E shtunë, 27 Korrik, 2024

POLICIA E KOSOVËS SULMOHET NË VERI TË VENDIT

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur të premten se ‘grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme’ në pjesën veriore të Kosovës. BE-ja ka dënuar incidentet, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për njërin nga sulmet, atë të djeshmin, është konstatuar se ka ardhur nga Serbia.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

‘Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës,’- ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se ‘grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë’.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se ‘kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë në luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme’. Radio Evropa e Lirë saktëson se në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së të nacionalitetit shqiptar dhe serb.

Zyrtarët e policisë nuk kanë bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm, por kanë lënë të kuptohet se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.

Ndërkaq, në një reagim të vetin, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut: ‘Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm,’- transmeton KDP reagimin e BE-së për të përditshmen Koha të Prishtinës.

BE-ja ka bërë thirrje që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse të zbatimit të ligjit.

Në të njëjtën kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një reagim të tij, në Twitter ka thënë se sulmi i djeshëm është identifikuar se ka ardhur nga Serbia.

‘Për tri ditë resht, zyrtarë policorë të Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot herët, një breshëri plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ardhur nga Serbia’, shkruan Kurti.

Të fundit