhe tërësisht apolitik qëndrojnë syze krimbash burokrat që me qetësi ” olimpike” etablohen në gërmadhën e madhe të pushtetit të kuptuar thjesht si para dhe si akomodim i përjetshëm i prodhuar në inkubatorët e politikave ” hibride”. Këta janë funksionarët e përjetshëm, ata të pranueshmit për çdo kombinatorik pushteti, ata që nuk janë as mish e as peshk, që janë krijesa apolitike laboratorësh politik.
Gjithë tranzcioni politik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka kaluar përmes këtyre ” protagonistëve” të përjetshëm të kotësisë shqiptare pavarësisht nga vullnetet elektorale dhe pavarësisht gjakimeve politike për të etabluar një standard tjetër të lirisë politike dhe demokratike. Asnjë qeveri, asnjë institucion nuk mund të funksionojë pa brutalitetin e ftohtë të pranisë së tyre, pa “profesonalizmin” e tyre të zhveshur nga çdo substancë politike, të zhveshur nga ndjeshmëritë e rrënimeve të pafundme njerëzore.
Ata mund të vendosin për fatin e gjithsecilit, sepse e kanë në dorë çelësin e inkubatorit të përzgjedhjes, i kanë duart e zgjatura mesjetare që përvijohen dhe nënshkruajnë përshtatshmëritë ideologjike, faktin nëse një person duhet apo nuk duhet të gjallnojë në perandorinë hibride të administrimit të tyre.
Dhe shesin moral profesional me njëmijë mëkate mbi shpinë. Ata kanë në dorë gjithçka, kanë vulën e ftohtësisë së inkubatorit për të vendosur mbi fate njerëzish.
Beteja politike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut tash e këtu duhet të jetë pikërisht dalja nga kjo situatë “apolitike” që po administrohet tash e sa vite nga inkubatorët e funksionarëve të përjetshëm, që me një milionë fije mbeten të lidhur me të gjitha pushtetet.
Domosdoshmërisht duhet të kalohet në një koncept tjetër politik që e shmangë kētë ketman “apolitik” të instaluar në çdo pushtet. Ne duhet ta rifitojmë hapësirën e lirisë politike si substancë e domosdoshme për të evoluar drejt hapēsirës europiane. Funksionarët e përjetshëm janë varrëmihësit e kësaj ëndrre!

 

Të fundit